Nga 1 nëntori nis zbatimin vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për aplikimin e çmimeve të rritura të energjisë në orarin e pikut të furrave prodhuese të bukës dhe pastiçerive.
Në një intervistë për gazetën “Panorama” ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi tregon se çmimet do të rriten me 15% për të gjitha kategoritë, në varësi të llojit të aktivitetit të furrave. Por kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të bukës. Më tej ekspertja tregon se prodhuesit pohojnë se rritjen e çmimit të energjisë do ta reflektojnë në rritjen e çmimit të bukës në 15- 20 lekë. Kjo situatë sipas saj nënvizon nevojën për masa mbështetjeje për këtë sektor për të lehtësuar presionin e kostove mbi këto biznese, duke i ndihmuar të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të ofrojnë produkte më të përballueshme për konsumatorët.
Sa do të rritet çmimi i energjisë konkretisht dhe kush do të preket nga kjo rritje?
Sipas këtij vendimi, çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 15% për katër orët e pikut të prodhimit të bukës. Kjo rritje pritet të ndikojë në koston e prodhimit dhe mund të reflektohet në çmimet e produkteve përfundimtare që ofrohen për konsumatorët. Sipas vendimit, orari i pikës për aplikimin e çmimit të energjisë është si në vijim: Nga 1 nëntor deri më 31 mars: çmimi do të jetë në fuqi nga ora 18:00 deri në 22:00; nga 1 prill deri më 31 tetor: çmimi do të aplikohet nga ora 19:00 deri në 23:00. Sipas pikës 2 të vendimit, tani që ka hyrë në fuqi, çmimi i energjisë aktive në orarin e pikut do të jetë si më poshtë: Kategoria I: Furra Buke/ Prodhim mielli do të paguajë 8.74 lekë/kËh, nga 7.6 lekë/kËh që ishte më parë; Kategoria II: Furrë Buke/ produkte mielli shoqëruese, pastiçeri nga 9.5 lekë në orarin e pikut çmimi i energjisë do të jetë 10.93; Kategoria III: Furra Buke/Prodhim mielli, Pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres) çmimi nga 12 lekë do të jetë në 13.8 lekë/kËh.
Cili është komenti juaj për këtë vendim? Mund të na jepni disa detaje më të thelluara lidhur me të?
Ky vendim është marrë për shkak se ngarkohet rrjeti gjatë orarit të pikut. Furrat e bukës kanë mundësinë të zgjedhin një orar tjetër për prodhimin e bukës, duke minimizuar kështu ndikimin në kostot e energjisë. Kjo do të ndihmojë në menaxhimin më efikas të burimeve dhe do të lehtësojë ngarkesën në rrjet.
Prodhuesit e bukës janë kundër vendimit. A është e mundur që ata të vazhdojnë aktivitetin e tyre normalisht duke shmangur orarin e pikut?
Prodhuesit e bukës janë kundër vendimit për rritjen e çmimit të energjisë në orarin e pikut, pasi kjo do të rrisë kostot e prodhimit dhe, për pasojë, do të ndikojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Shumë nga këta prodhues kanë pohuar se po planifikojnë të rrisin çmimin e bukës me 15 deri në 20 lekë. Prodhuesit e bukës e konsiderojnë këtë vendim si të padrejtë, pasi besojnë se duhet të kenë lehtësira në kushte të tilla. Ata po përballen me vështirësi financiare si rezultat i rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe rritjes së pagave të punonjësve. Sipas tyre, një rritje tjetër në kostot e energjisë do t’i vështirësojë akoma më shumë situatën dhe do të ndikojë negativisht në qëndrueshmërinë e bizneseve të tyre.
Si do të bëhet faturimi i prodhuesve të bukës pas këtij vendimi?
Faturimi do të behet me dy fasha, kjo nënkupton se ato do të përballen me kosto të ndryshme për energjinë elektrike.
A do të sjellë kjo rritjen e çmimit të bukës?
Kërkesa e Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave për pezullimin e tarifës shtesë në oraret e pikës tregon shqetësimin e prodhuesve për rritjen e kostove të energjisë elektrike. Prodhuesit pohojnë se ato rritjen e çmimit të energjisë do ta reflektojnë në rritjen e çmimit të bukës në 15- 20 lekë. Kjo situatë nënvizon nevojën për masa mbështetjeje për këtë sektor për të lehtësuar presionin e kostove mbi këto biznese, duke i ndihmuar të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të ofrojnë produkte më të përballueshme për konsumatorët.
Pse qytetarët janë të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimit të bukës?
Ushqimi është një nevojë themelore për çdo njeri, dhe buka ka një rol kyç në dietën tonë. Në Shqipëri, shpenzimet për ushqim përbëjnë një pjesë të madhe të buxhetit familjar, siç tregon statistika nga INSTAT. Kjo tregon se për shumë familje, siguria ushqimore është një prioritet i rëndësishëm. Këto të dhëna, gjithashtu, pasqyrojnë sfidat ekonomike me të cilat përballen shumë njerëz dhe nevojën për qasje në ushqim cilësor dhe të përballueshëm. Buka është një pjesë thelbësore e dietës së përditshme për shumicën e shqiptarëve. Një familje me katër anëtarë konsumon mesatarisht një bukë në ditë, kjo do të thotë se çmimi i bukës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet e tyre për ushqim. Një rritje e çmimit të bukës ka ndikim të rëndësishëm në buxhetin familjar, veçanërisht për ata që kanë të ardhura të kufizuara. Kjo nënvizon rëndësinë e monitorimit të çmimeve ushqimore për të siguruar që familjet të kenë akses në produkte të përballueshme dhe cilësore.
A mund ta përballojnë qytetarët një rritje të tillë?
Familjet me të ardhura nën mesatare dhe të ulëta, një rritje prej 15-20 lekësh për bukë mund të ketë një ndikim të madh, duke i detyruar të rishikojnë buxhetin e tyre dhe të ndjekin një stil jetese më të kufizuar. Pensionistët do të jenë ndër të parët që do të ndiejnë efektet e rritjes së çmimeve të bukës. Ky grup është veçanërisht i ndjeshëm ndaj rritjeve të çmimeve për produkte themelore, si buka. Me një buxhet të kufizuar, çdo rritje e çmimeve i detyron ata të rishikojnë prioritetet e shpenzimeve, duke ndikuar në cilësinë e jetesës së tyre. Kjo është një situatë e vështirë, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm me pensione të ulta, ku rritjet e çmimeve mund të krijojnë tensione financiare dhe mundësi të kufizuara për të përmbushur nevojat themelore. Indeksimi i pensioneve me 4.1% po perceptohet si kompensim i rritjes së çmimit të bukës.
Si mund të shmanget rritja e çmimit të bukës?
Prodhuesit duhet të planifikojnë prodhimin e bukës në orët e natës, kur tarifat nuk janë të larta. Megjithatë, kjo kërkon një organizim të mirë të proceseve prodhuese për të siguruar që produktet të jenë të freskëta. Kjo mund të përmirësojë efikasitetin dhe t’i ndihmojë ata të mbajnë çmimet e produkteve më të ulëta për konsumatorët. Prodhuesit duhet të kuptojnë që duhet të gjejnë zgjidhje për të mos rritur çmimin e bukës (duke garantuar cilësinë dhe peshën) sepse kjo do të ndikojë në uljen e fuqisë blerëse.