Referuar të dhënave në Regjistrin e Lejeve Minerare, aksidenti ka ndodhur në galeritë e kompanisë “GERTI Shpk”, e cila është në pronësi të Jeton Danit. Ky i fundit është një emër i njohur në zonë, jo vetëm për aktivitetin minerar, por edhe për angazhimin politik në Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e 11 majit, djali i tij, Murat Dani, kandidoi për deputet në listën e hapur të PS-së në qarkun e Dibrës
Një aksident me pasojë vdekjen e një punëtori është shënuar këtë të mërkurë, rreth orës 11:00, në minierën e Bulqizës. Viktima është identifikuar si Fari Veliu, 66 vjeç, i cili ka humbur jetën gjatë punës në galeritë e minierës. Rrethanat e ngjarjes ende nuk janë bërë të qarta. Policia bëri me dije se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Minatori u transportua në Spitalin e Bulqizës, por pa shenja jete. Burime nga stafi mjekësor i thanë BIRN-it se trupi i punëtorit kishte dëmtime të shumta dhe, pavarësisht përpjekjeve të tyre, nuk mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar.
Referuar të dhënave në Regjistrin e Lejeve Minerare, aksidenti ka ndodhur në galeritë e kompanisë “GERTI Shpk”, e cila është në pronësi të Jeton Danit. Ky i fundit është një emër i njohur në zonë, jo vetëm për aktivitetin minerar, por edhe për angazhimin politik në Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e 11 majit, djali i tij, Murat Dani, kandidoi për deputet në listën e hapur të PS-së në qarkun e Dibrës.
I kontaktuar nga BIRN-i, Dani kërkoi të “lihej rehat” dhe refuzoi të fliste për ngjarjen ku humbi jetën minatori 66-vjeçar.
Veliu ishte një nga minatorët që, pavarësisht moshës dhe kushteve të rënda të punës, detyrohej të rikthehej në galeritë e kromit për shkak të pamundësisë për të siguruar jetesën vetëm me pension.
Ky aksident përbën ngjarjen e tretë me pasoja fatale në sektorin minerar në zonën e Bulqizës dhe Klosit gjatë këtij viti. Pak muaj më parë, një punëtor i ri humbi jetën teksa punonte në një fabrikë pasurimi kromi në Klos, ndërsa trupi i tij u gjet vetëm pas disa javësh kërkimesh intensive, ku morën pjesë banorët e zonës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Kosovës./BIRN