Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi tha sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik që pas një pune të gjatë më shumë se një vjeçare, ne vijmë sot për të shqyrtuar, diskutuar dhe miratuar ligjin e arsimit parauniversitar, disa ndryshime dhe shtesa që kemi propozuar.
Ministrja Kushi sqaroi se të gjitha sugjerimet që kemi marrë gjatë gjithë kësaj periudhe, ato që përshtateshin më shumë dhe që ishin me vlerë, i kemi trajtuar të gjitha dhe i kemi reflektuar në draftin përfundimtar.
“Nevoja për këto ndryshime ka ardhur për disa arsye. Së pari për të zgjidhur disa nga problematikat që janë shfaqur shpesh gjatë diskutimit të këtij ligji në IA tona të cilat na i kanë përcjellë në mënyrë të vazhdueshme. Por po ashtu edhe për të plotësuar disa vakume ligjore për shkak të zhvillimeve, ndryshimeve, transformimeve që ndodhin sot në sistemin e arsimit parauniversitar.
Por po ashtu edhe për ta përafruar këtë ligj edhe me shumë me strategjinë kombëtare të arsimit parauniversitar 2021-2026. Por edhe me direktivat e BE dhe me legjislacionin që është sot në fuqi në vendet më të zhvilluara në BE.
Ky ligj i vitit 2012 është rishikuar edhe në vitin 2015, edhe 2018. Vitin e kaluar ne morëm vendimin që për shkak të gjitha këtyre kërkesave, problematikave ne ta rishikojmë. Dhe në fakt kemi zhvilluar një proces të konsultimit publik shumë të gjatë jo vetëm me IA por edhe këshillin Kombëtar të Arsimit parauniversitar, këshillin kombëtar, me parlamentin e nxënësve, shoqërinë civile, me partnerët tanë për të arritur në draftin final që e kemi miratuar edhe në qeveri por që e kemi edhe sot për diskutim së bashku.
Të gjitha sugjerimet që kemi marrë gjatë gjithë kësaj periudhe, ato që përshtateshin më shumë dhe që ishin me vlerë, i kemi trajtuar të gjitha dhe i kemi reflektuar në draftin përfundimtar.
Po filloj nga ndryshimet kryesore, apo shtesat kryesore.
Së pari, një nga arsyet që kemi vendosur ta ndryshojmë ligjin, kanë qenë pikërisht shkollat speciale për nxënësit me aftësi ndryshe. Kemi parë jo vetëm në rajon por edhe vendet e zhvilluara të BE për një mënyrë më të mirë funksionimi, që nga ana e strukturës se si janë të organizuara, por edhe të funksionimit.
Dhe ne kemi menduar që këto shkolla speciale t’i kthejmë në qendra burimore ku jo vetëm të ketë proces arsimor, por të ketë edhe shumë shërbime për nxënësit me aftësi ndryshe, për familjet e tyre, për mësuesit, të ketë trajnime dhe shumë procese të tjera që natyrisht i vijnë më shumë në ndihmë nxënësve dhe familjeve të tyre. Kemi parë modelet e tyre dhe paralelisht me ligjin, në fakt grupi i punës ka punuar, ka zhvilluar edhe vizita për t’i parë nga afër se si funksionojnë sot këto qendra burimore në vendet më të zhvilluara. Dhe pothuajse e kemi gati edhe mënyrën se si do ta implemetojmë më pas, pas miratimit të ligjit kthimin e këtyre shkollave në qendra burimore. Ne kemi 7 shkolla speciale dhe dy institute, instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë dhe i nxënësve që nuk shikojnë.
Kemi menduar ta fillojmë me dy institutet. Dhe më pas ta shtrijmë edhe me shkollat speciale që janë në qytete të ndryshme të vendit.
Lajmi i mirë ishte që ne për këtë vit shkollor ne për Institutin e Nxënësve që nuk sëgjojnë për herë të parë kemi hapur shkollën e mesme. Sepse deri para një viti aty nxënësit vijonin deri në klasën e nëntë. Ndërsa sot kanë një kurrikul të re e cila gjithashtu është hartuar me standardet më të mira.
Qendrat burimore do t funksionojnë me një strukturë të re, kurrikul të re, mënyrë funksionimi të re, si të rritet më shumë efikasiteti i shërbyer kësaj kategorie.
Një ndryshim tjetër që kemi sjellë me këtë projektligj, lidhet me sigurinë dhe mbrojtjen e nxënësve nga individë që mund të përbëjnë rrezik për ta. E kam fjalën përr nenin i cili nuk lejon mësuesit që janë të dënuar për vepra penale ndaj të miturve, apo që janë pjesë e regjistrit kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, apo që kanë kryer vepra të tjera penale që cenojnë figurën dhe imazhin e mësuesve, punonjësve të IA dhe vetë institucioneve Arsimore pavarësisht rehabilitimit të tyre.
Edhe pse mund të jenë të rehabilituar nga këto dënime, persona të tillë nuk do të lejohen asnjëherë që të punojnë brenda IA, qoftë mësues, apo qoftë në pozicione të tjera. Madje edhe nëse i konstatohen që janë sot pjesë e sistemit arsimor, ata me procedura të përcaktuara ndërpresin marrëdhënien e punës.
Në fakt në dhjetor të vitit 2021 për shkak të një rasti që pati edhe shumë ndjeshmëri të lartë publike, ne miratuam një udhëzim në MAS pikërisht për të mos i lejuar këta njerëz që të punojnë në IA por tashmë kemi vendosur që ta përfshijmë në ligj, në nj nen të veçantë, pikërisht për ta bërë edhe më të detyrueshëm dhe të garantuar zbatimin me përpikmëri të kësaj çështjeje.
Pra ideja është që ne të mos i rrezikojmë nxënësit, të parandalojmë ngjarje të tilla. Por natyrisht dhe të ruajmë të pastër figurën e mësuesit. Të ruajmë dhe rrisim akoma më shumë besimin e prindërve, nxënësve të të gjithë opinionit dhe shoqërisë përmësuesit dhe institucionet tona arsimore.
Një tjetër ndryshim.
Që kur e kemi prezantuar ka ngjallur debate. Por është një kërkesë që na ka ardhur më shumë nga prindërit këtë herë se sa nga IA. Është fjala për regjistrimet në klasë të parë të fëmijëve, edhe nëse e mbushin moshën 6 vjeç pas datës së fillimit të vitit shkollor, por deri në 31 dhjetor të atij viti.
Kemi patur shumë raste kur prindërit vetë këmbëngulin që fëmija vërtetë ka një zhvillim edhe psikomotor, ka ndjekur klasat parashkollore, janë tashmë gati sepse njohin alfabetin, dinë të shkruajnë, lexojnë, numërojnë. Pra edhe nga zhvillimi fizik, psikomotor, por edhe për sa i takon përmbajtjes, kurrikulës është plotësisht gati për të filluar vitin shkollor.
Dhe ne këtu, këtë ia kemi lënë në dorë prindërve. Pra nuk detyrojmë sigurisht, por nëse prindërit pas konsultave që zhvillojnë me psikologë apo mësues, ekspertë të sistemit arsimor, nëse kanë dëshirë ne ia japim këtë mundësi në mënyrë që fëmijët të mos humbasin një vit, të mos humbasin interesin për të filluar klasën e parë.
Por dua ta theksoj, nuk është e detyrueshme. Është vetëm në përgjigje të kërkesës së prindërve nëse ata e mendojnë, e gjykojnë që fëmijët e tyre janë gati për tu regjistruar në klasën e parë.
Një tjetër ndryshim lidhet me konceptin e shkollës së bashkuar. Në shumë zona, përgjithësisht zona të largëta, rurale, sot në realitet ne kemi raste të shkollave që i kanë të treja ciklet, fillor, të mesëm të ulët, dhe të mesëm të lartë, madje në ndonjë rast kanë edhe klasa parashkollore.
Në ligj nuk ekziston ky koncept. Pra ka një vakum ligjor, ndërkohë që ne e gjykojmë të nevojshme në disa zona ku numri i nxënësve është i ulët. Nëse do të ishin shkolla të veçanta, një 9-vjeçare dhe një e mesme, nuk i plotësojnë kriteret për të qenë të hapaura. Ndërkohë që nëse këto grumbullohen në një shkollë të bashkuar, atëherë është më ligjore, por edhe për ta menaxhuar, administruar, por edhe nga ana e ekonomizimit të burimeve tona për sa i takon mësuesve por edhe infrastrukturës është më e përshtatshme.
Një problematikë që kemi hasur ka qenë një konfuzion përgjegjësish për sa i takon inspektimit, apo vlerësimit, monitorimit të IA. Ka patur një konfuzion midis DPAP dhe DRAP-eve nga njëra anë, dhe ASCAP. Pra në ligj thuhej ndryshe, në VKM ka patur pak konfuzion. Kështu që në ligj ne kemi menduar që ta përcaktojmë qartë dhe detajojnë se cili është institucioni që ka përgjegjësinë për t’i monitoruar, inspektuar për të marrë masa. Ligji i përcakton qartë detyrat që do të kenë.
Ndërkohë ne kemi nisur vitin e kaluar iniciativën për të patur 400 vlerësues të jashtëm, pikërisht për shkak të nevojës që kemi për të bërë vlerësime dhe inspektime për institucione të ndryshme. Tashmë kemi një strukturë që janë mësues, drejtues institucionesh, që janë trajnuar për të bërë edhe këtë lloj detyre në momente të sakatuara kur ne kemi nevojë.
Një tjetër rregullim që kemi bërë është që bashkitë tashmë kur vendosin për të ndërtuar një shkollë të re apo rikonstruktuar një shkollë ekzistuese, duhet të marrin një mendim, duhet ta konsultojnë me MAS. Pikërisht që shpërndarja e investimeve të bëhet e koordinuar apo sipas nevojave dhe politikave të arsimit parauniversitar”, sqaroi Kushi.