Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet e fazës së dytë për modernizimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila pritet të përfundojë brenda vitit.
“Vërtet një volum i madh pune që është duke u bërë dhe që nga pikëpamja e sipërfaqjes është shumë më e madhe se sa Pediatria e re që ne kemi inaguruar. Jam e bindur që brenda këtij viti do t’a finalizojmë pjesën infrastrukturore të punimeve të këtij spitali, e më pas, do të fillojmë edhe më të gjithë ato element, të cilët i përkasin mobilimit spitalor dhe aparaturave të nevojshme, për të garantuar shërbimet, siç janë shërbimet e gastrohepatologjisë, pneumologjisë, onko-hematologjisë pediatrike, dializës dhe nefrologjisë, dhe të gjithë shërbimet që ofrohen në këtë spital, të kenë kushte fantastike të ofrimit të shërbimit”- tha Ministrja Manastirliu.
Gjatë inspektimit në Pediatrinë e Tiranës, Ministrja Manastirliu foli edhe për projektet e reja që do të nisin së shpejti në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ po kalon në një fazë transformimi rrënjësor. Ne pritet që për pak ditë të fillojmë rehabilitimin e një prej spitaleve, të cilët janë në zemër të shërbimit kirurgjikal, që është pikërisht Spitali i Kardiokirurgjisë dhe brenda këtij viti, do të nisim punimet dhe për Spitalin Psikiatrik në QSUT”-tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Pas përmbylljes së fazës së parë të investimit në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, me ndërtimin e spitalit të ri me tre shërbime të rëndësishme, siç janë Shërbimi i Urgjencës; Shërbimi i Reanimacioni; Sallat e operacionit për ndërhyrjet kirurgjikale infantile, ka vijuar faza e dytë e investimit në këtë kompleks spitalor, e cila përfshin rehabilitimin e plotë të Pediatrisë së Përgjithshme.about:blank
Faza e dytë e këtij projekti do të mundësojë të gjithë rehabilitimin dhe përforcimin nga themelet të të gjithë strukturës të Pediatrisë së Përgjithshme, ku janë 120 shtretër dhe përfshihet shërbimi i onko-hematologjisë, dializës, pneumologjisë, etj. Me përfundimin e fazës së dytë kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUT.