Nga janari 2026 paga minimale do të shkojë në 500 euro nga 400 që është aktualisht. Kjo është vetëm një pjesë nga programi i Partisë Socialiste që kryeministri Rama e zbuloi në komunikimin “Sy m’sy” me qytetarët në vigjilje të zgjedhjeve të 11 majit.
“Pagën minimale e kishim 157 euro, e kemi 400 euro. Dhe në qershor do ta bëjmë 500 euro dhe do futet në efekt nga janari 2026. Shumica e bizneseve e kanë shumë më të lartë pagën minimale sot”, tha Rama.
Procedura për mbylljen e Tiktok ka mbaruar dhe aksesi në platformën sociale nuk është më i mundur, ndërsa Kreu i qeverisë e kishte një thirrje kryesisht ndaj të rinjve për të mos përdorur VPN pasi rrezikojnë hakerimin e të dhënave. Qeveria ka bërë të qartë se TikTok do të hapet menjëherë sapo kompania kineze të vendosë filtra për mbrojtjen e të rinjve.
TikTok në smartphone është mbyllur, e kam informacion dhe si këshillë për të gjithë ata që do dëgjojnë VPN falas, mos i hyni asaj rruge, se janë hapja e shtegut për të humbur të dhënat që keni në telefon se hakerat janë aty gati t’ua gllabërojnë të dhënat. Kujdes me telefonat prindër, nëse fëmijët u fusin VPN u morën në qafë. Falas falas, po është një dardhë që e ka bishtin mbrapa”, theksoi Rama.
Rama iu bëri thirrje edhe prindërve që të tregojnë kujdes në mënyrë që fëmijët të mos përdorin VPN.
TikTok në smartphone është mbyllur, e kam informacion dhe si këshillë për të gjithë ata që do dëgjojnë VPN falas, mos i hyni asaj rruge, se janë hapja e shtegut për të humbur të dhënat që keni në telefon se hakerat janë aty gati t’ua gllabërojnë të dhënat. Kujdes me telefonat prindër, nëse fëmijët u fusin VPN u morën në qafë. Falas falas, po është një dardhë që e ka bishtin mbrapa.”, shtoi ai.
Ndjekësve në rrjetet sociale që i kërkojnë të vijojë telenovelën me Lulzim Bashën, i përgjigjet kështu.
“Për foto nuk e di se fizikisht nuk puqemi por zemrën e kemi të lidhur. Jemi të lidhur me zemër, por vetëm se nuk jemi larg syve dhe larg zemrës. Jemi larg syve dhe sytë në zemër”, theksoi Rama.
Rama e cilësoi reformën në drejtësi si bëmën më të madhe dhe historike të PS. Më 11 Maj, shtoi kryeministri, është e rëndësishme që të votohet për PS për të mos u kthyer pas në atë që ai e quajti si ‘drejtësia e pazarxhinjve’ dhe ku vetëm drejtësi nuk kishte dhe nuk bënte askush.
“Drejtësia e re ka lajthitjet e veta por është krejt normale, rëndësi ka që drejtimi është i duhur, që kthesa po ndodh dhe vullneti është i plotë.”, u shpreh Rama.
Partia Socialiste thotë Rama, ndërsa i përgjigjet skeptikëve, është e vetmja që jo vetëm mund të integrojë vendin në BE, por edhe të garantojë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi.