Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka përgëzuar efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës, për parandalimin e dy ngjarjeve të rënda kriminale në 72 orët e fundit.
Ministri Balla ka udhëtuar drejt Vlorës për të përshëndetur nga afër efektivët e Policisë së Vlorës.
“Falenderoj nga zemra forcat e Policisë së Shtetit, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlore dhe njësinë e saj operacionale, të cilat në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, kanë realizuar brenda 72 orëve të fundit dy operacione të rëndësishme për parandalimin e ngjarjeve kriminale. Dua t’ju siguroj se do të bëj gjithçka që ju të ndjeheni gjithnjë e më të respektuar, gjithnjë e më të vlerësuar, gjithnjë e më të shpërblyer për atë që bëni për këtë vend! Dua t’i përcjell një përqafim vëllazëror prindërve tuaj, bashkëshorteve, fëmijëve tuaj, motrave e vëllezërve tuaj, të cilët janë mbështetja juaj më e madhe, por janë edhe ata që më shume se sa askush e përjetojnë peshën e uniformës tuaj, për të cilën ju jeni gati të vini në rrezik edhe vetë jetën tuaj! Përgëzime”, është reagimi i Ministrit Balla në rrjetet sociale.
Ndërkohë duke i’u drejtuar efektivëve të Policisë së Vlorës, Balla u shpreh se falënderues dhe premtoi shpërblim financiar.
“Shumë faleminderit për operacionin e kryer me shumë sukses për parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale në këtë kulm të sezoni turistik, ku detyra parësore e Policisë është garantimi i rendit dhe sigurisë publike.
Këto grupe kriminale që prej vitesh kanë dëmtuar rendin publik në Vlorë, duke krijua ngjarje kriminale, po marrin goditje dita ditës dhe dy goditjet e fundit ka qenë parandalim në kohë i policisë të disa ngjarjeve kriminale.
Unë mendoj se vijimi në këtë vrazhdë meriton të vlerësohet maksimalisht nga ana ime si Ministër, por edhe nga Drejtori i Policisë Rrumbullaku”, tha Balla.
“Siç e kemi bërë standard, që për të gjithë efektivët e përfshirë në operacione policore të këtij niveli, do të ketë shpërblim financiarë për secilin prej jush. Ju falenderoj. Mos e ulni ritmin dhe standardin e ri që po vendosni. Puna duhet të vazhdojë ditë pas dite”, tha Balla.