Kalimi në turin e tretë për Partizanin është një detyrë, duke parë kundërshtarin që ka përballë, por dhe një nevojë për financat e klubit.
Aktualisht të kuqtë kanë arkëtuar në total 810 mijë euro, teksa presin të mësojnë fatin në Ligën e Konferencës. Në rast se eliminohen nga Atletik Eskaldes, Partizani do të siguronte në total 1.16 milionë euro, ndërkohë që kalimi në turin e tretë do të kushtonte minimalisht 300 mijë euro më shumë, që nuk janë pak për një klub të niveleve tona.
Duke llogaritur edhe shitjet dhe shpërblimet e tjera, Partizani do ta mbyllte këtë vit me më shumë se 3 milionë euro. Nëse kalon edhe raundin e tretë, shkon në “play off”, fitimet do të rriteshin edhe me të paktën 300 mijë euro të tjera.
Kështu, sfida e dytë ndaj Atletik Eskaldes do të duhet të menaxhohet si duhet. Me shumë mundësi në turin e tretë i presin letonezët e Valmierës.