Këtë të enjte në seancë parlamentare, në fokus të diskutimit ka qenë Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Opozita ka kritikuar ashpër mazhorancën për mos plotësim objektivash, ndërsa në sy ka renë kritika dhe mesazhet që deputetja demokrate Elda Hoti ka adresuar kundrejt qeverisë dhe veçanërisht Ministres së Shtetit për Rinin dhe Fëmijët Bora Muzhaqit, pikërisht mbi braktisjen që të rinjtë i bëjnë vendlindjes së tyre.
Në fjalën e saj në parlament, Hoti i kërkon Muzhaqit të ketë në fokus frenimin e tyre dhe ndërtimin e politikave rinore, ndërsa shprehet se deputetët e mazhorancës kan humbur funksionin e të qenurit human.
“Shqipëria duhet të vazhdojë të trajtojë fenomenin e të miturve të pashoqëruar” po e nis me këtë gjetje ndër pikat kyçe të raportit të vitit 2022 të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Po e nis me këtë pikë kyçe jo se konstatimet e tjera në raport, janë më pak të rëndësishme, por sepse kur bëhet fjalë për fëmijën, shpirti dhemb më shumë se gjithçka, dhe këtë ua siguroj si nënë në radhë të parë, e jam e sigurt që gjej mbështetjen nga shumë prej jush.
Emigracioni trishton për secilën grupmosh, ama arratisja, largimi nëpër male, duke fjetur jashtë dhe duke ndjer rrezikun e jetës çdo sekond që kalon tek një adoleshent duhet të na alarmoj të madh e të vogël që jeton e ka zgjedhur të kaloj jetën në këtë vend.
Sa fëmijë detyrohen të largohen e të kërkojnë mbështetje në vendet e Bashkimit Europian sepse këtu kan turp të shkojnë edhe në shkollë me zero qindarkë në xhep. Dhe këtu në fakt, më tepër i drejtohem Ministres së Shtetit për rinin(Bora Muzhaqi) me shpresën se për ata po mendohet seriozisht, se pak apo shumë qoftë, ka një plan konkret për angazhimin e tyre në hapsira arti, sporti apo çfarëdo qoftë vetëm që mendimi për ta braktis këtë vend të mos vërtitet më në mendjen e tyre!
Kur flasim për raportin, tregohuni serioz dhe lexoni me vëmendje të gjitha aspektet, se emigracioni mbetet një ndër pikat më të theksuara ku kërkohet një përkushtim maksimal.
Për saktësi po ua risjell në kujtesë: “ Nuk është bërë përparim në referimet në procedurën e azilit dhe zbatimin e procedurave të kthimit në përputhje me kuadrin ligjor”.
Është aty, mes rreshtave të raportit, nuk është opozita që po shpif, siç keni qejf të akuzoni ju, nuk është as ndonjë dashakeqës që po kërkon të prish imazhin, është e vërteta që tregon se sa shumë jeni angazhuar ju.
Fakti është aty, vetëm ju nuk dini dhe nuk doni ta lexoni as kur vjen puna te liria e shprehjes.
Sepse, nëse preken interesat tuaja, sulmi është kundërpërgjigjja juaj direkte, pasi fusha ku Shqipëria vlerësohet se “nuk ka bërë përparim”, është ajo e lirisë së shprehjes. “Ndërthurja e interesave të politikës vazhdon të pengoj pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë. Dhe kjo pasqyrohet më së miri në aksionin e ndërmarrë kundër Radio Televizionit Ora. Si mundet të kërkohet të mbyllet një aset kombëtar? Pra, mjafton që një instrument mediatik të mos ju shërbej juve dhe qeverisë tuaj, dhe dryni është gati.
Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”- citon raporti.
Dhe nuk është se as kjo ska baza, në çdo dalje të tij përpara gazetarëve, gjuha fyese e kryeministrit nuk ndalet, përdor me çdo kush elementët kërcënues dhe shantazhon kur pyetjet nuk janë siç i kërkon propaganda.
Edhe një tjetër sygjerim Nga Komisioni europian:” mbetet e rëndësishme të sigurohet që media të ketë qasje të drejtpërdrejtë dhe transparente në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre”. Dhe ne e dim të gjithë në fakt sa qasje transparente ka media te qeveria.
Të dashur koleg, le të mos e bëjmë politikën me prejardhjen tonë, me jetën tonë, me fëmijët tanë dhe të mos e bëjmë politikën duke njollosur dinjitetin tonë si komb, sepse përpara se të synojmë Bashkimin Europian, duhet të kthejmë sytë nga realiteti Migjenian që jetohet sot në fshat, në çdo cep të Shqipërisë.
Përpara se të flasim për reforma të mëdha, të sigurojmë jetesën bazë në tokën që na i ka bekuar zoti por që po mallkohet dita ditës nga abuzimi qeverisës në çdo pëllëmbë të saj.
Ktheni sytë nga fermerët, nga Ata që i kan duart me kallo nga puna, nga ata që punojnë gjithë ditën por prap së prap nuk janë gjendje t’i thonë fëmijës së vetë “mos u largo sepse t’i siguron babai apo nëna kushtet për të jetuar…”
Prandaj, po të tregoni kujdes, Integrimi vendit nis nga gjërat e vogla, ato gjërat e vogla por që duhet t’i bëjmë me dashuri të mëdhe, njëjtë siç na ka mësuar Nënë Tereza… Dashuri të madhe për njëri-tjetrin, për punën, për natyrën, për prodhimin tonë, për njerzit puntorë, për gjithçka që na jep çdo ditë nga vetja e saj toka Shqiptare…Kështu ndalojmë çdo të keqe që na vjen nga jashtë, por fatkeqësisht neve e keqja na vjen nga brenda, na vjen nga kupola drejtuese që shet çdo gjë si arritje apo triumf edhe kur e zeza ulet këmbkryq dhe ulëret, njëjtë siç po bëni me raportin e BE-së.
Ju do të vazhdoni me të njëjtin ritëm edhe pse kjo nuk është e drejtë, por unë sot kam një mesazh të drejpërdrejtë si Shqiptare: Përpara se të jemi Europian, le të jemi Shqiptarë për Shqipërinë dhe veten tonë, Europa ka nevoj për njeriun dhe fatkeqësisht ju tregoni që e keni humbur këtë kriter dita ditës!-Tha ajo.