Vladimir Putin jeton si në “bunker” në Kremlin, duke mos dalë nga Rusia, dhe gjithmonë e më shumë i izoluar nga komuniteti ndërkombëtar që kur nisi luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Por, tani ai po mendon të ndryshojë strategjinë dhe të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të G20 në Nju Delhi (Indi), më 9 dhe 10 shtator. Lajmin e bën të ditur NBC, duke cituar burime anonime nga Kremlini.
Kjo është një mundësi që Putini të dalë ballë për ballë me liderët ndërkombëtarë. Në Indi, Presidenti rus ka imunitet, sepse nuk do të duhej t’i përgjigjej urdhrit të arrestit për krime lufte të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC). Ky shtet as nuk i përket dhe as nuk është nënshkrues i gjykatës në fjalë.
Putini është parë në Rusi me disa liderë ndërkombëtarë, si Lukashenko apo Xi Jinping dhe ka vizituar Kinën, Bjellorusinë apo vende të tjera të Azisë Qendrore të lidhura me Kremlinin.
Por, ai nuk ka pasur asnjë takim jashtë vendit me presidentë perëndimorë, me të cilët ka pasur vetë disa biseda telefonike, si në rastin e Macron. Prania e tij në Indi do të ishte një pikë kthese dhe eksperti Alexey Maslov, nga Universiteti i Moskës, beson se ky hap “mund të jetë politikisht agresiv për Putinin”.
Një tjetër arsye për të shkuar në Nju Delhi do të ishte marrëdhënia e mirë e Putinit me Indinë. “Ne e konsiderojmë Indinë si një fuqi të madhe me njerëz miqësorë dhe një histori të mrekullueshme të marrëdhënieve tona.
Marrëdhëniet midis vendeve tona po zhvillohen me synimin për të ardhmen”, tha Putin, i cili mban marrëdhënie tregtare midis Rusisë dhe Indisë, megjithëse kohët e fundit ata kanë pasur mosmarrëveshje për llojin e monedhës në të cilën do të kryheshin transaksionet.
G20 përbëhet nga Australia, Kanadaja, Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara, India, Afrika e Jugut, Turqia, Argjentina, Brazili, Meksika, Franca, Gjermania, Italia, Kina, Indonezia, Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Koreja e Jugut dhe Rusia.
Në samitin e fundit të Arabisë Saudite, Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski i bëri një ofertë paqeje Rusisë, por ajo përfshinte dhënien e Krimesë nga Rusia ndaj Ukrainës, diçka që qeveria e Putinit e kundërshton fuqishëm.
Tani bisedimet diplomatike vazhdojnë, ndërsa Ukraina kryen kundërofensivë dhe Rusia vazhdon sulmet e saj të rënda në tokën ukrainase.