Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka kërkuar që kontrata koncensionare e sterilizimit të shpallet e pavlefshme. Ky vendim ka ardhur për shkak të shkeljeve që janë evidentuar nga SPAK.
Dosja çoi pas hekurave ish-zv.ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj si edhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Vendimi:
184.Sa më sipër u arsyetua, Gjykata bazuar në nenin 41 të Ligjit Nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksionarëve publikë”, nën titullin “Autoritetet përgjegjës për parandalimin, kontrollin dhe zgjidhjen e gjendjeve të konfliktit të interesave”, ku parashikohet shprehimisht se: 1. “Autoriteti qendror përgjegjës për zbatimin e këtij ligji është Inspektorati i lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe që përmendet në këtë ligj me shkurtimin “Inspektorati i Lartë”. Inspektorati i Lartë vihet në lëvizje me kërkesë të institucioneve publike, palëve të interesuara dhe kryesisht me nismën e tij”, çmon se ky vendim duhet t’i komunikohet Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në përfundim të hetimeve paraprake, me qëllim marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore të hetimeve për konstatimin e pavlefshmërisë së Kontratës Koncesionare datë 02.12.2015 të lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësuar nga Ministri z.Ilir Beqaj dhe shoqërisë Saniservise sh.p.k përfaqësuar nga administratori z.Admir Daca.
Nga hetimet rezultoi se Rrapaj bëri një regjistrim formal të kompanisë së tij në Prishtinë si subjekt tatimor, ku deklaroi si punëtor të vetëm të kompanisë veten e tij me pagë 200 euro, ndërsa ajo nuk ka si veprimtari dizinfektimin e sallave kirurgjikale.
SPAK vëren se operatorët fitues kanë patur dijeni të plotë për procedurat e koncensionit dhe kanë parapërgatitur dokumentacionin para se kontrata të shpallej më 13 shkurt 2015.
Ilir Rrapaj mbante kontakte të vazhdueshme me ministrinë e Shëndetësisë, dhe sipas hetimeve ai e regjistroi kompaninë e tij Investital LLC në Prishtinë një muaj pasi fluturoi në Itali me dy drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë, Beqaj e Rrjepaj, dhe një muaj para se të dilte urdhëri i ministrit për ngritjen e komisionit mbi dhënien e koncensionit.
Rrapaj ka udhëtuar edhe me automjetet e zyrtarëve drejtues të ministrisë së shëndetësisë, mes të tjerave, edhe drejt Kosovës.
Ndërsa koncensioni është duke u zbatuar në vitin e tetë të tij, dhe 8 persona janë në hetim, GJKKO-ja orientoi SPAK-un që krahas masave të deritanishme, të zgjerojë hetimet mbi përgjegjësitë penale të dy ish-ministrave Beqaj dhe Cani si dhe 4 komisionerëve të prokurimeve.