Ish-kryeministri Sali Berisha ka ironizuar mbledhjen e qeverisë nga kryeministri Edi Rama në Tepelenë.
Përmes një reagimi në Facebook, Berisha thotë se mbledhja u zhvillua nën kujdesin e kryebashkiakut Tërmet Peçi, i cili kishte sjellë me vete raki e dhallë.
Sipas Berishës, qeveria u mblodh në Bënçë të Tepelenës pas arrestimit të Vangjush Dakos, arratisjes së ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe aktit horror të Rrajave në Fushë-Krujë.
Reagimi i Berishës:
Gjithmonë përpara, Bënça na pret!
Turizmi qeveritar dy ditor i Bënçës u mbyll me moton:
Gjithmonë përpara Bënça na pret!
Miq, prej dy ditësh qeveria e Edi Ramës është mbledhur në Bënçë, me mace dhe minj, ministra, zëvendës ministra, sekretarë e këshilltarë, gjithsej pa shoferët dhe badiguardët bëheshin 210 vetë.
E gjithë ritrita e Bënçës u zhvillua nën përkujdesjen vëllazërore të Tërmet Peçit i cili thuhet se siguroi 200 ferlike keci, 25 domixhanë raki dhe pesë fuçi dhallë dybeku.
“Epo derrat e kënaqur nuk kanë të ngopur”: shprehet nën zë Tërmeti.
Në të vërtetë ritrita e Bënçës ishte si përshpëritja jo vetëm e qeverisë por e gjithë regjimit dhe kjo e mallëngjente shumë Tërmetin!
Miq, Bënça nuk u zgjodh rastësisht, por fatalisht.
Ritrita e Bënçës u mblodh pas arrestimit të Gjushit, mikut më të shtrenjtë familjar të Edi Ramës, pas aktit horror të mafies së PS Rraja, pas arratisjes së bashkëpuntorit më të afert të Edi Ramës, Arben Ahmetaj dhe publikimit të dosjes së tij si aktakuzë dhe nekrologji ligjore për Edi Ramën dhe qeverisë së tij, u mblodh pas sakrifikimit dhe përcjelljes drejt qelisë së numrit dy të Partisë Socialiste, Damian Gjiknurit, pas Asamblesë me dyer të mbyllura të mafies shtetërore më të rrezikshme në Europë.
Në këto rrethana, mafia qeveritare kishte vetëm dy alternativa për të zgjedhur: Burrelin ose Bënçën!
Ndaj zgjodhën Bënçën, si më të lehtë për të ardhmen e tyre dhe pas dy netë e tre ditë, u larguan të bindur me moton “Gjithmonë përpara drejt Bënçës që na pret!” #sb