Është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë dosja për shqyrtimin e rekursit të bërë nga Luzim Basha kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila i dha logon dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës.
Rekursi është paraqitur më datën 23 korrik nga avokati Indrit Sefa dhe ditën e sotme (29 Korrik) dosja u dërgua për shqyrtim rekursi në Gjykatën e Lartë.
Njoftimi i Gjykatës:
Në vijim të komunikimeve mbi veprimtarinë e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju njoftojmë se:
Më datë 23.07.2024, është paraqitur rekurs nga përfaqesuesi ligjor i Partisë Demokratike, av. Indrit Sefa, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm nr. 723, datë 11.06.2024.
Pas kryerjes së veprimeve administrative (komunikimit te rekursit), sot më datë 29.07.2024, dosja u dërgua për shqyrtim rekursi në Gjykatën e Lartë.
Apeli i dha vulën Berishës
Trupa gjykuese e Gjykatës së Apelit më datë 11 qeshor vendosi të mos pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt duke lënë në fuqi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.
Vendimi i trupës gjykuese, i cili përbëhej nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro, është i formës së prerë duke i dhënë fund pas 3 vitesh betejës ligjores në dyert e gjykatës për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Por Basha e ka konsideruar një veprim skandaloz dhe është shprehur se “nuk do lejojmë që padrejtësia të triumfojë”.
“Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, depozitoi sot rekursin ndaj vendimit skandaloz të 11 qershorit.
Ne nuk e pranojmë paligjshmërinë, as nuk do lejojmë që padrejtësia të triumfojë.
Vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen në pazarin e hallexhinjëve të SPAK, partia e parë properëndimore e Shqipërisë nuk mund të jetë streha e problemeve personale të një individi në konflikt me perëndimin, votat e demokratëve nuk mund të përdoren për allishverishet mes qeverisë dhe teatëropozitës për t’i dhuruar pushtetin në tavolinë Ramës, duke mbyllur listat dhe duke shkatërruar Reformën Zgjedhore”, tha Basha pas depozitimit të rekursit.
Gafa juridike e Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt
Më 19 korrik u zbardh vendimi i Gjykatës së Apelit që i dha të drejtën e vulës dhe logos, Sali Berishës dhe rrëzoi ankimin e bërë nga Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.
Gjykata e Apelit konstatoi pavlefshmërinë e ankimit të bërë nga Enkelejd Aliebaj, i cili në dokumentetin e gjykatës firmosur kërkesën si kryetari i Partisë Demokratike.
Por gjykata ne analizen e saj zbulon se Enkelejd Alibeaj kishte marrë detyrën si kryetar me një autorizim të lëshuar nga Lulzim Basha në vitin 2021, ndërkohë që pas dorëheqjes publike te Bashës nga posti i kryetarit te PD, ne vitin 2022, ky akt ishte pa asnjë vlerë.
“Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z. Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qenë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim””, thuhet ne argumentin e gjykatës së Apelit.
BERISHA DHE RITHEMELIMI
Duket se kjo gafe juridike i ka kushtuar Lulzim Bashës postin e kryetarit te partise me te madhe te opozites, duke bere te mundur qe Gjykata e Apelit, te legjitimoje si kryetar te PD-se, Sali Berishen dhe Komisionin e Rithemelimit.
” Përsa i përket legjitimimit procedurial të palës kërkuese, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, si përfaqësues i PDSH-së. Në nenin 442/b KPC është parashikuar kuptimi i rekursit dhe në këtë nen thuhet: “Rekursi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod”.
Gjykata e apelit vlerëson se në kushtet kur Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim rekursin e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit duke u shprehur për plotësimin e kushteve formale për paraqitjen e rekursit sipas nenit 474, 475 e 476 të K.Pr.Civile si dhe ekzistencën e shkaqeve ligjore për rekurs sipas nenit 472 të K.Pr.Civile, ka legjitimuar Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit si organ përfaqësues të subjektit juridik PDSH, duke i njohur në këtë mënyrë të drejtën që t’i drejtohet gjykatës së shkallës së parë me kërkesë për rregjistrimin e ndryshimeve statutore, dhe në varësi të vendimarrjes së gjykatave më të ulëta të ushtroj mjetet e ankimit, sikurse rekursi në rastin konkret.
Pra kërkesa është paraqitur nga një subjekt i cili gëzon legjitimitet procedural për paraqitjen e kërkesës, si kusht i domosdoshme për të ushtruar të drejtat procedurale në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor”, thekson vendimi i Apelit.
PJESE NGA DOKUNENTI
“Gjykata analizon elementët formal të ankimit, gjykata konstaton se ankimi është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e përfaqësuesit me autorizim të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Autorizimi/Akti i Përfaqësimit i datës 15.09.2021, lëshuar nga Kryetari i PDSH-së për zotin Alibeaj, i ka dhënë këtij të fundit tagra të përgjithshme përfaqësimi të subjektit politik PDSH në të gjitha proceset gjyqësore.
Ankimi kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2023 është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, si përfaqësues me autorizim i kryetarit të PDSH-së. Bashkëngjitur ankimit është dhe autorizimi i datës 15.09.2021 i lëshuar nga z. Lulzim Basha. Gjykata e apelit vlerëson se autorizimi i datës 15.09.2021, nuk ka pasur efekte juridike pas datës 21.03.2022, kur z.Lulzim Basha ka hequr dorë publikisht nga funksioni i kryetarit të PDSH-së. Në këto kushte përfaqësuesi i tij, z.Enkelejd Alibeaj, nuk ka patur tagrin për të hartuar e nënshkruar ankimin e datës 04.04.2022 për këtë çështje.
Gjykata e apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimmarrëse në procesin zgjedhor.
Sipas vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të KAS të lënë në fuqi me vendimin nr.5 datë 27.03.2023 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, PDSH është përfaqësuar në zgjedhjet vendore të vitit 2023 me nën/kryetar z. Enkelejd Alibeaj, për shkak se është pranuar që kryetari z.Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje në datë 21.03.2022. Nga këto akte provuese, provohet se z. Lulëzim Basha nuk ka qenë organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, në momentin e regjistrimit të ankimit 04.04.2022, pasi është njohur dorëheqja e tij në datë 21.03.2022.
Autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Në rastin e autorizimit prokurës së lëshuar nga personi juridik, nënshkruesi i saj nuk delegon tagra personale por tagra që lidhen ekskluzivisht me detyrën apo pozicionin përkatës. Efektet juridike të autorizimit apo vlefshmëria e tij mbaron automatikisht me mbarimin apo humbjen e kompetencave të personit nënshkrues të autorizimit.
Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z. Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qenë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”.
Në kushtet kur përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë pas mbarimit të efekteve juridike të autorizimit, ankimi/apeli i paraqitur nga ky përfaqësues konsiderohet si ankim i bërë nga një person që nuk legjitimohet, si përfaqësues pa tagra.
Për sa më sipër, Gjykata e apelit vlerëson se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj nuk plotëson parakushtet formale-procedurale për shqyrtimin e tij, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim dhe si i tillë në bazë të nenit 450/ç të KPC, i ndryshuar, nuk duhet të pranohet.
Përsa i përket vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të gjyqtarit të vetëm të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është pranuar ankimi objekt i këtij gjykimi. Gjykata e apelit çmon se në momentin që gjyqtari i vetëm ka vendosur “pranimin e ankimit”, gjykata rishikuese e cila ka në kompetencë funksionale që të bëjë shqyrtimin e këtij mjeti ankimi, pra që të vlerësojë shkaqet e parashtruara në mjetin e ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), nuk është e lidhur detyrimisht me vullnetin e gjyqtarit të vetëm, por ka detyrimin që të vlerësojë në mënyrë të pavarur dhe kryesisht plotësimin e kushteve dhe kritereve formale të mjetit të ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), sipas nenit 450 të KPC.
Ky qëndrim, është i bazuar në përcaktimet e nenit 450, pika 3 të KPC, në të cilin është parashikuar shprehimisht se: “Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi”.”, thuhet në vendimin e Apelit për logon e PD.
******
DOKUMENTI I PLOTË
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E APELIT TË JURDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM
TIRANË
Nr.Regj.Themeltar 524 Nr. Vendimi 723
Data e regjistrimit 19.03.2024 Data e vendimit 11.06.2024
V E N D I M
“NË EMËR TË REPUBLIKËS”
Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit të Jurdiksionit të Përgjithshëm, i përbërë nga gjyqtarët:
Kryesues: Alma AHMETI
Anëtar: Elona TORO
Anëtar: Iliba BEZATI
dhe sekretare gjyqësore Remila Mema, në Tiranë, sot më 11.06.2024, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, në shkallë të dytë, çështjen civile Nr.Regj.Themeltar 524, që i përket palëve:
KËRKUES: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm Rithemelimit, përfaqësuar në gjykim sipas autorizimit nr.01, datë 13.12.2021, nga av.Ivi Kaso, av.Oerd Bylikbashi dhe av.Ledina Mandia.
OBJEKTI: Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.
BAZA LIGJORE: Neni 9 e vijues të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 (i ndryshuar).
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 3, datë 25.03.2022, ka vendosur:
- Pranimin e kërkesën së palës kërkuese, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit:
- Depozitimin e vendimeve të Kuvendit të PDSH duke rregjistruar ndryshimet përkatës në regjistrin e partive politike:
- Vendimin nr. 1, datë 11.12.2021, me anekset bashkëlidhur Statutin e Partisë Demokratike, të Kuvendit Kombëtar të Partisë;
- Vendimin nr. 2, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
- Vendimin nr. 3, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
- Vendimin nr. 4, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
- Vendimin nr. 5, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
- Vendimin nr. 6, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
- Vendimin nr. 7, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Kundër vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ushtruar ankim përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, i cili, ka evidentuar këto shkaqe:
- Vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe në prova.
- Partia Demokratike legjitimohet në cilësinë e ankuesit, për të paraqitur ankim ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në të dyja aspektet e legjitimimit, si nga ana substanciale dhe nga ajo procedurale.
- Vendimi nr.3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është në kundërshtim me nenet 193 dhe 392 të Kodit të Procedurës Civile.
- Vendimi nr.3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është në kundërshtim me shkronjën “a” të nenit 297 dhe nenin 298 të Kodit të Procedurës Civile.
- Vendimi nr.3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është në kundërshtim me nenet 9 dhe 46 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike” i ndryshuar.
- Vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë vjen në interpretim të gabuar të dispozitave të Statutit të PDSH, si dhe në injorim të organeve vendimmarrëse të partisë, të regjistruar nga vetë gjykata. Vendimi në kundërshtim me ligjin konsideron një tubim të thirrur jashtë rregullave të Statutit si mbledhje të organeve të partisë që sjell efekte ligjore në organizimin dhe funksionimin e partisë.
- Vendimi i gjykatës së shkallës së parë, ka anashkaluar provat, duke konsideruar mbledhje të Kuvendit Kombëtar të PDSH, një tubim të organizuar nga persona të caktuar jashtë institucioneve të Partisë.
- Konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një numër anëtarësh/delegatësh më i madh se 1/4 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, nuk mbështetet në ligj, statut dhe në prova.
- Vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka anashkaluar rregullat procedurale statutore për miratimin e ndryshimeve në Statut dhe që janë të domosdoshme për të vendosur regjistrimin e tyre në gjykatë.
- Gjykata ka anashkaluar qëndrimin e institucioneve më të larta të partisë, mbi pretendimin se në 11 Dhjetor 2021 është mbajtur një tubim dhe jo mbledhje e Kuvendit Kombëtar të PDSH, që krijon provën e mjaftueshme, se jemi përpara një konflikti, që nuk mund të zgjidhet në një proces gjyqësor vërtetimi fakti.
Kundër këtij ankim, ka ushtruar apel kundërshtues Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, duke evidentuar këto shkaqe:
- Ankuesi nuk legjitimohet të paraqesë ankim ndaj vendimit nr.3, datë 25.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
- Ankimi i paraqitur dhe nënshkruar nga deputeti Enkelejd Alibeaj nuk duhet të ishte pranuar për shqyrtim, duke u vendosur “mospranimi i ankimit” sipas nenit 450 të KPC, për shkaqet e mëposhtme:
- Ankimi nuk përmbush kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në ligj.
- Personi që ka paraqitur ankimin nuk është palë në proces në kuptim të ligjit dhe as nuk është përfaqësues legjitim i ndonjë pale në procesin e shqyrtimit të kërkesës. Ligji procedural parashikon qartë se çfarë është ankimi dhe kush është pozita procedurale që duhet të ketë një palë për të ushtruar të drejtën e ankimit. Konkretisht në nenin 442/a të KPC, parashikohen qartësisht kriteret minimale për ushtrimin e të drejtës së ankimit.
- Në vendimin objekt ankimi palë kërkuese është vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit. Kjo palë, pasi është njohur me arsyetimin e vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 29.03.2022, nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar i ka komunikuar gjykatës shkresërisht vullnetin për të hequr dorë nga ankimi ndaj këtij vendimi, për shkak se gjykata ka pranuar plotësisht kërkesën e parashtruar asaj.
- Nga përmbajtja e Vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton se në shqyrtimin e kësaj kërkese nuk ka pasur palë të tjera me çfarëdo cilësie procedurale. Në rastin e personave juridikë, palë konsiderohet vetëm ky i fundit, kur organet përfaqësuese të tij vendosin të veprojnë ne emër dhe për llogari të tij. Nuk mund të konsiderohen pale, në kuptim të ligjit, persona sporadike brenda personave juridikë, të cilët pa pasur asnjë kompetencë dhe tagër përfaqësimi të personit juridik vendosin të ndërmarrin aksione dhe veprime juridike në emër dhe për llogari të personit juridik.
- Komisionit të Rithemelimit legjitimohet në kërkesën e paraqitur, pasi ai përfaqëson organin më të lartë drejtues të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe është mandatuar si i tillë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 11.12.2021.
- Praktika gjyqësore është mëse e konsoliduar në pranimin e argumenteve të parashtruar me sipër. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, ka mbajtur një qëndrim të qartë lidhur jo vetëm mbi çfarë duhet të verifikojë gjykata që ka dhënë vendimin, në rastet kur duhet të disponojë mbi pranueshmërinë e ankimit apo mospranimit të tij, por ka dhënë edhe kritere të qarta se si duhet të procedojë gjykata në këto raste (shiko vendimin nr. 11243-00155-00-2021 regj. themeltar, Nr. 00-2021-455 vendimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).
- Në verifikimin e legjitimitetit te ankuesit gjykata verifikon vetëm legjitimitetin procedural të palës ankuese, pra faktin nëse pala ka qenë apo jo pjesëmarrëse në proces dhe nuk konsideron asnjë pretendim lidhur me legjitimitetin eventual substancial, pasi ky i fundit është vetëm tagër i gjykatës që jep vendimin dhe i gjykatës më të lartë rishikuese.
- Nga përmbajtja e ankimit rezulton se deputeti Alibeaj ngre pretendimin se Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur një kërkesë në sekretarinë gjyqësore me nr. 168/1 Prot., datë 22.12.2021, drejtuar Gjykatës që po shqyrtonte çështjen civile, me të cilën kanë kërkuar pushimin e gjykimit. Ky pretendim në lidhje me legjitimitetin është antiligjor në kuptimin e njohjes dhe zbatimit të standarteve minimale procedurale.
- I njëjti standart është mbajtur edhe në gjykimin për regjistrimin e ndryshimeve statutore të PDSH të Korrik 2021, kur në vendimin për caktimin e seancës gjyqësore lidhur me kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë për të regjistruar Statutin dhe vendimmarrjet e Kuvendit Kombëtar të Korrikut 2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i është referuar kërkesës së paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit me objekt “pushimin e gjykimit” duke mos e marrë në shqyrtim atë dhe duke mos e referuar në vendimin përfundimtar pikërisht si rrjedhojë e mungesës së cilësisë procedurale.
- Për këtë arsye, edhe në këtë rast gjykata duhet të mbajë të njëjtin standart, në të njëjtin rast identik, duke mos e legjitimuar z. Alibeaj në paraqitjen e ankimit.
- Ankimi i paraqitur ndaj vendimit të shkallës së parë është nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj, me cilësinë e nënkryetarit të PDSH. Ankuesi ka pretenduar se legjitimohet në përfaqësimin e Partisë Demokratike, duke ju referuar statutit të PDSH të datës 17 Korrik 2021, statut ky, i cili nuk ka marrë fuqi juridike, pasi vendimi i gjykatës me nr. 2, datë 18.03.2022 është ankimuar nga pala e interesuar. Në këtë kuptim është i paqartë cilësia e ankuesit në raport me Partinë Demokratike.
- Sipas nenit 46 të Statutit të 17 korrik 2021, PDSH përfaqësohet nga kryetari i saj dhe në kushtet e mungesës së zgjatur ose dorëheqjes së tij, nga njëri nga nënkryetarët, i cili, komandohet në drejtim të Partisë nga Këshilli Kombëtar. Është fakt publik që ish-Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha ka dhënë publikisht dorëheqjen nga pozicioni i Kryetarit të Partisë Demokratike. Edhe sikur statuti i PDSH të mos ishte ndryshuar rrënjësisht në datën 11.12.2021, në rastin konkret, z.Alibeaj nuk është komanduar asnjëherë në pozicionin drejtues të Partisë nga Këshilli Kombëtar.
- Ankuesi nuk disponon dhe as i vë në dispozicion gjykatës ndonjë provë dokumentare në se është “komanduar” si kryetar partisë në përputhje me statutin e PDSH, pavarësisht faktit se ai është shkarkuar nga detyra nga Kuvendi Kombëtar i PDSH i datës 11/12/2021.
- I vetmi organ legjitim për përfaqësimin e PDSH në raport me të tretët është Komisioni i Rithemelimit miratuar në Kuvendin Kombëtar të datës 11.12.2021, por edhe në rastin që ky organ të mos ekzistonte ose të mos njihej ligjërisht, PDSH do të ishte në vakum ligjor për përfaqësimin me palët e treta si rrjedhojë e dorëheqjes së kryetarit dhe mos-mandatimit të një kryetari të ri ad interim nga Këshilli Kombëtar.
- Përsa më sipër, ankimi rezulton i firmosur nga një person, i cili nuk gëzon absolutisht tagra përfaqësimi të PDSH, me asnjë nga statutet e fundit të saj, as ai objekt i vendimmarrjes nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, as statuti i 17 korrikut 2021, paraardhës i statutit në fuqi të PDSH.
- Përfundimisht, kërkojnë: “Mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukrin”.
Në këto rrethana, është shqyrtuar kërkesa ankimore e palës dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 508 Regj. Them., datë 22.04.2022, ka vendosur:
- Pranimin ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit nr. 508 Regj.Them., datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë(vendim për disponim ankimi), ka ushtruar ankim të veçantë, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
Mbi ankimet si më sipër, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023, ka vendosur:
- Mospranimin e ankimit të ankuesit Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të ushtruar ndaj vendimit nr. 508 regj them, datë vendimi 22.04.2022 me objekt “Disponim ankimi” të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si vendim ndaj të cilit nuk lejohet ankim.
- Prishjen e vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
- Kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Kundër vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar të drejtën e rekursit pala kërkuese në këtë gjykim, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit
Gjykata e Lartë me vendimin nr. 5377(786), datë 27.12.2023, ka vendosur:
- Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues”.
GJYKATA E APELIT TË JURDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM,
- pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit të çështjes Alma Ahmeti;
- dëgjoi përfaqësuesit e palës ankuese av.Indrit Sefa e av.Rezart Kthupi, të cilët kërkuan: “Prishjen e vendimit nr.3, datë 25.03.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pushimin e gjykimit”.
- Përfaqësuesin e palës kërkuese Komisioni i Përkohshëm i Rithemelitmit, av.Ivi Kaso, i cili kërkoi: “Mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”;
- si shqyrtoi çështjen në tërësi,
VËREN:
- Rrethanat e çështjes.
Gjykata e Apelit të Jurdiksionit të Përgjithshëm është vënë në lëvizje për shqyrtimin e çështjes mbi ankimin e paraqitur me autorizim nga z. Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nga aktet e dosjes rezulton se: Partia Demokratike e Shqipërisë është krijuar sipas Urdhrit nr. 12, datë 19.12.1990 të Ministrit të Drejtësisë.
Në datën 11.12.2021, është zhvilluar Kuvendi i Partisë Demokratike, i cili, është thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit dhe në rastin konkret nga 4,200 (të pranishëm në Kuvend 4,935) delegatë me firmë. Nga zhvillimi i këtij Kuvendi, është krijuar Komisioni i Rithemelimit, si dhe janë marrë një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Bazuar në përcaktimet e ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”, i ndryshuar, Komisioni i Rithemelimit i është drejtuar në datën 16.12.2021, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me kërkesën objekt shqyrtimi, duke kërkuar që të regjistrojë ndryshimet statusore që i janë bërë statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë nga Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të kësaj partie.
Po kështu, nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, ka rezultuar i provuar fakti se, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga z. Lulzim Basha, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë për depozitimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.07.2021.
Gjatë shqyrtimit të mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, pra kërkesës së paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, gjykata ka kërkuar nga sekretaria gjyqësore ti vihet në dispozicion praktika e dosjes së regjistrimit fillestar të Partisë Demokratike, konkretisht dosjen e regjistruar me Urdhrin nr. 12, datë 19.12.1990 të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë, kjo dosje ka rezultuar se është tërhequr në datën 20.12.2021 nga një tjetër gjyqtar i kësaj gjykate, gjyqtari që kishte për shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfaqësuar nga z. Lulzim Basha, për depozitimin e ndryshimeve statusore të datës 17.07.2021.
Nga ana tjetër, lidhur me çështjen objekt shqyrtimi, rezulton se Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Lulzim Basha ka paraqitur para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkesën me nr. 168 prot., datë 21.12.2021, me objekt “Përjashtimin nga gjykimi i kësaj çështje të gjyqtarit Agron Zhukri”.
Gjithashtu, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Lulzim Basha ka paraqitur kërkesën me nr. 168/1 prot., datë 21.12.2021, duke i bërë prezent Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe konkretisht gjyqtarit Agron Zhukri, ndër të tjera se: “…për sa referuam më sipër një grup personash që i janë drejtuar gjykatës nuk kanë asnjë tagër përfaqësimi si persona të autorizuar për të përfaqësuar PDSH-në dhe për të bërë kërkesa të tilla. Rrjedhimisht kjo kërkesë nuk duhet të merret në shqyrtim nga ana e kësaj gjykate, pasi kërkuesi nuk ka legjitimitet aktiv. Gjithashtu, kjo kërkesë është nga ato kërkesa që gjykohen pa prezencën e palëve dhe ndjekin të njëjtën procedurë me atë të gjykimit të posaçëm të vërtetimit të faktit, pasi gjykata vihet në lëvizje vetëm me kërkesë. Në këto kushte, gjykata duhet ti referohet nenit 392 të KPC… Për sa më sipër si dhe në zbatim të nenit 7 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, ndalohet regjistrimi i një partie në rastet kur me të njëjtin emërtim është regjistruar një parti tjetër. Duke qenë se dispozitat ligjore të referuara më lartë, ju ndalojnë të merrni në shqyrtim këtë kërkesë, kërkojmë nga ana juaj që të vendosni pushimin e saj si një kërkesë e pabazuar në ligj. Nëse ky grupim personash, pretendojnë cenimin e të drejtave ligjore dhe procedurale, ata do të duhet ti drejtohen gjykatës me padi themeli, me anë të së cilës të kërkojnë rivendosjen e të drejtave të pretenduara në një proces të rregullt ligjor. …është konfirmuar se Kuvendi Kombëtar i Partisë demokratike zhvillohet në datën 18 Dhjetor dhe se çdo grumbullim tjetër nuk ka asnjë lidhje me mbledhjen e organeve të Partisë Demokratike…”.
Në datë 28.12.2021, gjykata është njoftuar për depozitimin e Kërkesës nr. 168/2 Prot., datë 24.12.2021 të PDSH-së, përfaqësuar nga z. Lulzim Basha, me objekt përjashtimin e gjyqtarit A.Zh nga shqyrtimi i çështjes.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 04.02.2022, nuk ka pranuar këtë kërkesë duke arsyetuar se” “…Kërkuesi Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Kryetari i PDSH-së z. Lulzim Basha nuk është palë në procesin civil nr. 1346/2021 ku si palë kërkuese në këtë proces është Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD, për pasojë nuk legjitimohet në ngritjen e kësaj kërkese për përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri, nga shqyrtimi i çështjes nr.1346/2021. Kundër vendimit lejohet të bëhet ankim sipas ligjit”.
Pas vendimit për mospërjashtimin e gjyqtarit, gjykata, në vazhdim të veprimeve për shqyrtimin e kërkesës, ka verifikuar në sistemin elektronik të Gjykatës së Tiranës ecurinë e shqyrtimit të kërkesës të PDSH-së nga gjyqtari tjetër i kësaj gjykate (konkretisht gjyqtare B. Muça), e cila kishte caktuar datën 15.02.2022 për zhvillimin e seancës gjyqësore, seancë e cila ka rezultuar të jetë shtyrë për në datë 18.03.2022.
Në këto kushte e me qëllim respektimin e afatit 30 ditor, Gjykata, në Dhomë Këshillimi, kryesisht, ka vendosur “pezullimin e gjykimit të çështjes deri në përfundimin e çështjes nga gjyqtari tjetër dhe tërheqjen e dosjes së regjistrimit fillestar të Partisë Demokratike”.
Rezulton se me vendimin nr. 2, datë 18.03.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka përfunduar gjykimi i çështjes shkak pezullimi duke u vendosur: “Pranimi i kërkesës së palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Depozitimin e statutit të vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë i datës 17.07.2021. Kundër këtij vendimi bëhet ankim sipas ligjit”.
Rezulton gjithashtu se në datën 24.04.2022, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Av.Indrit Sefa, ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit nr.2, datë 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke pretenduar: “a) prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues; ose b) ndryshimin e vendimit. Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.07.2021. Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë demokratike të Shqipërisë të kryera në Kuvendin Kombëtar të datës 18.12.2021”.
Ndërkohë, në çështjen objekt shqyrtimi, Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka paraqitur kërkesën e datës 23.03.2022, referuar të nenit 298/2 të KPC, me qëllim vazhdimin e gjykimit.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ka marrë në shqyrtim kërkesën dhe referuar ne faktin e përfundimit të gjykimit dhe shpalljes së vendimit me nr. 2, datë 18.03.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur të “revokojë vendimin e pezullimit” dhe të caktojë seancën gjyqësore brenda një afati sa më të shkurtër me qëllim zbatimin (përsa ishte e mundur) të neneve 13 dhe 14 të Ligjit 8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”, i ndryshuar dhe konkretisht në datë 25.03.2022.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 3, datë 25.03.2022, ka vendosur:
– Pranimin e kërkesën së palës kërkuese, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit :
– Depozitimin e vendimeve të Kuvendit të PDSH duke rregjistruar ndryshimet përkatës në regjistrin e partive politike:
– Vendimin nr. 1, datë 11.12.2021, me anekset bashkëlidhur Statutin e Partisë Demokratike, të Kuvendit Kombëtar të Partisë;
– Vendimin nr. 2, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
– Vendimin nr. 3, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
– Vendimin nr. 4, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
– Vendimin nr. 5, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
– Vendimin nr. 6, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;
– Vendimin nr. 7, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Kjo gjykatë në mënyrë të përmbledhur ka arsyetuar ndër të tjera se: “…kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike, (nëpërmjet përfaqësuesit të saj të autorizuar) organ i cili cilësohet si organi i përkohshëm drejtues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, zgjedhur dhe miratuar nga vendimmarrjet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë të datës 11.12.2021. …Gjykata pasi kreu verifikimin e aspektit formal të akteve të përfaqësimit duke i gjetur ato të rregullta dhe në përputhje me ligjin procedural, ka vijuar shqyrtimin e çështjes. …në përputhje me dispozitat e ligjit “Për Partitë Politike”, neni 9, 10 e vijues, si dhe bazuar në praktikën gjyqësore të regjistrimeve të ndryshimeve në partitë politike.
Gjykata nuk ka rol aktiv në emërimin/ndryshimet apo shkarkimet e organeve drejtuese apo të zgjedhurve në partitë politike, por ushtron vetëm kontrollin formal të ligjshmërisë së ndryshimeve statutore dhe verifikimin e respektimit të kërkesave të ligjit apo të statutit në proceset vendimmarrëse të cilat pasqyrohen në regjistrin e partive politike. Thënë ndryshe, nuk është vendimi gjyqësor që u jep të drejtën organeve të partisë apo të emëruarve në postet partiake për të ushtruar funksionet e tyre, por gjykata kontrollon dhe certifikon a posteriori, të drejtën e tyre për të ushtruar kompetencat organike dhe statutore që nga momenti i kostituimit. …Bazuar në sa më sipër, në analizë të rastit objekt shqyrtimi, Komisioni i Rithemelimit legjitimohet në aspektin paraprak formal të paraqitjes së kërkesës dhe vënies në lëvizje të gjykatës si organ i zgjedhur dhe i emëruar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Legjitimimi substancial bëhet nga verifikimi material nga ana e gjykatës i ligjshmërisë dhe i respektimit të normave statutore në thirrjen, mbledhjen dhe vendimmarrjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021…. Rezulton nga materialet e depozituara në dosje, se një grup deputetësh dhe politikanësh të tjerë të Partisë Demokratike, në datën 10 Nëntor 2021 kanë depozituar në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD më shumë se 4200 formularë kërkesash të delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në orën 11.00. Kjo procedurë është zhvilluar në përputhje me pikën 2, të nenit 43 të Statutit të PDSH-së, në fuqi në momentin e thirrjes së Kuvendit Kombëtar, i cili parashikon qartësisht mbledhjen e organit më të lartë drejtues të Partisë Demokratike të Shqipërisë me kërkesë të një numri anëtarësh dhe delegatësh të Kuvendit Kombëtar më të madh se ¼ e gjithë përbërjes të tij. Në rastin konkret numri i formularëve të kërkesave të paraqitura (4200) e tejkalon ndjeshëm numrin e kërkesave të nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, i cili për shkak se përbëhet nga 7646 delegatë mund të thirret në mënyrë të ligjshme kur këtë e kërkojnë jo më pak se 1912 anëtarë të tij.
Gjykata për këtë qëllim administroi dhe vlerësoi provën nr. 24 bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022 …
Nga sa më sipër rezulton që nga pikëpamja procedurale dhe e përputhshmërisë së procedurave të aplikuara nga kërkuesit në raport me parashikimet e nenit 43 të statutit të Partisë Demokratike, procedura e ndjekur është në përputhje të plotë me parashikimet urdhëruese statutore, përsa i përket: 1) Numrit minimal të nevojshëm të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të cilët kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar;
2) Afatit kohor brenda të cilit duhet paraqitur kërkesa për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar;
3) Elementët minimalë të cilët duhet të përmbajë kërkesa për mbledhje të Kuvendit Kombëtar, si dita, ora, vendi, rendi i ditës…
Gjykata ka verifikuar edhe nëse shtetasit nënshkrues të thirrjes së Kuvendit Kombëtar përfshiheshin në listën emërore të funksionarëve të PDSH të cilët, në momentin e thirrjes së tij, përbënin listën e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Për këtë qëllim gjykata pasi administroi provat shkresore…, vërejti se listat bashkëngjitur këtyre dokumenteve përbëjnë listë të plotë zyrtare dhe të detajuar të shtetasve të cilët përbënin Kuvendin Kombëtar të PDSH, në momentin e thirrjes së tij nga anëtarësia…. Nga verifikimi i i kryer nëpërmjet krahasimit të emrave dhe funksioneve të nënshkruesve të thirrjes së Kuvendit Kombëtar me listat e sipërcituara rezulton se nënshkruesit e formularëve të kërkesave të thirrjes së Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021 janë anëtarë/delegatë të këtij organi, për shkak të funksionit që gjithsecili prej tyre mban.
Përsa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një numër anëtarësh/delegatësh më i madh se ¼ e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij. …Gjykata bazuar në aktet shkresore të paraqitura nga pala dhe të administruar në formën e kërkuar nga ligji, krijon bindjen se Kuvendi Kombëtar i PDSH është mbledhur në mënyrë të ligjshme dhe në ambientet e stadiumit “Air Albania”, ku janë zhvilluar punimet e tij, në pjesën e dedikuar të delegatëve të Kuvendit, kanë marrë pjesë 4935 delegatë, prezenca fizike e të cilëve ka bërë që Kuvendi të ketë kuorumin e nevojshëm që ky organ të konsiderohet i mbledhur dhe të mbajë punime e të marrë vendime në mënyrë të ligjshme në përputhje me dispozitat statutore. …Rezulton nga proces-verbali i mbledhjes se punimeve të Kuvendit Kombëtar, nga materiali i plotë filmik i punimeve të Kuvendit, si dhe nga provat e tjera shkresore, veçanërisht ato të administruara së bashku me vendimin nr.1, datë 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar, por edhe ato të provave nr.2, nr.6 dhe nr.7 të bashkangjitura kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022, se Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit, administroi një kërkesë të paraqitur në përputhje me nenet 43, dhe 60 të Statutit të PDSH-së…
Gjykata vlerëson se procedurat e ndjekura për propozimin dhe miratimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021, janë në përputhje të plotë me parashikimet statutore në fuqi në momentin e miratimit të tyre, dhe praktika dokumentare shoqëruese e këtyre vendimmarrjeve është e plotë dhe e pakontestueshme. Vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021 janë vendime të marra në përputhje të plotë me tagrin dhe kompetencat statutore të Kuvendit Kombëtar të PDSH, si organi më i lartë vendimmarrës i kësaj force politike dhe si të tilla ato duhet të regjistrohen në regjistrin e partive politike. Vendimet e mësipërme përcaktojnë edhe ndryshime thelbësore në formatimin dhe përbërjen e organeve qendrore drejtuese të PDSH dhe si të tilla përmbajtja e tyre duhet të reflektohet përkatësisht edhe në përbërjen e organeve qendrore drejtuese të PDSH të regjistruara në regjistrin e partive politike….”.
Kundër vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ushtruar të drejtën e ankimit përfaqësuesi me autorizim z. Enkelejd Alibeaj, për shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të vendimit.
Kundër ankimit të mësipërm ka paraqitur apel kundërshtues Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, për shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të vendimit.
Ankimi kundër vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 është shqyrtuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila me vendimin nr. 508 Regj. Them., datë 22.04.2022, ka vendosur:
“Pranimin ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Gjykata ka arsyetuar ndër të tjera se: “…Në zbatim të parimeve kushtetuese të reflektuara në përcaktimet e KPC, duke analizuar aktet e fashikullit gjyqësor, pjesë e të cilit është bërë dhe kërkesa si më sipër e Komisionit të Rithemelimit, Gjykata konstaton se ankimi në shqyrtim duhet të pranohet për sa vijon:
vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në dispozitivin e tij, ka përcaktuar mes të tjerash, edhe të drejtën e ushtrimit të ankimit ndaj këtij vendimi sipas ligjit.
Neni 15 i Ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”, i ndryshuar, përcakton afatin 15 ditor të ankimit ndaj vendimeve gjyqësore të regjistrimit të një subjekti politik dhe të pasqyrimit në regjistrin e posaçëm të ndryshimeve thelbësore që ky subjekt pëson si pasojë e vendimmarrjeve të organeve drejtuese më të larta të tij. Për këtë, vendimi ndaj të cilit është paraqitur ankimi në shqyrtim, është vendim i ankimueshëm për në Gjykatën e Apelit, brenda afatit 15 ditor.
Subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, ka pozitën procedurale të kërkuesit në kërkesën me objekt: “Depozitim i akteve dhe vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i datës 11.12.2021. Ky subjekt, rezulton të jetë i njëjti me subjektin që ka depozituar ankimin ndaj vendimit të dhenë nga Gjykata për pranimin e kërkesës. Pavarësisht përfaqësuesve të ndryshëm të tij. Brenda këtij kuadri, Gjykata vlerëson dhe pranon ekzistencën e interesit të ligjshëm të subjektit politik PDSH, në paraqitjen e ankimit, me qëllim ushtrimin dhe realizimin e të drejtës kushtetuese të kontrollit mbi ligjshmërinë e vendimmarrjes së gjykatës së shkallës së parë nga gjykata më e lartë.
Qëndrimi dhe kërkesa për pushimin e gjykimit, paraqitur përpara Gjykatës që ka dhënë vendimin nr. 3, datë 25.03.2022 nga PDSH, përfaqësuar nga Kryetari i saj z. Lulzim Basha, janë bërë pjesë e ankimit në shqyrtim, duke parashtruar në thelb të tyre pretendime mbi legjitimimin e përfaqësuesve të kërkuesit, si dhe mbi pabazueshmërinë në përcaktimet statutore në fuqi të thirrjes dhe organizimit (Kuvendit Kombëtar të këtij subjekti në datë 11.12.2021). Në vlerësim të kësaj Gjykate, edhe në këtë kuadër, interesi i ligjshëm i këtij subjekti politik, pavarësisht përfaqësuesve të paraqitur përpara gjykatës, është ai i ushtrimit të kontrollit të vendimmarrjes së shkallës së parë të gjykimit nga një gjykatë më e lartë, në drejtim të ligjshmërisë dhe bazueshmërisë në përcaktimet statutore në fuqi, të akteve dhe vendimeve të dala nga organi më i lartë vendimmarrës i Partisë.
Duke analizuar elementët formal të ankimit, Gjykata konstaton se ankimi është paraqitur brënda 15 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit. Ankimi është nënshkruar nga zoti Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Autorizimi/Akti i Përfaqësimit i datës 15.09.2021, lëshuar nga Kryetari i PDSH-së për zotin Alibeaj, i ka dhënë këtij të fundit tagra të përgjithshme përfaqësimi të subjektit politik PDSH në të gjitha proceset gjyqësore. Ky autorizim përmbush kushtet dhe kriteret e përcaktuara në paragrafin e dytë të nenit 72 të KPC. Po kështu, nënshkrimi i z.Alibeaj në ankimin në shqyrtim, shoqërohet me vulën e subjektit ankues, element ky i domosdoshëm në dhënien e fuqisë juridike akteve të një subjekti/personi juridik në një proces gjyqësor civil, i cili është i barazvlefshëm me fuqinë juridike të vërtetimit të nënshkrimit të individëve përpara noterit publik.
Verifikimi i ligjshmërisë së përfaqësuesve të subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë në cilësinë e kërkuesit dhe ankuesit, është në kompetencë funksionale të Gjykatës së Apelit Tiranë, në kuadër të shqyrtimit të Vendimit Nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në Dhomë Këshillimi, Gjykata vlerëson të pranueshëm ankimin e paraqitur ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili, pasi t’i komunikohet kërkuesit PDSH, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, së bashku me fashikullin e vendimit të mësipërm, duhet të përcillet pranë Gjykatës së Apelit Tiranë…”.
Kundër vendimit nr. 508 Regj.Them., datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ushtruar të drejtën e ankimit të veçantë, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, duke parashtruar këto shkaqe:
- Vendimi i dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për pranimin e ankimit është vendim i marrë në kundërshtim me ligjin.
- Pavarësisht se në këtë vendim, gjykata është shprehur se ndaj këtij vendimi lejohet ankim, pala ankuese po e ushtron këtë ankim sipas përcaktimeve të nenit 450 të KPC.
- Të drejtën e ankimit ndaj një vendimi gjyqësor nuk e njeh dhe as e ndalon gjyqtari, por e përcakton ligji. Në këtë rast, gjyqtarja e vetme, e cila ka pranuar ankimin, nuk ka bërë interpretim të saktë të nenit 450 dhe 452 të KPC.
- Para se gjykata te shprehej në lidhje me vendimin objekt ankimi, pala ankuese ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Blerina Muça, kërkesë e cila është rrëzuar me vendimin nr. 542, datë 19.04.2022 të gjyqtares Arjana Caco. Në kushtet kur ky vendim, kundërshtohet sëbashku me vendimin përfundimtar, me këtë ankim kjo palë kundërshton edhe këtë vendim me të cilin është konstatuar se gjyqtarja Blerina Muça nuk ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë së përcaktuar në nenin 72 të KPC.
- Shqyrtimi i çështjes për disponimin mbi mjetin e ankimit, e vendoste gjyqtaren Blerina Muça në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak se objekti i kërkesës lidhet ngushtësisht me çështjen për të cilën ajo kishte dhënë vendimin nr. 2, datë 18.03.2022, me të cilin kishte vendosur pranimin e kërkesës dhe regjistrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të të datës 27.07.2021.
- Referuar ankimit të paraqitur rezulton se argumenti kryesor i paraqitur është vendimmarrja e marrë në themel nga gjyqtarja Blerina Muça dhe interpretimi i pasojave ligjore të kësaj vendimmarrje në raport me vendimmarrjen e kundërshtuar të datës 25.03.2022 nga gjyqtari Agron Zhukri.
- Ndërthurja e këtyre proceseve, të cilat u zhvilluan paralelisht, është bërë objekt diskutimi dhe konflikti politik të njohura mediatikisht, ndaj edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet ti kishte përjashtuar të dy gjyqtarët e përfshirë në vendimmarrjet e mëparshme për të garantuar transparencën dhe objektivitetin e gjykimit në disponimin e ankimit.
- Po kështu, referuar nenit 72, pika 3 të KPC, në kushtet kur Komisioni i Rithemelimit ka në përbërje të tij dhe identifikohet në opinionin publik me z. Sali Berisha, i cili për një kohë të gjatë ka pasur shkëmbim të akuzave të ndërsjellta publike me bashkëshortin e gjyqtares Blerina Muça, kur ky i fundit ka mbajtur pozicione publike.
- Shkaqet e mësipërme, jo vetëm nuk janë pranuar, por ato as janë marrë në shqyrtim dhe as janë analizuar nga ana e gjyqtares Arjana Caco, duke e bërë vendimin e saj të paarsyetuar.
- Në lidhje me themelin e kundërshtimit të vendimit, rezulton se ankimi i paraqitur nuk përmbush kriteret e përcaktuara në ligj, pasi pala që e ka ushtruar atë nuk legjitimohet.
- Deputeti Enkelejd Alibeaj nuk legjitimohet që të ushtrojë ankim ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ky është një standard i mbajtur nga ana e kësaj gjykate edhe në raste të tjera të mëparshme të ngjashme.
- Deputeti Enkelejd Alibeaj ka pretenduar se e ka ushtruar të drejtën e ankimit në cilësinë e Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Republikës së Shqipërisë, cilësi të cilën ai e ka fituar nga ndryshimet statusore dhe organeve të krijuara në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 27.07.2021, ndryshime të cilat, po sipas këtij subjekti nuk kanë hyrë në fuqi, pasi vendimi me të cilën janë urdhëruar regjistrimi i këtyre ndryshimeve është ankimuar nga vetë ky subjekt. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk e ka mbajtur në konsideratë dhe madje as e ka evidentuar këtë fakt në vendimin e dhënë prej saj.
- Alibeaj nuk legjitimohej në paraqitjen e ankimit objekt shqyrtimi, pasi ai nuk gëzon tagra përfaqësimi të PDSH, me asnjë nga statutet e fundit të saj, as ai objekt i vendimmarrjes nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, as statuti i 17 korrikut 2021, paraardhës i statutit në fuqi të PDSH. Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka gabuar rëndë kur ka pranuar ankimin e paraqitur nga Deputeti Enkelejd Alibeaj, pasi ashtu sikurse arsyeton kjo gjykatë, ka rezultuar se autorizimi për z. Enkelejd Alibeaj është nënshkruar nga Kryetari i PDSH z. Lulzim Basha në datën 15.09.2021, ndërkohë që ankimi i paraqitur nga z.Alibeaj mban datën 04.04.2022, pra kohë në të cilën z.Basha kishte dhënë dorëheqjen nga kreu i PDSH. Konkretisht, z.Basha ka dhënë dorëheqjen në datën 21.03.2022.
- Çështja e legjitimimit të palës që ankohet ndaj vendimit nr.3, datë 25.03.2022, deputetit Alibeaj, lidhur me qenien pjesëmarrës më çfarëdo cilësie procedurale në procesin e regjistrimit të vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021 është zgjidhur me vendimin nr. 191, Regj. Temeltar, datë 04.02.2022, të gjyqtar Arben Kostandini, i cili rrëzon kërkesën e po kësaj pale për përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri, pasi këta të fundit nuk janë palë në proces dhe për pasojë nuk legjitimohen. Ky vendim përjashtimi nuk është ankimuar, për rrjedhojë është i formës së prerë dhe vetë ankuesi e ka pranuar duke mos e Pra praktikisht gjyqtarja Blerina Muça, me anë të vendimit objekt ankimi ka disponuar mbi një gjë të gjykuar,duke i dhënë një zgjidhje të ndryshme dhe për më tepër antiligjore.
- Pavarësisht se ky fakt, i është bërë me dije gjyqtares nga ana jonë, si dhe vendimi përkatës është ankimuar në dosjen gjyqësore të kësaj gjyqtareje, përsëri ja vetëm ky fakt nuk është marrë në konsideratë në dhënien e vendimit, por as është përmendur fare në të.
- Në rastin objekt shqyrtimi, gjykata ka denatyruar krejtësisht natyrën e një gjykimi të tillë që është mbi bazë kërkese, duke e kthyer këtë çështje në gjykim themeli, pa respektuar rregullat procedurale të gjykimit dhe vullnetin e palës që ka vënë në lëvizje gjykatën. Pra gjykata nga gjykimi për shqyrtimin e një kërkese, e ka kthyer gjykimin ne shqyrtimin e nje kerkesë-padie e cila nuk rezulton të jetë objekt gjykimi. Ky fakt është i paprecedent por edhe në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është gjykata ajo që dikton mënyrën se si i adreson një palë kërkesat e veta para saj dhe aq më pak të diktojë objektin e tyre. Ky eksluzivitet i përket vetëm palës/palëve të cilat i drejtohen gjykatës.
- Theksojmë këtu se jo vetëm ne si kërkues, por edhe pala e cila përfaqësohet nga deputeti Enkelejd Alibeaj, nuk ka pasur dhe as ka shprehur kurrë vullnetin për të bërë një gjyq themeli lidhur me legjitimitetin e organeve drejtuese te PDSH. Ajo palë ka pasur dijeni të plotë të procesit të regjistrimit të vendimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021 dhe kurrë nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për ndërhyrje në shqyrtimin e kërkesës dhe aq më pak të padi, duke kërkuar të bënin gjyq themeli.
Mbi ankimet si më sipër, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023, ka vendosur:
- Mospranimin e ankimit të ankuesit Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të ushtruar ndaj vendimit nr. 508 regj them, datë vendimi 22.04.2022 me objekt “Disponim ankimi” të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si vendim ndaj të cilit nuk lejohet ankim.
- Prishjen e vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
- Kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5(pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar”.
Gjykata e Apelit Tiranë, në mënyrë të përmbledhur ka arsyetuar se: “… lidhur me ankimin ndaj vendimit nr. 508 akti, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata vlerëson se ky ankim nuk duhet të pranohet…
- Nga vlerësimi sistematik i neneve 450, 450/a dhe 452 të KPC, Gjykata e Apelit konstaton se, vendimi për “pranimin e ankimit” i disponuar nga gjykata që ka dhënë vendimin, ndaj të cilit ushtrohet ankimi në bazë të kompetencës së njohur në nenin 450 të KPC., është vendim ndaj të cilit nuk mund të ushtrohet ankim i veçantë. Neni 450/2 i KPC ka njohur dhe lejuar ankimin e veçantë vetëm ndaj vendimit që disponon për “mospranimin e ankimit” në shkallë të parë. Ligjvënësi e ka bërë përjashtimin e ankimit të veçantë ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë për “pranimin e ankimit”, duke parashikuar në mënyrë të shprehur se në cilin rast lejohet ankim i veçantë, duke e lidhur atë shprehimisht vetëm me vendimin që ka vendosur “mospranimin e ankimit”. …”Mospranimi i ankimit” përbën disponim me natyrë vendimtare në drejtim të kufizimit të së drejtës së ankimit, disponim i cili, mbi të gjitha rezulton nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin, si i tillë ai do të duhet të rivlerësohet nga gjykata e juridiksionit më lart, si një garanci kjo për proces të rregullt ligjor dhe specifikisht për të garantuar të drejtën kushtetuese, konventore dhe ligjore të ankimit kundrejt mundësisë së kufizimit të padrejtë të saj (neni 43 i Kushtetutës, neni 13 i KEDNJ-së).
Vendimi për “pranim ankimi” është vendimmarrje, e cila në raport me të drejtën kushtetuese dhe konventore të ankimit, nuk passjell kufizimin e saj, përkundrazi efekt juridik i drejtpërdrejtë i këtij vendimi, është fitimi i juridiksionit kontrollues nga një gjykatë më e lartë ndaj vendimit gjyqësor të themelit, kontroll ky pjesë e të cilit është edhe ri-vlerësimi i pranueshmërisë së ankimit po sipas rrethanave dhe kushteve ligjore që renditen në nenin 450/1 të KPC., vlerësim pa të cilin nuk mund të vijohet me shqyrtimin në themel të ankimit dhe shkaqeve ligjore në përmbajtje të tij nga gjykata e apelit. …
Vendimi i gjykatës së shkallës së parë për “pranim ankimi” apo shprehur ndryshe alternativisht “lejim ankimi”, nuk ka efektin “gjë e gjykuar” sipas nenit 451/a të KPC, në lidhje me sa është disponuar në të, kundrejt vlerësimit ligjor që gjykata e apelit mund të bëjë në lidhje me pranueshmërinë e ankimit…. Për shkak të fushës së kufizuar të efekteve juridike që passjell vendimi i gjykatës së shkallës së parë për “pranimin e ankimit”, ky vendim nuk është parashikuar nga ligjvënësi në Kod si vendimmarrje, e cila në vetvete do t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor posaçërisht nga gjykata e apelit, pra nuk është parashikuar si vendimmarrje e ankimueshme… Si i tillë vendimi për “pranimin e ankimit” ka tiparet e një vendimi të ndërmjetëm të një lloji të veçantë. Gjykata e apelit mund të disponojë ndryshe prej tij, po sipas nenit 450/1 të KPC dhe në këtë rast vendimi i gjykatës së apelit është vendimtar në pasojat juridike që sjell ndaj së drejtës së ankimit, pa qenë nevoja të kontrollojë dhe të bëjë objekt vlerësimi dhe disponimi të saj vendimin e gjykatës së shkallës së parë “për pranim ankimi/lejim ankimi”…. Në lidhje me pranueshmërinë e ankimit. Në rastin konkret, ankues është Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar me autorizim të Kryetarit të Partisë nga nënkryetari z.Enkelejd Alibeaj, gëzon legjitimim në ushtrimin e ankimit ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. … Gjykata e Apelit konstaton se kërkues në proces është “Partia Demokratike e Shqipërisë”, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Ankues në këtë proces është “Partia Demokratike e Shqipërisë”, përfaqësuar me autorizim të Kryetarit të Partisë nga nënkryetari i Partisë. Dukshëm konstatohet se si kërkuesi dhe ankuesi janë i njëjti subjekt i së drejtës, i njëjti person juridik, konkretisht Partia Demokratike e Shqipërisë. … “Palë” në procesin civil konsiderohet ai subjekt i së drejtës që përmbush dy kushte ligjore të njëkohshme, së pari, është personi fizik apo juridik në emër apo kundër të cilit zhvillohet gjykimi; së dyti, është personi fizik apo juridik ndaj të cilit shtrin efektet e tij juridike dhe fuqinë ligjore vendimi gjyqësor i disponuar nga ai proces gjyqësor. … Subjekti i së drejtës në emër të të cilit është zhvilluar gjykimi në shkallë të parë, përfunduar me vendimin nr.3, datë 25.03.2022 objekt ankimi, është personi juridik “Partia Demokratike e Shqipërisë”. Është pikërisht ky subjekt i së drejtës, ndaj të cilit synon të sjellë efekte juridike dhe fuqi ligjore vendimi i disponuar nga gjykata e shkallës së parë objekt ankimi, vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndodhemi para të njëjtit subjekt të së drejtës, që shfaqet në pozitën e “kërkuesit” dhe të “ankuesit”, si pasojë efektit se përfaqësimin e tij e synojnë në procesin civil, si Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ashtu edhe nënkryetari i Partisë pajisur me autorizim nga Kryetari i Partisë. Pra në këtë rast, nuk ndodhemi para dy subjekteve të ndryshme të së drejtës apo para dy personave të ndryshëm juridik, por para të njëjtit person juridik, subjekt në lidhje me të cilin paraqiten para gjykatës dy pretendues të ndryshëm për pozicionin procedural “të përfaqësuesit” të tij…
Referuar nenit 15 të ligjit të sipërcituar, shprehimisht legjislatori në këtë dispozitë parashikon të drejtën e ankimit edhe ndaj vendimit “për regjistrimin”, krahas vendimit “për mos-regjistrimin” e ndryshimeve statutore. Ky parashikim i shprehur dhe i qartë, parashikon mundësinë që të kundërshtohet edhe vendimi i regjistrimit në regjistrat e partive politike, për sa potencialisht një vendimmarrje e tillë mund të prekë apo cenojë të drejtat e subjektit politik. Në këtë parashikim ligjor të nenit 15 të Ligjit “Për partitë politike”, nuk përcaktohet dhe as nuk kufizohet rrethi i subjekteve që legjitimohen të ushtrojnë ankim ndaj vendimit të regjistrimit ose mosregjistrimit. …Për sa më sipër, rezulton edhe në zbatim të nenit 15 të Ligjit “Për partitë politike”, PDSH legjitimohet në paraqitjen e ankimit ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka disponuar për regjistrimin e ndryshimeve statutore pikërisht për këtë subjekt politik…..
Nga provat në dosje, konkretisht “Vërtetimi” datë 06.04.2022 i Zyrës së Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është vërtetuar se PDSH ka kryetar të saj të regjistruar z. Lulzim Basha. Rezulton se regjistrimet statutore në regjistrin e partive politike për subjektin PDSH kanë identifikuar si organ përfaqësues ndaj të tretëve për PDSH Kryetarin e saj z.Lulzim Basha. Nuk u vërtetua në gjykim të jetë regjistruar në regjistrin e partive politike ndonjë rregullim i ri statutor që të ketë sjellë ndryshim në drejtim të organit të përcaktuar si përfaqësues për PDSH ndaj të tretëve. …”Dorëheqja e kryetarit të partisë” është rrethanë apo ngjarje e cila, materializohet në momentin që ajo formalizohet me një akt të shkruar dhe të pajisur me nënshkrimin e Kryetarit të partisë, si element ky i fundit autentifikues dhe i vërtetësisë së tij…. Nuk rezulton gjithashtu që në regjistrin e partive politike për subjektin PDSH të jetë regjistruar ndonjë akt dorëheqje të kryetarit të partisë z. Lulzim Basha, i tillë, që të ketë sjellë efekte juridike ndaj të tretëve, duke përfshirë këtu edhe gjykatën. …Në gjykim nuk u paraqit asnjë provë tjetër me fuqi të njëjtë provuese që të kundërshtonte këtë fakt. PDSH e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit nuk paraqiti asnjë provë shkresore zyrtare me fuqi provuese për të vërtetuar prapësimin e saj për “dorëheqjen e kryetarit të partisë z. Lulzim Basha” sipas kuptimit ligjor që mund të ketë ky fakt juridik referuar Ligjit të posaçëm për “Për partitë politike”…
Nënkryetari i Partisë z. Enkelejd Alibeaj është “i autorizuari” nga kryetari i PDSH z.Lulëzim Basha për realizimin e përfaqësimit të PDSH në proceset gjyqësore ku palë është PDSH. Autorizimi i datës 15.09.2021 rezulton të mos jetë revokuar. …Tagrat e njohura të përfaqësimit rezultojnë të jenë të përgjithshme, pra për të gjitha proceset gjyqësore …
Mbi shqyrtimin në themel të ankimit… Gjykata e apelit konkludon se vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është disponuar në kushtet e shkeljeve procedurale, si i tillë ai duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rigjykim pranë gjykatës së shkallës së parë me tjetër trup gjykues….
- Vendimi objekt ankimi është vendim, i cili është disponuar në shkelje të parimit të paanësisë, rrethanë procedurale kjo, e cila sipas nenit 467/b të KPC, passjell pavlefshmërinë absolute të vendimit gjyqësor….Evidentohen shkaqe papajtueshmërie në shqyrtimin e çështjes civile nga trupa gjykuese që e ka shqyrtuar atë në shkallë të parë. Kjo papajtueshmëri nuk ka mbetur në nivelin deklarativ nga ana e gjyqtarit, por është provuar me prova shkresore të paraqitura prej tij bashkëlidhur kërkesës për heqjen dorë.
…Në vlerësimin e Gjykatës së Apelit, vendimi i Kryetarit të gjykatës për mospranimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi i çështjes, është i paarsyetuar dhe i paargumentuar në raport me parashikimet e KPC, nocionin e parimit kushtetues dhe konventor të paanësisë, si dhe në raport me Ligjin nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit”… Vendimi i Kryetarit të Gjykatës për pranimin ose rrëzimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi, duhet të jetë i arsyetuar dhe i bazuar në legjislacionin në fuqi, duke kryer shqyrtimin dhe argumentimin në lidhje me të gjitha rrethanat dhe kërkimet e parashtruara në kërkesën e gjyqtarit për heqjen dorë nga gjykimi. Mungesa e arsyetimit apo mungesa e bazueshmërisë së këtij vendimi në raport me legjislacionin në fuqi, përbën shkak për ta cilësuar atë si një mjet jo-efektiv në drejtim të respektimit dhe garantimit të parimit të paanësisë, duke pasjellë cenimin e këtij parimi sipas kuptimit të nenit 467/b të KPC…
Gjykata e Apelit vlerëson se trupa gjykuese është gjendur në papajtueshmëri për të zhvilluar gjykimin edhe sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Civile, ndryshe nga sa parashtron në vendimin e tij kryetari i gjykatës për refuzimin e kërkesës për dorëheqjen nga gjykimi të gjyqtarit, pasi rrethanat e parashtruara dhe vërtetuara me prova prej trupës gjykuese: cenojnë parimin e paanësisë në aspektin objektiv dhe subjektiv të tij, duke u vlerësuar ky kusht procedural sipas kritereve të elaburuara të jurisprudencës si më sipër cituar (neni 467/b i KPC), rrethanat e parashtruara kanë pasur mundësinë të krijojnë premisa objektive për arsye serioze njëanshmërie edhe sipas kuptimit të nenit 72/6 të KPC., vlerësuar kjo në unitet edhe me nenin 73 të KPC, ku trupa gjykuese ka vlerësuar me ndërgjegje domosdoshmërinë e zëvendësimit të saj në gjykimin e çështjes me tjetër trup gjykuese….
- Shkelje tjetër procedurale e konsumuar nga gjykata e shkallës së parë, edhe pse në vetvete nuk arrin të prodhojë pasoja pavlefshmërie absolute ndaj vendimit përfundimtar nr. 3, datë 25.03.2022 është revokimi i vendimit të ndërmjetëm për pezullimin e gjykimit pa ekzistuar ende kushtet ligjore për vazhdimin e gjykimit. …Kur gjykata e shkallës së parë ka vendosur për revokimin e ndërmjetëm për pezullimin e gjykimit të çështjes civile, vendimi gjyqësor i datës 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që kishte disponuar për regjistrimin e ndryshimeve statutore të datës 17 Korrik 2021 për PDSH, ende nuk ishte arsyetuar, për pasojë ende nuk kishte marrë formë të prerë dhe as nuk ishte pasqyruar si i tillë në regjistrin e partive politike, duke mos arritur ende të prodhonte efektet juridike të synuara në dispozitivin e tij. Rezulton se gjykata e shkallës së parë nuk e ka zbatuar drejtë nenin 297/a të KPC., duke vijuar me gjykimin e çështjes, edhe pse ende nuk kishte rënë ende shkaku objektiv pezullues për gjykimin, duke vepruar në shkelje të kësaj dispozite. …. Kërkesa për gjykim është ushtruar bazuar në nenin 9 të Ligjit “Për partitë politike”, ku përcaktohet pasqyrimi në regjistrin e partive politike të ndryshimeve që mund të bëjë një subjekt politik në lidhje me “konfiguracionin e vulës ose të kryetarit të partisë”. Edhe pse personi juridik (subjekti i së drejtës) që paraqitet para gjykatës është një i vetëm PDSH, rezulton se përfaqësimin e saj e pretendon si Kryetari i Partisë që rezulton i regjistruar në regjistrin e Partive Politike për PDSH, duke u bazuar në nenin 14/2 të Ligjit “Për Partitë Politike”, ashtu edhe Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, i cili pretendon të njihet si përfaqësues i PDSH për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021. Një situatë e tillë procedurale specifike ndodh për shkak të vetë lëndës së gjykimit, ku objekt vlerësimi janë vlefshmëria dhe ligjshmëria e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021, vendimmarrje pjesë e cilave ka qenë edhe zgjedhja e një organi të ri drejtues të subjektit politik. Për shkak të kësaj specifike, Gjykata e Shkallës së Parë në rigjykim duhet të njoftojë si Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit, ashtu dhe Kryetarin e Partisë e të autorizuarit prej tyre, si dhe të ftojë ata të shprehen në lidhje me pozicionimin e tyre procedural. Më pas Gjykata e Shkallës së Parë duhet të disponojë në lidhje me to me vendim. Në këtë vlerësim, si dhe në vlerësimin në tërësi, Gjykata e Shkallës së Parë duhet të mbajë në konsideratë raportin pajtues mes normave të Kodit të Procedurës Civile dhe normave të ligjit të posaçëm nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”. Në rigjykim gjykata e shkallës së parë, duhet të mbajë në konsideratë gjithashtu administrimin e vërtetimit të përditësuar nga regjistri i partive politike në lidhje me subjektin PDSH, ku të verifikojë sërish të dhënat e përditësuara në lidhje me vijimin e përfaqësimit të subjektit politik nga kryetari i partisë (nga ky organ), personin që rezulton i tillë i shënuar në regjistër, si dhe ndryshime të fundit statutore të regjistruara në të për këtë subjekt politik.…”.
Kundër vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar të drejtën e rekursit pala kërkuese në këtë gjykim, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, duke kërkuar: “Prishjen e Vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm; Deklarimin si të papranueshëm të Ankimit paraqitur nga Deputeti Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Lënien në fuqi të vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”. Më datë 24.11.2023, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, ka paraqitur, në Gjykatën e Lartë, parashtrime shtesë me shkrim.
Mbi rekursin e paraqitur nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ka ushtruar të drejtën e kundër-rekursit, Partia Demokratike përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj (në këtë kërkese nga Av. Rezart Kthupi).
Gjykata e Lartë me vendimin nr. 5377(786), datë 27.12.2023, ka vendosur:
- Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues”.
Gjykata e Lartë në vendimin e mësipërm ndër të tjera ka arsyetuar se: “…26. … Kolegji vlerëson se nuk është detyrë e gjykatës që të përcaktojë se cilat do të jenë organet drejtuese të një subjekti politik, se si duhet të organizohen ato, apo të kontrollojnë shprehjen e vullnetit të anëtarësisë për të shkarkuar organet drejtuese dhe për të zgjedhur organe të reja…
29… gjykata investohet nga subjeti juridik, partia politike, nëpërmjet paraqitjes së kërkesës, sëbashku me të gjitha aktet shkresore mbështetëse që provojnë procedurat e kryera dhe vendimet e marra, të cilat kërkohet që të pasqyrohen në regjistrin përkatës të partive politike. Në këtë rast, gjykata ndjek një natyrë të posaçme gjykimi, i ashtuquajtur gjykim gracioz (jurisdictio inter volentes), duke e shqyrtuar kërkesën e paraqitur në dhomë këshillimi mbi bazë aktesh (kartolar). 30. Gjykata, nisur nga natyra që ka kontrolli gjyqësor në këto lloj çështjesh, investohet me kërkesë dhe jo me kërkesë padi, pasi në këtë rast, nuk synohet që të kryhet një gjykim themeli mes palëve kundërshtare, por vetëm vlerësohen mbi bazë aktesh, procedurat e ndjekura dhe përputhshmëria e vendimeve të marra me kuadrin ligjor në fuqi (ligji specifik, statuti i partisë, akte të ndryshme rregullatore apo edhe me ligj të tjera të cilat mund të gjejnë zbatim), me efekt regjistrimin e tyre në regjistrin përkatës të partive politike….
- Gjithashtu, Kolegji çmon të theksojë faktin se, ligjvënësi ka përcaktuar në mënyrë të qartë se, të njëjtat rregulla ligjore të cilat përcaktohen për regjistrimin për së pari të një partie politike, ndiqen dhe janë njëlloj të vlefshme për ndryshimet dhe fshirjet në regjistrimet e mëparshme, në rastin kur organet apo forumet e partise politike bëjnë ndryshime statutore, ndryshojë, shfuqizojnë apo krijojnë rregulla të reja organizimi apo funksionimi, ndryshojnë emërtimet apo organet drejtuese të tyre…
33… gjykata në shqyrtimin e kërkesës së paraqitur për regjistrimin e ndryshimeve statutore, si dhe akteve të miratuara nga organet apo forumet vendimmarrëse të partisë politike, fillimisht vlerëson nëse kërkesa plotëson parakushtet e saj procedurale, duke identifikuar nëse kjo kërkesë është paraqitur nga organi që përfaqëson subjektin juridik, në këtë rast partinë politike. Ky detyrim i gjykatës, për Kolegjin rrjedh jo vetëm nga përcaktimet e ligjit të posaçëm, por edhe nga përcaktimet e nenit 31 të Kodit Civil…”
- Kolegji konstaton se, referuar natyrës së mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, si dhe përcaktimit të interesit të ligjshëm për t’ju drejtuar gjykatës dhe për të iniciuar këtë proces gjyqësor, me të drejtë Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se, palë e interesuar në këtë gjykim është personi juridik PDSH, i cili, tërheq të drejtat e ligjshme nga ky proces. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, Kolegji konstaton se kjo gjykatë nuk rezulton të ketë respektuar parimin e rëndësishëm procedural se gjykata shprehet për atë që i kërkohet dhe për aq sa i kërkohet (neni 6 i KPC). Në rastin konkret, gjykata e apelit nuk ka arritur në konkluzionin përfundimtar se kush është organi përfaqësues legjitim i subjektit juridik PDSH, i cili, ka të drejtë që ti drejtohet gjykatës për të bërë regjistrimin e akteve që kanë lidhje me ndryshimet statutore dhe organeve drejtuese të këtij subjekti, sipas përcaktimeve të nenit 9 dhe 14 të ligjit nr. 8580/2000, si dhe statutit të saj.
…Kolegji konstaton se Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, i cili pretendon se mbart të drejtat për të përfaqësuar PDSH tek të tretët, nuk rezulton që të ketë bërë kërkesë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për tu futur në këtë proces gjyqësor në formën e personit të interesuar (neni 189 dhe 190 i KPC), apo ndërhyrësit kryesor apo dytësor (neni 192 dhe 196 i KPC). Nuk rezulton gjithashtu i provuar fakti, që gjykata e shkallës së parë të ketë thirrur kryesisht në gjykim z.Lulzim Basha në cilësinë e Kryetarit të PDSH sipas nenit 193 të KPC, si dhe ta ketë legjitimuar atë nga pikëpamja formale dhe procedurale si palë në gjykim, edhe pse ky i fundit, i ka drejtuar gjykatës kërkesë me shkrim për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes në shkallë të parë, si dhe pushimin e gjykimit të kërkesës për regjistrimin e vendimeve të marra në Këshillin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021…
- Gjykata rishikuese përpara se të fillojë shqyrtimin e çështjes së paraqitur para saj, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë fillimisht nëse mjeti i ankimit të paraqitur, plotëson ose jo parakushtet formale të pranueshmërisë për shqyrtim, dhe më pas, të vijojë shqyrtimin e çështjes duke i dhënë zgjidhje shkaqeve të ankimit brenda kufijve të shqyrtimit të tyre (shiko vendimin nr.00-2022-3488, datë 23.11.2022 të Kolegjit Civil). Ky fakt rezulton të jetë përcaktuar qartësisht në nenin 450 të KPC, e cila, përbën dispozitë ligjore me karakter të përgjithshëm dhe si i tillë, gjen zbatim për të gjitha mjetet procedurale që parashikon KPC (ankim, rekurs, ankim i veçantë apo rekurs i veçantë), si dhe në të gjitha shkallët e gjykimit…
…Gjykata e Apelit, vetëm pasi të arrinte në një konkluzion përfundimtar nëse mjeti i ankimit objekt shqyrtimi i plotësonte të gjitha parakushtet formale të pranueshmërisë, kishte të drejtë ti hapte rrugë shqyrtimit të shkaqeve të ankimit dhe ti jepte zgjidhje në themel çështjes objekt shqyrtimi. Ndërkohë, me disponimin për prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, Gjykata e Apelit ka krijuar konfuzion dhe paqartësi në lidhje me çështjen objekt shqyrtimi përsa i përket objektit të kërkimit, si dhe me natyrën e gjykimit (ritin e gjykimit) që ndiqet në shqyrtimin e saj… Me disponimin e kthimit të çështjes për rigjykim në shkallë të parë, si dhe me detyrat e lëna për zbatim, gjykata e apelit ka ndryshuar natyrën (ritin) e gjykimit të mosmarrëveshjes, pra nga një gjykim gracioz me palë kërkuese, në një gjykim kontencioz me palë kundërshtare. Në këtë rast, gjykata ka krijuar një çështje të re, e cila, nga pikëpamja procedurale ka devijuar tërësisht nga çështja që është shqyrtuar në shkallë të parë…
- Vlen të theksohet fakti se, në gjykimin e iniciuar në shkallë të parë është pretenduar regjistrimi i akteve të nxjerra nga Kuvendi Kombëtar i PDSH në datën 11.12.2021, gjykim i cili është iniciuar me kërkesë të Komisonit të Rithemelimit. Ndërsa ankimi në gjykatën e apelit, është paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, përfaqësues më autorizimin e lëshuar nga Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha. Nga faktet e pranuara në gjykim, nuk rezulton që pala që ka ushtruar ankimin ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë të ketë paraqitur para kësaj të fundit, ndonjë kërkesë me të cilin të ketë kërkuar që të ndërhyjë në këtë proces gjyqësor, ose të ketë paraqitur një padi themeli, me të cilin të pretendohej deklarimi i pavlefshëm i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, si dhe të vendimeve të dala nga mbledhja e këtij kuvendi.
…59. Referuar përcaktimeve të nenit 10, 13 dhe 14 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, i vetmi mjet ligjor që ligji i njeh subjekteve juridike të organizuara në formën e partive politike për të pasqyruar ndryshimet statutore është paraqitja e një kërkesë për regjistrimin e këtyre akteve, gjykimi i të cilës, bëhet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe mbi bazë aktesh shkresore, sipas përcaktimeve të KPC. Në vijim të sa më sipër, në rast se ndonjë subjekt i tretë pretendon se cenohet nga regjistrimi i këtyre akteve për ndryshimet statutore, ka detyrimin që të paraqesë padi themeli, në mënyrë që gjykata të vlerësojë themelin e mosmarrëveshjes dhe të përcaktojë në mënyrë përfundimtare se kush është subjekti që mbart të drejtën dhe kush ka tagrat e përfaqësimit ligjor të personit juridik ndaj të tretëve, si dhe të fshijë regjistrimet e kryera me nënvizim.
- Kolegji vlerëson se, në arritjen e konkluzionit se kush është organi kompetent që përfaqëson në këtë rast PDSH, gjykata e apelit nuk duhet ta kufizonte dhe ngushtonte shqyrtimin gjyqësor, duke vlerësuar faktin nëse dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha është kryer në formën shkresore dhe a ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike. Për të pasur një gjykim të drejtë dhe të gjithëanshëm të çështjes, si dhe për të kuptuar drejtë natyrën e këtij gjykimi, Gjykata e Apelit duhet të merrte në shqyrtim dhe të analizonte nga pikëpamja e ligjit dhe e faktit se, çfarë vlere provueshmërie dhe juridike kanë: (i) aktet e miratuara në Kuvendin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në lidhje me organet drejtuese të PDSH, për të cilat kërkohet regjistrimi në regjistrin e partive politike; (ii) aktet e prodhuara nga organet zgjedhore KQZ dhe KAS për aq sa ato mund të konsiderohen se ndikojnë në mosmarrëveshjen objekt shyqrtimi; si dhe (iii) vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, i cili është gjykatë dhe vendimet e dhëna prej tij janë vendime gjyqësore të formës së prerë. Vetëm pasi të merren në analizë të gjitha faktet dhe provat e nevojshme të administruara në dosje, gjykata do të kishte mundësi për të konkluduar definitivisht se kush është organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, i cili është subjekti juridik që tërheq të drejtat në këtë gjykim.
- Në këtë mënyrë, pavarësisht nga sa është arsyetuar edhe më sipër në këtë vendim në lidhje me zbatimin e rregullave proceduralë të gjykimit, Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit, nuk do ti jepte zgjidhje vetëm faktit nëse ankimi që e ka investuar atë në shkallë të dytë gjykimi plotëson parakushtet formale të pranueshmërisë apo jo, por do ti jepte zgjidhje edhe vetë themelit të kërkimit, pra nëse kërkesa e paraqitur për regjistrimin e vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i PDSH, është paraqitur nga organi që ka cilësinë për të vepruar dhe për të përfaqësuar PDSH me të tretët (pra, pala kërkuese gëzon ose jo legjitimitet procedural për paraqitjen e kërkesës).
…68. Për sa më sipër, Kolegji arrin në konkluzionin se, vendimi i dhënë nga Kryetari i gjykatës sipas nenit 73 të KPC, është një vendim “sui generis”, i cili, nuk është i ankimueshëm, por nuk ka as cilësinë e një vendimi gjyqësor përfundimtar dhe të formës së prerë sipas nenit 451 dhe 451/a të KPC. Bazuar sa më sipër, në rast se Kryetari i Gjykatës vendos rrëzimin e kërkesës së gjyqtarit për të hequr dorë nga gjykimi, palët e interesura, nuk kanë ndalesë ligjore që brenda të njëjtit proces gjyqësor, të paraqesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit.
…72. Gjykata e Apelit ka marrë kryesisht çështjen e papajtueshmërisë së gjyqtarit Agron Zhukri, pasi ky pretendim nuk rezulton që të jetë pretenduar nga pala që ka ushtruar ankimin. ..
- Kolegji vlerëson se edhe shkaku tjetër i përdorur nga gjykata e apelit për të prishur vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për ta kthyer çështjen sërisht për rigjykim pranë kësaj gjykate, nuk qëndron. Gjykata e Apelit ka interpretuar, edhe në këtë rast kryesisht, se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vepruar gabim dhe në kundërshtim me nenin 297/a të KPC, dhe 298 lidhur me pezullimin e gjykimit dhe rifillimin e tij pa rënë ky shkak pezullimi. Në fakt rezulton se shkaku ligjor që ka vlerësuar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për pezullimin e gjykimit nuk ka qenë sipas pikës “a” të nenit 297 të KPC, por sipas pikës “d” të këtij neni…”.
- Legjislacioni i zbatueshëm:
Në nenin 450 i Kodit të Procedurës Civile titulluar “Mospranimi i ankimit” përcakton:
1.Gjyqtari i vetëm i gjykatës që ka dhënë vendimin, në dhomë këshillimi, menjëherë pas paraqitjes së ankimit, vendos mospranimin e ankimit kur:
- a) është paraqitur jashtë afatit;
- b) nuk ndreqen të metat në afatin e caktuar sipas nenit 455 të këtij Kodi;
- c) është bërë kundër një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim;
ç) është bërë nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim;
- d) është hequr dorë nga ankimi.
- Kundër vendimit të mospranimit të ankimit mundet të bëhet ankim i veçantë. 3. Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi”.
Neni 486 i Kodit të Procedurës Civile titulluar “Zbatimi i detyrueshëm i udhëzimeve” përcakton: “Udhëzimet dhe konkluzionet e Gjykatës së Lartë janë të detyrueshme për gjykatën që rishqyrton çështjen”.
Neni 493 i Kodit të Procedurës Civile titulluar “Rigjykimi”, përcakton:
“Gjykata e shkallës së parë apo gjykata e apelit kur dërgohet çështja për rigjykim zbaton të njëjtat rregulla procedurale të parashikuara në atë shkallë gjykimi.
Gjykata e Lartë, kur dërgon çështjen për rigjykim, në vendim përcakton se cila pjesë e vendimit ose gjykimit të faktit prishet dhe për cilën pjesë të mosmarrëveshjes duhet të zhvillohet rigjykimi.
Rigjykimi i çështjes pas prishjes së vendimit kufizohet vetëm në shkaqet e prishjes së vendimit. Pjesët e pacenuara të vendimit apo gjykimit nga gjykata më e lartë nuk rishqyrtohen.
Detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë janë të detyrueshme për gjykatën që rishqyrton çështjen, e cila, pasi zbaton këto detyra, vendos sipas bindjes së saj. Në rigjykim nuk mund të ngrihen pavlefshmëritë e vërtetuara në gjykimet e mëparshme.
Në rigjykim palët nuk mund të bëjnë pretendime të ndryshme nga ato të pranuara në vendimin e Gjykatës së Lartë, përveç nevojës për të arritur në përfundime që dalin nga vendimi i Gjykatës së Lartë.
III. Vlerësimi i Gjykatës së Apelit:
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, pasi verifikoi kushtet e pranueshmërisë së ankimit, vlerëson se nuk janë kushtet ligjore për të marrë në shqyrtim këtë ankim, pasi ankimi kundër vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është bërë nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim, prandaj duhet vendosur mospranimi i ankimit në bazë të nenit 450/ç të K.Pr.Civile.
Në Gjykatën e Apelit, çështja ka ardhur për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila ka shqyrtuar çështjen mbi bazën e rekursit të palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit. Me vendimin nr. 00-2023-5377(786), datë 27.12.2023 Gjykata e Lartë, ka vendosur: “Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim, me tjetër trup gjykues”. Në këtë vendim Gjykata e Lartë ka shprehur disa konkluzione për çështjet e ngritura në rekurs si dhe ka dhënë udhëzime e orientime të cilat në zbatim të nenit 486 të K.Pr.Civile, janë të detyrueshme për Gjykatën e Apelit që rishqyrton çështjen. Gjykata e apelit, në rigjykim, i përmbahet vendimit të Gjykatës së Lartë për çdo çështje të së drejtës që është vendosur me të.
Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka lënë si detyrë të identifikohet qartë natyra e mosmarrëveshjes, të verifikohen kushtet e pranueshmërisë së ankimit, të analizohet nga pikëpamja e ligjit dhe e faktit se, çfarë vlere provueshmërie dhe juridike kanë: (i) aktet e miratuara në Kuvendin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në lidhje me organet drejtuese të PDSH, për të cilat kërkohet regjistrimi në regjistrin e partive politike; (ii) aktet e prodhuara nga organet zgjedhore KQZ dhe KAS për aq sa ato mund të konsiderohen se ndikojnë në mosmarrëveshjen objekt shyqrtimi; si dhe (iii) vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, i cili është gjykatë dhe vendimet e dhëna prej tij janë vendime gjyqësore të formës së prerë.
Nga aktet e dosjes rezulton se bashkëngjitur rekursit është vendimi nr.27, datë 16.03.2023 i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve(KAS) dhe vendimi nr.5 datë 27.03.2023 i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Në kushtet kur gjykimi është zhvilluar në dhomë këshillimi dhe Gjykata e Lartë është gjykatë ligji, nuk i hyn analizës së provave, nuk i ka administruar këto akte provuese. Në rigjykim, Gjykata e apelit vendosi ti administroj këto akte provuese duke vlerësuar se mund të konkludonte për çështjen në gjykim mbi bazën e këtyre akteve.
Në lidhje me ankimin e paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z. Enkelejd Alibeaj, Gjykata e Apelit vlerëson se përpara se të marrë në shqyrtim ligjshmërinë e vendimit të shkallës së parë, duhet të marrë në konsideratë çështjen e pranueshmërisë së ankimit, si parakusht procedurial për të vënë në lëvizje gjykatën e apelit.
Në çështjen në shqyrtim, Gjykata e apelit e sheh të arsyeshme të ndalet fillimisht tek e drejta ankimit ndaj një vendimi gjyqësor, e lidhur me të drejtën e aksesit, si pjesë të pandarë dhe garanci të procesit të rregullt gjyqësor, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës. E drejta e ankimit duhet kuptuar si mundësi e çdo individi për të pasur mjete të caktuara procedurale për të kundërshtuar vendimin e dhënë nga një gjykatë më e ulët në një gjykatë më të lartë, duke i garantuar individit të drejtën për t’u përballur me drejtësinë në të gjitha nivelet e saj. Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka pohuar se, e drejta e ankimit, e sanksionuar në nenin 43 të Kushtetutës, është një e drejtë procedurale që shërben për të mbrojtur një të drejtë substanciale. Kjo e drejtë bazohet në parimin se “… nuk mund të ekzistojë një e drejtë pa të drejtën e ankimit”. Në funksion të ushtrimit efektiv të së drejtës së ankimit ka rëndësi të realizohet si aspekti formal/procedural ashtu edhe ai substancial.
Megjithatë, e drejta ankimit nuk është një e drejtë absolute, pasi ajo mund jetë pjesë kufizimeve në kuptim të nenit 17 të Kushtetutës dhe në respektim standardeve që ky nen përcakton. Gjykata ka theksuar se Kushtetuta, si rregull, nuk përjashton ndonjë drejtë themelore nga kufizimi dhe, në këtë kuptim, vlera e nenit 43 të Kushtetutës nuk mund të qëndrojë e ndarë nga vlerat e tjera kushtetuese siç është dhe e ajo e rasteve përjashtimore për kufizimin e një të drejte themelore. Në funksion të garantimit të së drejtës për t’u ankuar ndaj një vendimi gjyqësor civil, neni 43 i Kushtetutës implementohet nga nenet 442-455 të Kodi të Procedurës Civile, që disiplinojnë ushtrimin e ankimit. Mbi bazë këtyre dispozitave, është Kodi i Procedurës Civile që cakton rastet se cilat vendime të gjykatës mund ankimohen dhe mjetin e përshtatshëm ankimues, që mund jetë apeli, rekursi në Gjykatën Lartë ose kërkesa për rishikim, duke parashikuar aspektet formale dhe afatet procedurale për ushtrimin këtyre mjeteve ankimuese.
Në nenin 450 të KPC, ligjvënësi ka pasur si qëllim që të kufizojë shqyrtimin e mjeteve të ankimit pranë gjykatave më të larta, fillimisht tek plotësimi i elementëve formalë të tyre, të cilët, janë të nevojshme për tu plotësuar përpara se gjykata rishikuese të marrë në shqyrtim shkaqet ligjore për të cilat është paraqitur mjeti procedural i ankimit.
Në çështjen në gjykim, gjykata e apelit thekson se partitë politike janë subjekte juridike të së drejtës, të organizuar në formën e personit juridik. Partia politike i drejtohet gjykatës për të bërë regjistrimin e akteve që kanë lidhje me ndryshimet statutore dhe organet drejtuese të këtij subjekti, sipas përcaktimeve të nenit 9 dhe 14 të ligjit nr. 8580/2000, si dhe statutit të saj të cilat rregjistrohen në regjistrin përkatës të partive politike.
Gjykata investohet nga subjekti juridik, partia politike, nëpërmjet paraqitjes së mjetit procedurial “kërkesë”, pa palë kundërshtare. Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten të gjitha aktet shkresore mbështetëse që provojnë procedurat e kryera dhe vendimet e marra, të cilat kërkohet që të pasqyrohen në regjistrin përkatës të partive politike. Në këtë rast, gjykata ndjek një natyrë të posaçme gjykimi, gjykim gracioz, duke e shqyrtuar kërkesën e paraqitur në dhomë këshillimi mbi bazë aktesh. Në gjykimin e posaçëm gracioz, gjykata zhvillon një gjykim në të cilin, nuk ekziston konflikti mes palëve kundërshtare. Kontrolli gjyqësor në procesin e rregjistrimit të partive politike dhe akteve të miratuara nga organet e tyre shtrihet në drejtim të përputhshmërinë së akteve të paraqitura me përcaktimet e kuadrit ligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të rendit juridik dhe ligjor, i njohur ndryshe si proces homologimi.
Pala kërkuese, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Në këtë kuvend janë marrë disa vendime për ndryshime statutore të PDSH-së. Komisioni i Përkohshëmn i Rithemelimit, në cilësinë e përfaqësuesit të subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë (në vijim PDSH) i është drejtuar gjykates me kërkesë, në përputhje me përcaktimet ligjore të nenit 9, 13 dhe 14 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, që të bëjë pasqyrimin e këtyre vendimeve e ndryshimeve në regjistrin e partive politike.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga subjekti politik, Partia Demokratike e Shqipërisë (në vijim PDSH) përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, për të regjistruar aktet e prodhuara nga Kuvendi Kombëtar i këtij subjekti juridik në datën 11.12.2021. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ka shqyrtuar këtë kërkesë, me vendimit nr.3, datë 25.03.2022, ka vendosur: “Pranimin e kërkesën së palës kërkuese, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit. Depozitimin e vendimeve të Kuvendit të PDSH duke rregjistruar ndryshimet përkatës në regjistrin e partive politike...”.
Gjykata e Apelit është vënë në lëvizje mbi bazën e ankimit të paraqitur kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga subjekti juridik PDSH, përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, sipas autorizimit të datës 15.09.2021, të lëshuar nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha.
Gjykata e apelit çmon se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim deputeti z. Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk plotëson parakushtet formale të pranueshmërisë, sipas përcaktimeve të nenit 450, pika 1, shkronja “ç” të KPC.
Në nenin 442/a të K.Pr.Civile, përcaktohet se: “Ankimi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës dhe veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre”. Përsa më sipër, duhet të jesh palë në gjykim/ose shqyrtim kërkese, i cili ka konkluduar me vendimarrje, për të patur mundësinë që të ushtrosh ankim ndaj një vendimi gjyqësor. Ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë mund të paraqesin vetëm palët ose pjesëmarrësit në proces, me çfarëdo cilësie tjetër proceduriale. Palë mund të jenë persona fizikë të cilët përfaqësohen personalisht ose ata juridikë të cilët përfaqësohen nëpërmjet organeve të tyre legjitime dhe përfaqësuesve të tyre të autorizuar.
Pala ankuese nuk ka legjitimitet substancial për paraqitjen e ankimit, përsa kohë që nuk ka qënë palë dhe nuk ka patur asnjë cilësi proceduriale në këtë proces. Gjykata e apelit çmon se nuk mund të bëhet “ankim” nga një palë e cila nuk është “palë” në proçes.
Në përputhje me përcaktimet e nenit 15 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, ligjvënësi ka parashikuar në mënyrë të qartë se: “Vendimi i gjykatës për regjistrimin ose mosregjistrimin e partive politike në regjistrin e partive politike mund të ankimohet në gjykatën e apelit të Tiranës brenda 15 ditëve nga data e shpalljes së vendimit të gjykatës”. Pra, është i qartë fakti që vendimi që merr gjykata në raste të tilla, është një vendim ndaj të cilit lejohet e drejta e ankimit në një gjykatë më të lartë. Vendimi i regjistrimit të ndryshimeve statutore të Partive Politike është një gjykim gracioz, pa palë. Në rastin konkret, kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit dhe gjykata është investuar në një gjykim gracioz, por vendimi i dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në shkallë të dytë gjykimi, nga Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, përfaqësuar me autorizim nga deputeti z. Enkelejd Alibeaj.
Gjykata e apelit konstaton se Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, i cili pretendon se mbart të drejtat për të përfaqësuar PDSH tek të tretët, nuk rezulton që të ketë bërë kërkesë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për tu futur në këtë proces gjyqësor në formën e personit të interesuar (neni 189 dhe 190 i KPC), apo ndërhyrësit kryesor apo dytësor (neni 192 dhe 196 i KPC). Nuk rezulton gjithashtu i provuar fakti, që gjykata e shkallës së parë të ketë thirrur kryesisht në gjykim z.Lulzim Basha në cilësinë e Kryetarit të PDSH sipas nenit 193 të KPC, si dhe ta ketë legjitimuar atë nga pikëpamja formale dhe procedurale si palë në gjykim, edhe pse ky i fundit, i ka drejtuar gjykatës kërkesë me shkrim për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes në shkallë të parë, si dhe pushimin e gjykimit të kërkesës për regjistrimin e vendimeve të marra në Këshillin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021.
Me shkresen Nr. 168/1 Prot., datë 22.12.2021, ish-Kryetari i PDSH Lulzim Basha, ka njoftuar zyrtarisht gjykatën, “se ky grupim personash që i janë drejtuar gjykatës nuk kanë asnjë tagër përfaqësimi si persona të autorizuar për të përfaqësuar PDSH-në dhe për të bërë kërkesa të tilla”, duke shtuar se, “… kjo kërkesë është nga ato kërkesa që gjykohen pa prezencën e palëve dhe ndjekin të njëjtën procedurë me atë të gjykimit të posaçëm të vërtetimit të faktit pasi gjykata vihet në lëvizje vetëm me kërkesë. Në këto kushte gjykata duhet t’i referohet nenit 392 të K.Pr.Civile…”. Kërkesa për të marrë pjesë në proces duhet të kishte ndjekur rregullat proceduriale për ndërhyrje në gjykim, me kërkesë të regjistruar në sekretarinë e gjykatës. Gjykata e apelit vlerëson se me të drejtë shkresa e sipërcituar nuk është marrë në konsideratë nga gjykata e shkallës së parë, duke mos qënë mjet procedural i parashikuar nga dispozitat Kodit të Procedurës Civile dhe duke mos përbërë një kërkesë në kuptim të ligjit, e cila duhet të shqyrtohej dhe t’i nënshtrohej vendimarrjes nga ana e gjykatës.
Kërkesa e paraqitur në gjykatë, është në diskrecionin e palës që ka investuar gjykatën dhe në asnjë rast, gjykata nuk mund të ndryshojë vullnetin e palës që e ka investuar atë. Në rastin konkret nuk ka një vendim të posaçëm nga kjo gjykatë për pranimin ose jo të kërkesave të futjes ose jo të tyre si palë ndërgjyqësa në këtë proces, në mënyrë që më pas, sipas përcaktimeve proceduriale mbi të drejtën e ankmit të parashikuara nga neni 194/2, të K.Pr.Civile të mund të ushtrohej e drejta e ankimit.
Gjykata e shkallës së parë është investuar me kërkesë dhe vendimmarrja e saj është vendim i dhënë mbi bazën e një gjykimi gracioz, i cili, nuk prodhon pasoja për subjektet e tretë që nuk janë palë në këtë gjykim, por ka pasojë vetëm pasqyrimin e ndryshimeve statutore apo vendimeve të marra nga forumet vendimarrëse të subjektit juridik (partia politike) tek regjistri përkatës i partive politike. Gjykata e apelit vlerëson se pala që ka paraqitur ankimin nuk ka legjitimitet procedural por edhe substancial që të kundërshtojë një vendim gjyqësor me natyrë deklarative, i cili ka dalë nga një gjykim, në të cilin, nuk ka qenë palë pjesamarrëse në pozicionin e personit të tretë. Vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, nuk mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi, nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në shkallë të parë.
Gjykata e apelit çmon se në rast se ndonjë subjekt i tretë pretendon se cenohet nga regjistrimi i këtyre akteve për ndryshimet statutore, ka detyrimin që të paraqesë padi themeli, në mënyrë që gjykata të vlerësojë themelin e mosmarrëveshjes dhe të përcaktojë në mënyrë përfundimtare se kush është subjekti që mbart të drejtën dhe kush ka tagrat e përfaqësimit ligjor të personit juridik ndaj të tretëve, si dhe të fshijë regjistrimet e kryera me nënvizim.
Pala ankuese nuk ka legjitimitet formal-procedurial për paraqitjen e ankimit, pasi nuk kishte tagër për të ankimuar vendimin. Rregullat formale procedurale mbi përfaqësimin në një proces gjyqësor, ndër të tjera synojnë të garantojnë dhe ruajnë parimin se askush nuk mund të veprojë në emër të një tjetri në një proces gjyqësor pa e patur një tagër të tillë. Në këtë kuptim këto rregulla nuk duhet të interpretohen si formalizma që mohojnë aksesin në gjykatë, por si mjete që garantojnë se vullneti i përfaqësuesit përputhet me atë të palës në kryerjen e një veprimi të caktuar procedural.
Gjykata analizon elementët formal të ankimit, gjykata konstaton se ankimi është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e përfaqësuesit me autorizim të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Autorizimi/Akti i Përfaqësimit i datës 15.09.2021, lëshuar nga Kryetari i PDSH-së për zotin Alibeaj, i ka dhënë këtij të fundit tagra të përgjithshme përfaqësimi të subjektit politik PDSH në të gjitha proceset gjyqësore. Ankimi kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2023 është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, si përfaqësues me autorizim i kryetarit të PDSH-së. Bashkëngjitur ankimit është dhe autorizimi i datës 15.09.2021 i lëshuar nga z.Lulzim Basha. Gjykata e apelit vlerëson se autorizimi i datës 15.09.2021, nuk ka pasur efekte juridike pas datës 21.03.2022, kur z.Lulzim Basha ka hequr dorë publikisht nga funksioni i kryetarit të PDSH-së. Në këto kushte përfaqësuesi i tij, z.Enkelejd Alibeaj, nuk ka patur tagrin për të hartuar e nënshkruar ankimin e datës 04.04.2022 për këtë çështje.
Gjykata e apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimarrëse në procesin zgjedhor. Sipas vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të KAS të lënë në fuqi me vendimin nr.5 datë 27.03.2023 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, PDSH është përfaqësuar në zgjedhjet vendore të vitit 2023 me nën/kryetar z.Enkelejd Alibeaj, për shkak se është pranuar që kryetari z.Lulëzim Basha ka dhënë dorëheqje në datë 21.03.2022. Nga këto akte provuese, provohet se z.Lulëzim Basha nuk ka qënë organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, në momentin e rregjistrimit të ankimit 04.04.2022, pasi është njohur dorëheqja e tij në datë 21.03.2022.
Autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Në rastin e autorizimit\prokurës së lëshuar nga personi juridik, nënshkruesi i saj nuk delegon tagra personale por tagra që lidhen eskluzivisht me detyrën apo pozicionin përkatës. Efektet juridike të autorizimit apo vlefshmëria e tij mbaron automatikisht me mbarimin apo humbjen e kompetencave të personit nënshkrues të autorizimit. Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z.Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qënë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”. Në kushtet kur përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë pas mbarimit të efekteve juridike të autorizimit, ankimi/apeli i paraqitur nga ky përfaqësues konsiderohet si ankim i bërë nga një person që nuk legjitimohet, si përfaqësues pa tagra.
Për sa më sipër, Gjykata e apelit vlerëson se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj nuk plotëson parakushtet formale-procedurale për shqyrtimin e tij, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim dhe si i tillë në bazë të nenit 450/ç të KPC, i ndryshuar, nuk duhet të pranohet.
Përsa i përket vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të gjyqtarit të vetëm të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është pranuar ankimi objekt i këtij gjykimi. Gjykata e apelit çmon se në momentin që gjyqtari i vetëm ka vendosur “pranimin e ankimit”, gjykata rishikuese e cila ka në kompetencë funksionale që të bëjë shqyrtimin e këtij mjeti ankimi, pra që të vlerësojë shkaqet e parashtruara në mjetin e ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), nuk është e lidhur detyrimisht me vullnetin e gjyqtarit të vetëm, por ka detyrimin që të vlerësojë në mënyrë të pavarur dhe kryesisht plotësimin e kushteve dhe kritereve formale të mjetit të ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), sipas nenit 450 të KPC. Ky qëndrim, është i bazuar në përcaktimet e nenit 450, pika 3 të KPC, në të cilin është parashikuar shprehimisht se: “Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi”.
Vendimi për “mospranimin e ankimit” është një vendim përfundimtar në kuptim të nenit 315 të KPC, ndërsa, vendimi për “pranimin e ankimit”, është një vendim i ndërmjetëm, i cili, do ti nënstrohet kontrollit të gjykatës rishikuese, kur çështja ti paraqitet asaj për shqyrtim.
Neni 450 i KPC është një dispozitë e përgjithshme mbi ankimet, që i njeh të drejtën gjyqtarit monokratik, të gjykatës që ka dhënë vendimin, të vlerësojë në mënyrë primare aspektet formal-procedurale të ankimit. Në këtë dispozitë, ligjvënësi ka parashikuar të drejtën dhe detyrimin primar të gjyqtarit që ka dhënë vendimin, në dhomë këshillimi, si filtër paraprak, për të vlerësuar nëse ankimi plotëson kushtet formal-procedurale për t’u shqyrtuar nga gjykata më e lartë. Kkontrolli paraprak i gjykatës që ka dhënë vendimin mbi ankimin është i mirëfilltë mekanik, formal-procedural (më konkretisht verifikohet afati i paraqitjes së ankimit, legjitimiteti procedural i palës që ka bërë ankim, ankimueshmëria e vendimit etj). Ky kontroll nuk lidhet me vlerësimin në themel të shkaqeve të ankimit për të cilin ka kompetencën ekskluzive gjykata më e lartë rishikuese.
Gjykata që shqyrton pranueshmërinë e ankimit merr vendim të ndërmjetëm apo jopërfundimtar gjatë kësaj faze paraprake të shqyrtimit të apelit. Dosja e themelit dhe ankimi i shqyrtuar në këtë fazë kalon për gjykim në gjykatën e apelit vetëm atëherë kur gjykata që ka dhënë vendimin nga kontrolli paraprak konkludon se apeli nuk kanë shkaqe papranueshmërie.
Gjykata e apelit vlerëson se nuk lejohet ankim i veçantë ndaj vendimit të gjykatës që pranon kërkesën e palës për ankim. Ligjvënësi, në nenin 450 të KPC, ka parashikuar në mënyrë eksplicite të drejtën e paraqitjes së ankimit të veçantë vetëm kur gjykata ka vendosur mospranimin e ankimit, ndaj vendimit të ndërmjetëm me të cilën pranohet ankimi, nuk mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit. Ligjvënësi ka lënë në disponimin e gjykatës që gjykon themelin e çështjes që ankimohet, vlerësimin nëse ankimi është pranuar brenda kritereve ligjore dhe jo në diskrecionin e gjykatës që ka dhënë vendimin duke u ankimuar me një gjykim të veçantë. Një qëndrim i tillë është i bazuar, Së pari në ekonomi gjyqësore, dhe së dyti në paanshmërinë e gjykatës përpara ligjit, duke i dhënë mundësi palës, që të ketë në dispozicion mjete procedurale për të kundërshtuar vendimin e gjykatës më të ulët në një gjykatë më të lartë duke garantuar të drejtën e ankimit si një të drejtë efektive.
Përsa i përket legjitimimit procedurial të palës kërkuese, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, si përfaqësues i PDSH-së. Në nenin 442/b KPC është parashikuar kuptimi i rekursit dhe në këtë nen thuhet: “Rekursi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod”. Gjykata e apelit vlerëson se në kushtet kur Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim rekursin e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit duke u shprehur për plotësimin e kushteve formale për paraqitjen e rekursit sipas nenit 474, 475 e 476 të K.Pr.Civile si dhe ekzistencën e shkaqeve ligjore për rekurs sipas nenit 472 të K.Pr.Civile, ka legjitimuar Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit si organ përfaqësues të subjektit juridik PDSH, duke i njohur në këtë mënyrë të drejtën që t’i drejtohet gjykatës së shkallës së parë me kërkesë për rregjistrimin e ndryshimeve statutore, dhe në varësi të vendimarrjes së gjykatave më të ulëta të ushtroj mjetet e ankimit, sikurse rekursi në rastin konkret. Pra kërkesa është paraqitur nga një subjekt i cili gëzon legjitimitet procedural për paraqitjen e kërkesës, si kusht i domosdoshme për të ushtruar të drejtat procedurale në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.
Gjykata e apelit çmon se vendimi i gjykatës për mospranimin e ankimit, sipas nenit 450 të K.P.Civile, është një vendimmarrje e cila nuk shqyrton dhe nuk shprehet lidhur me thelbin e kërkesave/pretendimeve të palëve, si dhe me faktin nëse gjykata, vendimi i të cilës ankimohet, ka zbatuar drejt ose jo ligjin material e procedural civil.
Për sa më sipër, në zbatim të nenit 450 të K.Pr.Civile, Gjykata e Apelit konkludon se duhet të vendoset mospranimi i ankimit të ushtruar, kundër vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në kuadër të parashikimeve të nenit 450, pika 2 e K.Pr.Civile vendimi i mospranimit të ankimit i njoftohet subjekteve që kanë bërë ankim dhe ndaj këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas afateve të parashikuara në ligj.
PËR KËTO ARSYE :
Gjykata e Apelit të Jurdiksionit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 450 pika 1 shkronja “ç” të Kodit të Procedurës Civile,
VENDOSI :
- Mospranimin e ankimit të ushtruar kundër vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5(pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit.
- U shpall në Tiranë, sot më 11.06.2024.
ANËTAR ANËTAR KRYESUES
Elona TORO Iliba BEZATI Alma AHMETI