Akademiku Artan Fuga në ‘Facebook’ shkruan se në Akademinë e Shkencave janë shkatërruar përfundimisht zgjedhjet e ligjshme dhe se nënkryetarit dhe kryetarit i ka përfunduar mandati.
Fuga thekson se “Cili Kryetar do ta hapë mbledhjen për votimet, kur personi që mban vulën e Kryetarit aktualisht, në atë kohë do të jetë pa asnjë mandat?”, ku shton se në këtë mënyrë nuk mund të mbahet zgjedhje të lira.
Ndër të tjera shton se “Është koha dhe detyra për ta ndalur këtë akt të rëndë që po kryhet në sytë tanë! Çfarë është një vjedhje apo korrupsion i një njeriu të veçantë përpara kësaj që po ndodh kur po hidhet në erë një agjenci që duhej të ishte më e ndritura në vend; çfarë është një vjedhje bankomati, çfarë është një rrahje me litar a me shkopinj bejsbolli para përdhunimit kaq monstruoz të ligjit dhe procedurave legjislative, para shkatërrimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në vend”.
Sipas tij, deputetët, akademikët dhe të gjithë duhet të ngrihen në këmbë ndaj kësaj që po ndodh dhe se ligjvënësit t’i thonë ndal kësaj loje, ku citon “Të gjithë e dinë, por pak bëjnë sikurse nuk shohin se çfarë drame e rëndë është duke u luajtur në Pallatin e Ligjit të shqiptarëve!
Postimi i plotë:
Komunikatë për mediat
Si në një grusht shteti, janë shkatërruar përfundimisht zgjedhjet e ligjshme në Akademinë e Shkencave!
Për dijeni Opinionit Publik dhe mediave,
deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë
Veçanërisht deputetëve anëtarë të Komisionit të Mediave dhe Edukimit
Për dijeni Kryetares së Kuvendit zonjës Lindita Nikolla
Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama
Anëtarëve të Asamblesë të Akademisë së Shkencave
Ju bëj me dijeni se zgjedhjet e Kryetarit dhe nënkryetarit të Akademisë së Shkencave, pra të drejtuesve kryesorë të saj, janë bllokuar, janë penguar, duke bërë çmos që ato të mos bëhen sipas ligjit dhe statutit të Akademisë së Shkencave. Nëse do të bënim një analogji me shkatërrimin, sabotimin, ndalimin e bërjes sipas ligjit të zgjedhjeve kur bëhet fjala për një shtet, në këtë rast do të flisnim për një grusht shteti institucional. Mandati nënkryetari të Akademisë së Shkencave, pas një afati katërvjeçar sikurse e parashikon ligji, ka përfunduar që përpara dy muajsh. Kurse mandati i Kryetari të Akademisë së Shkencave, i cili përfundon në më pak se 100 orët e ardhshme, nuk mjafton për të bërë zgjedhje sipas ligjit dhe statutit në Akademinë e Shkencave. Statuti i saj, në nenin 15 të tij, me titull “Zgjedhja e Kryetarit”, thekson se “Dita e votimit caktohet 30 ditë para mbarimit të afatit të mandatit të Kryetarit paraardhës.”. Pra duhet të ishte caktuar e shumta që në datën 19 qershor 2023, si afat i fundit. Pasi ka kaluar ajo datë, zgjedhjet e ligjshme për kryetarin dhe zëvendëskryetarin e ASH janë hedhur në erë.
Aq më shumë që neni 17, me titull “Votimi” parashikon qartë se “1. Mbledhjen për zgjedhjen e Kryetarit të ri e hap dhe e drejton Kryetari i Akademisë së Shkencave…”.
Cili Kryetar do ta hapë mbledhjen për votimet, kur personi që mban vulën e Kryetarit aktualisht, në atë kohë do të jetë pa asnjë mandat?
Në këtë mënyrë jo vetëm zgjedhjet e rregullta sipas ligjit janë hedhur në erë, por edhe janë bërë të pamundura sipas ligjit dhe statutit në fuqi. Një numër parimesh dhe të drejtash janë shkelmuar me këmbë. Janë ndaluar pra kandidatët e rinj për të ushtruar të drejtën që u jep ligji për të shpalosur platformat e tyre dhe prezantuar përpara Asamblesë.
Kryesia në kundërshtim me ligjin dhe statutin po pengon Asamblenë të kryejë detyrat e saj. Përtej çdo norme ligjore, anëtarë të kryesisë të Akademisë së Shkencave nuk kanë deklaruar përfundimin e mandatit të tyre. Mund të bëhen të gjitha hamendjet se përse ndodh ky “grusht” institucional në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë që po përsërit atë të vitit 2019. Por, nuk ka vend për hamendje. Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Kryetari i saj, nga njëra anë kanë bllokuar faktikisht procesin zgjedhor të ligjshëm në Akademinë e Shkencave, nga ana tjetër, me anë të deputetëve Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, po ushtrojnë presione dhe me praktika legjislative jo sipas Rregullores dhe ligjeve në fuqi, në trysni kohe, duke vendosur nën presion Komisionin e Edukimit dhe Mediave në Kuvendin e Shqipërisë, si edhe Kryetaren e tij, për për ta ndryshuar me çdo kusht, tani, sot a nesër, ligjin në fuqi për Akademinë e Shkencave.
Procesi legjislativ po i ngjan një ambulance që si e marrë endet me buri në formë alarmi për të kapur orët e fundit të një të sëmuri, orë që në fakt kanë kaluar. Procesi legjislativ po i ngjan një zjarrfikëse të marrë që me drita të kuqe po lemeris dynjanë duke dashur të kapë kohën për të shuar flakët që ligja vendos për këdo që dëshiron ta shkelë atë. Qëllimi është të ndryshojnë mënyrat, moshat, kriteret e kandidimit për drejtues në Akademinë e Shkencave. E gjithë përpjekja e deputetëve Petro Koci dhe Ismet Beqiraj ka si rezultat që t’u jepet mundësia drejtuesve aktualë të ASH, të cilët kanë bllokuar zgjedhjet në Akademi, për të kandiduar përsëri në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Skandali që kërkojnë të bëjnë persona të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Akademinë e Shkencave është që pikërisht në kohën kur kandidatët e rinj duhej të kishin hyrë në zgjedhje për drejtimin e Akademisë së Shkencave në respekt të ligjit dhe të Statutit të saj, këta persona synojnë ta ndryshojnë ligjin pikërisht në kohën e zgjedhjeve.
E paparë në histori që nga kohët barbare!
Këto monstruozitete, ky skandal i madh, këto pabesi ndaj ligjit, betimit, opinionit publik që po ndodhin po e çojnë përfundimisht drejt shkatërrimit reputacionin e legjislativit, e institucioneve shkencore dhe të zgjedhurve. Për çfarë interesash të vogla, urie për pushtet, ambicieje, aleancash politike të ndyra, publiku dhe deputetët të paguajnë këtë haraç të rëndë!
Nga kush kanë frikë që hedhin në erë procesin zgjedhor të ligjshëm!
Është koha dhe detyra për ta ndalur këtë akt të rëndë që po kryhet në sytë tanë! Çfarë është një vjedhje apo korrupsion i një njeriu të veçantë përpara kësaj që po ndodh kur po hidhet në erë një agjenci që duhej të ishte më e ndritura në vend; çfarë është një vjedhje bankomati, çfarë është një rrahje me litar a me shkopinj bejsbolli para përdhunimit kaq monstruoz të ligjit dhe procedurave legjislative, para shkatërrimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në vend.
Unë po bëj detyrën time duke alarmuar gjithkënd. Unë i bëj thirrjet deputetëve, akademikëve, opinionit publik, mediave të ngrihen në këmbë kundër kësaj që po ndodh! Unë i bëj thirrje zonjës Kryetare të Kuvendit të Shqipërisë që të bëhet barrikadë, sikurse ja kërkon detyra dhe dinjiteti, përballë kësaj drame institucionale zgjatimet e së cilës shtrihen edhe në Kuvendin e Shqipërisë. I bëj thirrje të gjithë deputetëve të ndershëm në Komisionin e Mediave dhe Edukimit të Kuvendit të Shqipërisë që t’i thonë “Ndal!” kësaj loje që po luhet në kurrizin e tyre. Të gjithë e dinë, por pak bëjnë sikurse nuk shohin se çfarë drame e rëndë është duke u luajtur në Pallatin e Ligjit të shqiptarëve!
Në ditët në vazhdim unë do të nxjerr fakte të reja për ta nxjerrë në dritë plotësisht çka më sipër,
Me përshëndetje qytetare,
Akademik
Prof. dr. Artan Fuga