Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani ndodhet këtë të martë në SHBA, aty ku pritet të ketë një takim të nivelit të lartë.
Zyra e shtypit në Departamentin Amerikan të Shtetit bën me dije se kreu i SPAK në orën 16:30 (22:30 me orën shqiptare) do të pritet në takim nga zyrtari i lartë i Byrosë për çështjet evropiane dhe euro-aziatike Brendan P. Hanrahan.
Takimi i nivelit të lartë që është përfshirë në agjendën zyrtare publike të DASH do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Kjo vizitë e Dumanit në SHBA vjen vetëm dy javë para se KLP të çelë (në datë 15 shtator) garën për drejtuesin e ri të SPAK, duke qenë se mandati i Dumanit si drejtues i Prokurorisë së Posaçme përfundon në muajin dhjetor.