Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një seancë dëgjimore një përfaqësi të studentëve të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës dhe dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Ky ligj është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 21/07/ 2023 dhe është aktualisht në fazën përmbyllëse pranë Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës, Begaj, konsideron se konsultat me palët e interesuara gjatë procesit legjislativ janë një instrument i çmuar për vendimmarrjen institucionale.
Në mbyllje të takimit, Presidenti siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese.

