Me kërkesë të Minstrit të Drejtësisë Ulsi Manja, Këshilli i Ministrave miratoi sot masën e kompensimit financiar për 9 subjekte përfituese ish-të dënuarish politikë. Nga 9 subjektet përfituese, 7 janë ish-të dënuar politikë të regjimit komunist me burgime të gjata ose izolime në hetuesi, ndërsa dy subjekte përfituese janë me dënime kapitale ose të ekzekutuar pa gjyq.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, u shpreh se “ky vendim vjen me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe është vendimi i 30-të që merr qeveria për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”.
Dëmshpërblimi për ish-të dënuarit politikë do të bëhet me këste
Manja nuk bëri të ditur sa është vlera e këtij dëmshpërblimi ndërsa propozoi ndryshimin e ligjit që të parashikojë zgjidhje për ata dosje të cilat janë dorëzuar jashtë afatit në Ministrinë e Drejtësisë.
“Sot në mbledhjen e qeverisë është trajtuar edhe problematika e trajtimit të disa dosjeve të subjekteve përfituese të regjimit komunist, të cilat janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë jashtë afateve të përcaktuara nga ligji. Kemi rënë dakord që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të përllogarisim sa është kostoja e buxhetit të shtetit lidhur me këtë kategori dosjesh dhe në momentin dhe kohën e duhur, ne ndoshta do të ndërmarrim edhe iniciativën ligjore për të ndryshuar ligjin dhe për të shtyrë afatin e depozitimit të këtyre dosjeve nga ana e subjekteve përfituese, ish-të dënuar politikë të regjimit komunist”, theksoi Manja.