Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë fjalës së saj në Kuvend në interpelancën në lidhje me ngjarjen te Spitali Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka deklaruar se “ ne kemi vendosur një standard i cili është i vetmi që aplikohet dhe është i barabartë dhe i njëjtë për të gjithë: Kushdo që provohet fajtor, nuk ka më punë me këtë qeveri, as me këtë familje politike. Ky standard vlen edhe për mjekët e vendosur nën akuzë”.
Koçiu inkurajoi organet e drejtësisë të hetojnë me zero tolerancë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë ligjore çdo individ që është implikuar dhe ka abuzuar me misionin e shenjtë të mjekut në dëm të shëndetit të qytetarëve, me pasoja edhe zhvatjeje për ta.
“Por ndërsa shpreh këtë qëndrim të prerë për ata abuzues, jam dhe do të jem krah dhe në mbrojtje të çdo anëtari të trupës spitalore të QSUNT-së dhe jo vetëm që profesionin e ka të shenjtë dhe bluzën e bardhë të panjollosur as nga korrupsioni dhe as nga korruptimi politik”, nënvizoi ministrja Koçiu.
Ajo shtoi se tentativa për të politizuar ngjarjen, për të futur ndasi dhe diversion mes mjekëve dhe trupës drejtuese të shëndetësisë është një akt i shëmtuar dhe që do të rezultojë i dështuar.
Ministrja bëri me dije se gjatë këtyre ditëve është punuar intensivisht për disa ndërhyrje të shpejta në Ligjin “Për Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë” i cili rregullon veprimtarinë e profesionisteve të shëndetësisë dhe përcakton parime, standarde e kritere për aktivitetin e bluzave të bardha.
“Prandaj kemi vendosur se hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkatës do të përfundojë procesin e autonomisë dhe me marrjen e autonomisë kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar. Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojnë në klinika private, si edhe ata që do të duan ta bëjnë këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar”, tha ajo.
Gjithashtu, ministrja theksoi se do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty.
“Kjo është një praktikë e toleruar përgjatë gjithë këtyre viteve pas ndryshimit të sistemit dhe e zgjatur nga fakti se vetëm kjo shumicë qeverisëse vendosi të ndërmarrë reformën rrënjësore të autonomisë spitalore, e cila dihet botërisht se kërkon disa vite edhe në kushte shumë më normale se sa kushtet skandaloze të shëndetësisë e të spitaleve deri përpara 10 vjetësh”, u shpreh Koçiu.
Ajo pohoi se së shpejti QSUT dhe 12 spitale te tjera do të marrin autonominë e plotë pas plotësimit të kushteve të mbetura.
Më tej, ministrja Koçiu deklaroi se “kemi propozuar që mjekët të cilët kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtues të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë. Një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku i është dhënë një përgjegjësi drejtimi”.
Ajo nënvizoi se historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor.
Sa i përket ndryshimeve ligjore për procedimin disiplinor të cilat do të ashpërsohen ligjërisht si pjesë e kësaj pakete ndërhyrjesh, Koçiu bëri me dije se kanë propozuar krijimin e një komisioni të vetëm shtetëror disiplinor me 5 anëtarë dhe një Komision Apelimi.
Ritheksoj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me transparencë mbështet hetimet e nisura, si dhe po ndërmerr e do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, për të ndryshuar kornizën ligjore dhe vendosur meritokracitë plotë në sistemin tonë shëndetësor.
Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë, Koçiu tha se “përballë kësaj “kryqëzate politike”, rasti i Onkologjikut nuk mundet kurrsesi të zhbëjë punët e jashtëzakonshme që janë kryer në QSUT dhe në të gjithë sistemin tonë shëndetësor”
“Vetëm në QSUT janë realizuar mbi 100 milionë euro investime në këto vite dhe është bërë e mundur që Spitali Onkologjik të jetë shumë më i mirëpajisur dhe i mirëfurnizuar se më parë. Buxheti ynë për kimioterapitë është katërfishuar, duke minimizuar në maksimum rastet e vonesave apo pamundësisë për të ofruar kurim në spitalin publik. Gjithashtu, akseleratorët e rinj, meqë po vihet nën hetim Onkologjiku, kanë bërë diçka të jashtëzakonshme: Kanë shkurtuar listën e pritjes për marrjen e trajtimit me radioterapi nga 3 muaj në kohën tuaj, në dy-tre javë që është edhe periudha optimale e rekomanduar dhe që është që është një kohë pritje më e shkurtër se mesatarja evropiane”, deklaroi ajo.
Duke u ndalur në shifra konkrete, ministrja Koçiu deklaroi se “350 mijë shërbime ambulatore në 365 ditë ka viti. 350 mijë shërbime ambulatore janë bërë në QSUT nga 100 mijë që bëheshin ashtu si bëheshin, me ato kushte që bëheshin mes kaosit dhe mes gjithë mangësive të mëdha që ju i dini më mirë se unë deri dekadën e mëparshme”.
Ajo tha se në këtë qendër spitalore janë kryer 1.8 milionë analiza laboratorike të certifikuara me standarde të cilësisë dhe me një gamë analizash të dyfishuar.
“Reparti ditor në Onkologjik dhe investimet në Depon Qendrore të Barnave ka ofruar një standard të ri për qytetarët që kryejnë seancat e kimioterapisë, si dhe ka garantuar përgatitjen e medikamenteve pranë kapave (aparaturave të specializuara), dhe jo më në mënyrë manuale siç kryej disa vite më parë”, pohoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Gjithashtu, vijoi ajo, janë shtuar punktet e kimioterapive në spitalet rajonale të Durrësit, Elbasanit, Fierit, Beratit, Lezhës, Shkodrës, duke synuar një shërbim më afër pacienteve me diagnoza malinje.
Ministrja nënvizoi se programet parandaluese për depistimin apo identifikimin e hershëm, të tumoreve të gjirit, qafës së mitrës, por jo vetëm, kanë rritur numrin e tumoreve të diagnostikuara në stade të hershme e rrjedhimisht, edhe numrin e tumoreve të kuruar plotësisht.
“Janë me qindra qytetarë, në vit, që me kushtet e mëparshme të shëndetësisë shqiptare sot nuk do të ishin mes nesh. Si është bërë e mundur kjo? Falë investimeve rekord. Falë rritjes së mbulimit universal. Falë ofrimit të trajtimit jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë spitalet e tjera të mëdha të vendit. Falë blerjes së pajisjeve moderne dhe sigurimit të barnave jetëshpëtuese. Është bërë e mundur gjithashtu falë atyre mjekëve, e këtu nuk flas për ata mjekë të vendosur nën akuzë, por për armatën prej më shumë se 20 mijë bluza të bardha mbi të cilën ju sot hidhni baltë”, deklaroi Koçiu.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inkurajoi “organet ligjzbatuese të veprojnë pa hezitim dhe me ashpërsinë më të fortë të ligjit për këdo që abuzon me statusin e shenjtë të mjekut dhe me jetën e shëndetin e çdo qytetari të Republikës. Ne do vazhdojmë të sensibilizojmë publikun dhe qytetarët së pari për të dekurajuar ryshfetin dhe së dyti për të inkurajuar denoncimin ndaj çdo akti korruptiv brenda dyerve të çdo institucioni shëndetësor”.
“S’ka çfarë më duhet më jeta”- Gjyshi i Martin Canit flet nga protesta: Duam vetëm drejtësi
Gjyshi Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra nga bashkëmoshatari i tij më 18 nëntor pranë shkollës Fan Noli, ka folur...