Përgjegjësi dhe administratorja e një dyqani pajisjesh kompjuterike në Korçë janë marrë nën akuzë nga policia vendore, menjëherë pas denoncimit të pronarit të kompanisë për përvetësim malli dhe dëm ekonomik nëpërmjet mashtrimit.
Burime zyrtare konfirmuan hetimet ndaj 25-vjeçarit nga Tirana dhe 57-vjeçares nga Korça.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit Xh. P., 25 vjeç, banues në Tiranë, dhe E. K., 57 vjeçe, banuese në Korçë, pasi ka kallëzuar administratori i një subjekti tregtar, se 25-vjeçari, i punësuar përgjegjës në këtë subjekt, ka përvetësuar një shumë parash dhe ka mashtruar për shitjen e 8 njësive kompjuterike, në subjektin që administrohej nga 57-vjeçarja”, bëri me dije policia për rastin.
Pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje ata janë lënë për hetim në gjendje të lirë.
Mësohet se 5 prej njësive kompjuterike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kurse hetimet i kaluan prokurorisë vendore.