Kur mazhoranca kaloi në shkurt 2024 ndryshimin e Ligjit “PËR ZONAT E MBROJTURA”, publiku e ndjeu erën e korrupsionit, por nuk e perceptonte akoma dëmin që mund të vinte.
Kryeministri Edi Rama tashmë ka nisur vënien në zbatim të planit për kafshimin e Zonave të Mbrojtura në Natyrore në bregdet. Kështu, ndërtimi i një hoteli prej betoni në plazhin e Llamanit në Himarë ka marrë firmën e fundit nga kryeministri në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) që drejtohet prej tij.
Projektligji për resortet e oligarkëve
Po si erdhi deri këtu? Më 22 shkurt 2024 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin nr. 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 81/2017 Për Zonat e Mbrojtura”. Ligji i ri ka hasur në kundërshtime dhe kritika të rrepta nga grupe të shoqërisë civile, nga sfera e politikës dhe madje, ka pasur reagime edhe nga përfaqësues të BE-së.
Neni 11 i këtij ligji sulmon zonat e mbrojtura detare, duke hequr ndalimin për “ndërtime të përhershme në to”, duke eliminuar fare “ndërtimet turistike të përkohshme, sezonale me konstruksione të lehta, miqësore ndaj mjedisit” të parashikuara në nenin 33 të ligjit origjinal, të ndryshuar në tërësi.
Më tej u është lënë rrugë të hapur ndërtimeve “akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizimit…”. Çudia është se lejimi i tyre nuk varet më nga VKM-ja e zonës së mbrojtur. Këshilli Kombëtar i Territorit merr rol përcaktues në veprimtaritë e lejuara në zonat e mbrojtura, siç del nga ndryshimi radikal i nenit 33.

Leja për betonizimin e gjirit të vogël piktoresk
Më 19 shkurt 2025, KKTU miratoi lejen e ndërtimit për objektin: “The Concave”. Kjo është një strukturë hoteleri dhe shërbimesh 3 dhe 4 kate dhe pishina, me vendndodhje në Llaman, Bashkia Himarë. Ndërsa subjekti që e ndërton është shoqëria “Bega – 07” sh.p.k. me pronar Arben Muçobegën.

I vendosur brenda një trualli 56,000 m², zhvillimi përfshin 10,835 m² dhe përmban 63 çelësa, një qendër Wellness prej 460 m², pishina të brendshme dhe të jashtme, zona të kohës së lirë, restorante dhe bare, si dhe parkim të brendshëm privat me hapësira shtesë të jashtme për akses në plazh.
Dy hartat e vendimeve ku u kafshua Llamani
Pavarësisht se e kujt ishte idea, e Muçobegajt apo e Kryeministrit Rama, apo e Mirela Kumbaros, ajo kërkonte përpunim me vendime qeveritare dhe parlamentare. Sepse korrupsioni më i madh në Shqipëri bëhet me “ligje”! Ndryshohen ligjet, studimet, vendimet, hartat në përshtatje me interesin e dikujt apo të një grupimi interesash. Më pas pamja e kësaj “vepre” nuk ka asgjë “të paligjshme”.
Ky vend është ndoshta diamanti i bregdetit. Gjiri i Porto Palermos dhe Llamanit kanë edhe histori edhe peizazh, infrastrukturë portuale dhe objekte të trashëgimisë. Kjo ishte një zonë e mbrojtur deri vonë sepse ka brenda një bazë ushtarake detare (tunelin e nëndetëseve).
Megjithëse kishte studime të mëparshme të shoqatave ekologjike të financuara nga organizatat ndërkombëtare dhe vetë qeveria, një grup pune me inxhinierë dhe ekspertë të mjedisit përcaktuan territorin dhe rëndësinë e mbrojtjes së tij.

Plani për zonën e mbrojtur u dorëzua në vitin 2015 në ministrinë e Mjedisit. Kjo më poshtë është harta e vitit 2015.

“Pikat më të spikatura për Zonën e Mbrojtur që kërkojne vëmendje të veçantë dhe paprekëshmëri janë: Kepi i Alpunit, plazhi i Llamanit, Kepi i Kavadarit, Gjiri i Armeridhës, tuneli i ushtrisë, shpella, Gadishulli dhe Kalaja e Aliut, amforat, formacioni me Euphorbia, Kisha e Shën Nikollës, Gjiri i Shën Nikollës, Kepi i Panormisë, Gjiri i Gravës dhe Kepi i Spinarasit, etj,” citojmë Planin e Menaxhimit. Plani ishte kontraktuar nga vetë ministria e Mjedisit. Pas përfundimit të tij, ministria përgatiti projektvendimin “Për shpalljen e Ekosistemit Natyror Detar-Bregdetar të Gjirit të Porto Palermos-Llamani “Park Natyror”.

Por këto dokumente ku janë koordinatat e parkut nuk u miratuan nga Këshilli i Ministrave sepse kishte plan B që nuk ka lidhje me interesin publik.
Në 29 korrik 2022, qeveria miratoi me vendim “Shpalljen e ekosistemit natyror detar – bregdetar të Gjirit të Porto-Palermos “Park Natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), sipas hartës së re që e paraqesim më poshtë.

Në këtë hartë përjashtohet Kepi i Alpunit dhe Plazhi i Llamanit. Kjo është ekzekutuar nga ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro në zbatim të idesë që ka pasur biznesmeni përfitues.
Por edhe pse është jashtë zonës së mbrojtur, ky hotel që do të ndërtohet është një përbindësh betoni buzë ujit të detit, që e gërvisht në mënyrë të shëmtuar peizazhin shkëmbor bregdetar.

Pamja më sipër është projekti si do të jetë hoteli, ndërsa pamja më poshtë është gjendja natyrore ekzistuese.

Ndërkohë, që të ndërtosh në bregdet duhet të jesh “investitor strategjik”. Jo më kot, kryeministri Rama e shtyu afatin e ligjit për investitorët strategjikë, sepse kishte akoma ca punë për të mbaruar në bregdet.
Në fund të vitit të kaluar mbaroi afati i stërzgjatur i dhënies së statusit të investitorëve strategjikë. Qeveria e ndryshoi kohëzgjatjen deri në fund të vitit 2026.

Kjo është shtyrja e tretë e afatit të një ligji që është miratuar në vitin 2015, dhe u prezantua si një masë e përkohshme nga qeveria “Rama”, fillimisht me afat deri në vitin 2018. Por afati i tij u shty edhe dy herë të tjera në Kuvend me justifikime të ndryshme nga socialistët.
Ligji ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë, skema e investitorëve strategjikë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.
Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.
Ashtu si burri i ish-ministres Olta Xhaçka (i njohur nga publiku pasi çështja shkoi deri në Kushtetuese) nga ky status ka përfituar edhe Arben Muçobega, i cili nuk e zotëron në pronësinë e tij tërësisht territorin që do të betonizojë në Gjirin e Llamanit.
Fillimisht, në 5 maj 2024, me Vendimin NR. 6, DATË 07 / 05 / 2024, kryeministri Rama në Komitetin e Investimeve Strategjike vendosi “Mospranimin e kërkesës për përfshirjen e projektit investues “Resort në Gjirin e Llamanit”, për arsye se: Zona e projektit nuk ka një regjistrim fillestar në kadastër, mosregjistrim i cili pengon marrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e institucioneve.

Kjo “çështje ligjore’ u rregullua më vonë ministrja Kumbaro dhe bashkia Himarë, me sa duket duke i dhënë tokën e shtetit biznesmenit Muçobegaj.
Veliaj është kumbar i Muçobegës para Mirela Kumbaros
Kompania “Bega-07” ka brenda këtë shifër që në Shqipëri nuk ka lidhje me Xhejms Bondin, por me personazhet e korrupsionit. Kjo firmë është denoncuar shpesh në media për shkatërrimin e bregdetit të jugut me ndërtime, për pastrim parash me pallate në Tiranë, falsifikime pronash në Himarë dhe në Tiranë. Kompania u themelua në vitin 2007, Arben Muçobega me kapitalin 100 mijë lekë.
Ndërkohë kompania ka hedhur miliona euro në ndërtimin e dhjetëra pallateve nga Himara në Tiranë. Me çfarë dokumentacioni i justifikon Arben Muçobega qarkullimin e dhjetëra milionë eurove me një kompani me kapital 100 mijë lekë? Sigurisht, pa lidhje me politike nuk mund të bësh kaq shumë ndërtime.
Në gusht të vitit 2018, një zjarr përfshiu një dhomë që shërbente si magazinë në çerdhen numër 14 në Tiranë. Çerdhja ku ra zjarr në zonën e ‘Ali Demit’, është inauguruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në shtator të 2015-ës.
Aso kohe, Veliaj ndërmori një nisëm të quajtur ‘adopto një çerdhe’, ku ftonte sipërmarrës që të kontribuonin në restaurimin e çerdheve të kryeqytetit. Në njoftimin e shpërndarë nga Bashkia për inaugurimin e rikonstruksionit të çerdhes numër 14 thuhej se donatori ishte Arben Muçobega.
Më vonë, pas ‘donacionit’, Arben Muçobega, mori nga Veliaj një leje ndërtimi për ngritjen e një pallati në zonën e ‘Pazarit të Ri’ në kryeqytet. Kjo i hapi rrugë edhe për 4 leje të tjera ndërtimi në Tiranë, por i dha kredenciale biznesmenit që iu hapën portat tek eksponentët e tjerë të “Rilindjes”, si Mirela Kumbaro apo kryetari i bashkisë Himarë, Jorgo Goro. Ky i fundit gjendet në burg për korrupsion me pronat dhe lejet e ndërtimit në bregdet. Ndërsa më 10 shkurt Erion Veliaj u arrestua nga SPAK për korrupsion dhe fshehje të pasurisë. Ndërkohë, Muçobega dhe Kumbaro kanë akoma kohë që të ndërtojnë në plazhet dhe kepet e tjera akoma të paprekura.Gijotina.com
