Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një konferencë për mediat, theksoi se inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë.
Gjithashtu u shpreh se në aspektin makroekonomik ngadalësimi i rritjes së çmimeve u ndikua nga inflacioni i importuar.
“Ritheksoj se kursi i këmbimit ka ardhur nga përmirësime strukturore. Është një trend që ka ardhur si përmirësim i bilancit të pagesave, burimet i kemi përmendur, janë remitancat, turizmi. Ne jemi në pikun e sezonit dhe historikisht është vënë re një lëvizje e tillë. BSH e ka të përcaktuar me ligj kur ndërhyn për kurs këmbimi, për efekt të objektivave tonë ligjorë. Pra këto janë elementë që i kemi respektuar, kursi i këmbimit monitorohet me kujdes”, u shpreh ndër të tjera Sejko, duke shtuar: “Këshilli mbikqyrës thekson se mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kurseve të këmbimit gjatë muajve të fundit. Nëse zgjerohen më tej këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor dhe objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar. Nëse do të konstatohen këto premisa BSH rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor në përmbushje të mandatit të saj ligjor”.
Fjala e plotë:
Sot, në datën 2 gusht 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.
Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë – në përgjithësi – në linjë me pritjet tona dhe me trendin e zhvillimeve në partnerët tanë tregtarë. Inflacioni vijoi të shënojë rënie gjatë tremujorit të dytë, në pasqyrim të rënies së presioneve të huaja, të forcimit të kursit të këmbimit dhe të reduktimit të pritjeve për inflacionin. Paralelisht me të, aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në zgjerim.
Të dhënat e disponuara sugjerojnë se normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka pasur një rol pozitiv në këtë tablo, duke ndihmuar në kontrollin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare.
Përditësimi i parashikimeve për të ardhmen rikonfirmon pritjet tona të mëparshme. Bazuar në trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të tyre, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.
***
Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një vlerë mesatare prej 4.6% gjatë tremujorit të dytë, duke rënë me pothuaj dy pikë përqindjeje nga tremujori paraardhës. Kjo rënie pasqyroi normat më të ulëta të inflacionit të ushqimeve, dhe në veçanti të atyre të papërpunuara, dhe të inflacionit të mallrave të konsumit joushqimor, dhe në veçanti të atij të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës së konsumit u shfaq më i qëndrueshëm.
Në aspektin makroekonomik, ngadalësimi i ritmit të rritjes së çmimeve u ndikua – më së shumti – nga rënia e inflacionit të importuar, në pasqyrim të rënies së inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe forcimit të kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë të shfaqen relativisht të forta e të qëndrueshme. Këto presione ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, kërkesë e cila është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit dhe mban të larta marzhet e fitimit.
Pas rritjes me 2.7% në tremujorin e parë, të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, madje me norma më të larta se ato të tremujorit paraardhës. Në vijim të trendeve të vëna re gjatë dy viteve të fundit, rritja ekonomike është udhëhequr nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe nga rritja e eksportit të shërbimeve, e në veçanti të ardhurave nga turizmi. Nga ana tjetër, rritja e importeve, rënia e eksportit të mallrave dhe konsolidimi fiskal kanë dhënë një ndikim frenues në rritje.
Rritja e vazhdueshme e kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Ajo është pasqyruar në përmirësimin e gjendjes financiare të biznesit e të konsumatorit, në rritjen e punësimit, si dhe – përballë mungesave në tregun e punës – në rritjen e shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit. Në veçanti, pagat në sektorin privat vijojnë të kenë një rritje relativisht të shpejtë, mesatarisht me 9.5% gjatë tremujorit të parë, ndërsa norma e papunësisë është pranë niveleve më të ulëta historike. Kjo dinamikë sugjeron se presionet e brendshme inflacioniste janë relativisht të larta.
Nga këndvështrimi makroekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, rritja e mëtejshme e të ardhurave të disponueshme, rritja e vëmendjes ndaj Shqipërisë si destinacion turizmi dhe kushtet ende të favorshme të financimit.
Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare është transmetuar në tregjet financiare, duke sjellë një rritje të përgjithshme të normave të interesit të depozitave, të kredive dhe të letrave më vlerë të qeverisë. Megjithatë, edhe pse në rritje, kushtet e përgjithshme monetare e financiare mbeten ende stimuluese për rritjen ekonomike. Në përgjigje të tyre, kredia për sektorin privat ka vijuar të shënojë rritje, duke mbuluar kërkesat për fonde të biznesit dhe familjeve shqiptare, si dhe duke stimuluar zgjerimin e konsumit e të investimeve. Treguesit e mirë të likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit bankar, ecuria e mirë e cilësisë së portofolit të kredive, si dhe një përqasje ende pozitive e bankave ndaj kreditimit, sugjerojnë se sektori bankar do të vijojë të mbështesë rritjen ekonomike edhe në të ardhmen.
Nga ana tjetër, kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë vitit 2023. Në terma vjetorë, ky forcim regjistroi një vlerë mesatare prej 8.5% gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12.1%.
Analizat tona sugjerojnë se kahu forcues i kursit të këmbimit është në linjë me përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë, të ndikuara nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente, si dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte. Gjithashtu, ai është konsistent me rritjen e besimit të publikut në monedhën tonë kombëtare dhe reduktimin e primeve të rrezikut në tregjet e brendshme financiare.
I parë në këtë prizëm, në përputhje edhe me përfitimet që ofron një regjim i lirë i kursit të këmbimit, kahu forcues i kursit të këmbimit ka ndihmuar në reduktimin e presioneve të huaja inflacioniste dhe ka mundësuar një normalizim më të ngadaltë të qëndrimit të politikës monetare. Megjithatë, shpejtësia e forcimit të kursit mbetet e lartë dhe luhatjet në tregun valutor janë rritur.
Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se trendet e vëna re në gjysmën e parë të vitit do të vijojnë të jenë të pranishme edhe në të ardhmen.
Sipas skenarit bazë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve e viteve në vazhdim. Ritmi i rritjes pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit aktual e atij në vazhdim, si pasojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në Eurozonë dhe e kushteve më të shtrënguara të financimit, si në vend dhe në botë. Më tej, rritja ekonomike pritet të kthehet pranë niveleve të saj historike në horizontin afatmesëm. Nga ana tjetër, po sipas skenarit bazë, inflacioni pritet të vijojë të bjerë gradualisht gjatë tremujorëve të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Kjo trajektore do të përcaktohet nga rënia e mëtejshme e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, si dhe nga balancimi më i mirë i kërkesës dhe ofertës në vend.
Në të njëjtën kohë, përditësimi i analizës dhe parashikimeve sugjeron një profil më neutral të balancës së rrezikut në krahasim me parashikimet e mëparshme.
***
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje u mbështet nga ecuria pozitive e zhvillimeve të pritura ekonomike në skenarin bazë, nga balanca më neutrale e rrezikut, si dhe nga forcimi i kursit të këmbimit dhe përshpejtimi i trendit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së parë të vitit.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontest, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve.
Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vëren se është duke ndjekur më vëmendje ecurinë e kursit të këmbimit. Këshilli gjykon se forcimi i kursit të këmbimit i ka mundësuar ekonomisë shqiptare të ketë – në mënyrë të njëkohshme – një nga nivelet më të ulëta të inflacionit, të normave të interesit e të kostove të financimit, si dhe një nga nivelet më të larta të rritjes ekonomike në rajon.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës thekson Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kursit të këmbimit gjatë muajve të fundit. Nëse zgjerohen më tej, këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor, si dhe – potencialisht – objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetin financiar. Nëse do të konstatohen këto premisa, Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor, në përmbushje të mandatit të saj ligjor.