Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Jonida Omeri, kreu i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, e vlerëson procesin, por ngre shqetësimin për gjuhën e përdorur nga politikanët.
“Fushata elektorale po vazhdon këtu, nganjëherë, në mënyrë pak të dhunshme verbalisht. Mund të them që në përgjithësi nuk shoh ndryshim të madh midis situatës këtu në Shqipëri dhe një vendi tjetër, ku bëhet fushatë elektorale,” tha z. Tarran.
Ambasadori i OSBE-së pa nga afër procesin e pritjes së zarfeve me votën e diasporës në qendrën “Feti Borova”. I shoqëruar nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ata garantuan për integritetin e fshehtësisë së votës nga ana e institucioneve.
“Integriteti i votës është i siguruar nëpërmjet të gjitha protokolleve që po aplikon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për procesin e votimit nga jashtë. Zarfet që ka dërguar votuesi përmbajnë të dhënat e emrit dhe identitetit të tyre vetëm në zarfin e DHL-së,” u shpreh kryetari i KQZ-së, z. Celibashi.
“Fshehtësia e votës nga ana e tyre është vendimi i tyre. Nëse kanë dëshirë ta bëjnë publike votën e tyre çfarë mund të bëjë KQZ-ja ose dikush tjetër,” shtoi kreu i Prezencës së OSBE-së.
Pas dy ditësh pa ardhje të reja, këtë të mërkurë mbërritën 13 mijë zarfe me vota nga diaspora në Pallatin “Feti Borova”. KQZ-ja i bën thirrje diasporës t’i dërgojë zarfet deri para orës 19:00 të 11 majit ose vota do të jetë e pavlefshme.