Marshimi i lekut në kursin e këmbimit valutor vijoi me hapa të mëdhenj edhe ditën e martë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro humbi për të dytën ditë radhazi pothuajse një pikë në kursin e këmbimit dhe u këmbye me 101.4 lekë, duke zbritur në një minimum të ri historik. Zhvlerësimi i Euros me bazë vjetore ka arritur tashmë në 13.3%, ndërsa që nga fillimi i këtij viti kursi i këmbimit euro-lek ka rënë me 11.2%.
Rënia e lirë e Euros po ndiqet me ritme të ngjashme edhe nga valutat e tjera kryesore.
Paundi Britanik u këmbye të martën me 118.05 lekë, duke prekur gjithashtu një minimum historik, për të dytën ditë radhazi. Paundi ka rënë me 14.3% me bazë vjetore dhe me 8.4% që nga fillimi i vitit.
Dollari Amerikan tashmë duket drejt rënies poshtë kuotës së 90 lekëve, në nivelin më të ulët që prej fundit të vitit 2008. Monedha e gjelbër u këmbye sot me 90.2 lekë, në rënie me 21.8% krahasuar me një vit më parë dhe me 15.7% që nga fillimi i vitit. Franga zvicerane zbriti në vlerën e 105.02 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2010. Franga është zhvlerësuar me 11.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9.6% që nga fillimi i vitit. Rënia e paprecedentë e Euros është çelësi që shpjegon në pjesën më të madhe edhe ecurinë e kursit të valutave të tjera. Sektori bankar në Shqipëri i mban pozicionet e veta valutore kryesisht në monedhën europiane, duke qenë se ajo është monedha e huaj më e përdorur në ekonominë shqiptare dhe njëkohësisht më e lehta për t’u siguruar. Fakti që Euro vlen sot vlen shumë më pak krahasuar me një vit më parë bën që edhe vlera e valutave të tjera ndaj Lekut të bjerë, kjo edhe në varësi të ecurisë së kursit mes secilës valutë dhe Euros, në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, kursi i këmbimit Euro-Lek përcaktohet kryesisht nga raportet e brendshme të kërkesës dhe ofertës, ku ndikimin kryesor e kanë flukset hyrëse neto të valutës. Deficiti i llogarisë korrente pësoi një rënie të fortë në tremujorin e parë të vitit, ndërsa vlera e tij u tejkalua ndjeshëm nga prurjet e investimeve të huaja direkte, që shënuan përsëri një rekord historik në tremujorin e parë të vitit. Ekspertët vlerësojnë se përmirësimi i Bilancit të Pagesave duhet të ketë vijuar edhe në tremujorin e dytë, i nxitur sidomos nga flukset rekord të turizmit hyrës në vend, nga një cikël i ri rritës i remitancave dhe nga investimet e huaja, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Periudha korrik-gusht shënonte dhe pikun e sezonit turistik dhe rrjedhimisht edhe të prurjeve valutore nga turizmi. Për këtë arsye, në vetvete rënia e mëtejshme e Euros në periudhën e verës ishte e pritshme, por përmasat e kësaj rënieje, që prej fillimit të tremujorit të dytë, ishin padyshim të papritura. Një argument tjetër që mund të shpjegojë rënien kaq të fortë të Euros është edhe një ofertë më e shtrënguar e Lekut, për shkak të tipareve të politikës monetare dhe asaj fiskale. Rritja e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë e ka ngadalësuar ritmin e kreditimit të ekonomisë, megjithëse këtë vit normalizimi monetar është frenuar ndjeshëm, në mënyrë deri diku të papritur. Ndërkohë, qeveria shqiptare po vazhdon të ndjekë një politikë fiskale me tipare shtrënguese, e ilustruar nga vlerat e larta të suficitit buxhetor. Në mesin e këtij viti, suficiti buxhetor arriti në më shumë se 36 miliardë lekë, në rritje me pothuajse 88% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në këtë mënyrë, oferta e lekut në treg duket të jetë ndjeshëm më e shtrënguar, siç dëshmohet nga ritmet shumë të ulëta të rritjes së agregatit monetar M2; nga tjetër, oferta e Euros duket në ekspansion, siç tregon tërthorazi përmirësimi i Bilancit të Pagesave dhe rritja e vazhdueshme e depozitave bankare në monedhën europiane.
Forcimi i monedhës vendase i bën më të lira importet e mallrave dhe shërbimeve dhe në teori duhet të ndikojë në një ulje të mëtejshme të inflacionit, në përputhje me kohëvonesat e transmetimit, që sipas llogaritjeve të bankës qendrore, janë nga tre deri në pesë muaj. Por, nga ana tjetër, mbiçmimi i madh i Lekut po jep pasoja negative për eksportet shqiptare. Për muajin qershor, eksportet pësuan rënie me 17.3%, ndërsa për të gjithë 6-mujorin e parë rënia arriti në 7.4%. Leku i fortë po i bën eksportet shqiptare më pak konkurruese dhe rrezikon të sjellë pasoja negative në prodhimin dhe punësimin e sektorëve që i kanë të ardhurat në valutë të huaj.
Efektet direkte negative të lekut të fortë po ndihen edhe nga familjet që kanë të ardhura kryesisht në valutë, ku kategoria më e madhe është ajo e përfituesve të remitancave. Për të mbuluar rënien e vlerës së valutave, emigrantët mund të detyrohen të dërgojnë më shumë para për familjet në Shqipëri, faktor që mund të shtojë më tej ofertën valutore dhe nënçmimin e valutave të huaja, kryesisht Euros.
Rënia e fortë e Euros pritet të japë një ndikim negativ në bilancin e sektorit financiar, që në pjesën më të madhe mbahet në valutë të huaj. Është e pritshme që rritja e sektorit bankar këtë vit të ngadalësohet ndjeshëm, për shkak të efektit të kursit të këmbimit.
Leku i fortë po sjell ndërkohë përfitime të konsiderueshme për huamarrësit në Euro, përfshirë qeverinë shqiptare dhe huamarrësit privatë. Vlera e huave në Euro ka rënë me më shumë 13% në një vit për shkak të efektit të kursit. Kjo ka ulur barrën e borxhit dhe e ka bërë më të përballueshme shlyerjen e tij. Rënia e Euros mund të nxisë më shumë kreditimin në monedhën europiane, siç edhe në fakt ka ndodhur, sidomos pas tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, vlera e depozitave në valutë të huaj po bie gjithmonë e më shumë si rezultat i kursit të këmbimit, po, deri tani, kjo nuk ka sjellë ndonjë efekt të dukshëm në reduktimin e euroizimit të depozitave. Pavarësisht zhvlerësimit, shqiptarët vazhdojnë ta perceptojnë Euron si një monedhë më të besueshme për të mbajtur kursimet e tyre./monitor