NGA AKADEMIK ANASTAS ANGJELI
Nuk është fjala për “Dimrin e vetmisë së madhe”, romanin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare dhe as mund të heqim paralele me të. Nuk bëhet fjalë as për një “dimër të egër klimaterik”, megjithëse me të, ndonjë paralele edhe mund të hiqet për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimaterike që kanë ndodhur e pritet të ndodhin mbi zhvillimet ekonomike globale. Është fjala për “dimrin e vështirë ekonomik, me bazë krizën energjetike, atë ushqimore, me rritjen e çmimeve dhe të inflacionit të lartë”, pse jo një nga dimrat më të rëndë e më të vështirë pas Luftës së Dytë Botërore. Natyrisht, kushtet, terreni, faktorët, ndikimet dhe pasojat nuk janë të njëjtë me 50-60 vjet më parë. Atëherë, çfarë dhe pse është ky dimër i vështirë?
DIMRI I VESHTIRE EKONOMIK DHE ENERGJITIK
Pra, është fjala për një dimër të vështirë ekonomik dhe energjetik. Një dimër me të cilin do përballen vendet e zhvilluara, ato të BE-së, vendet e rajonit tonë dhe pa dyshim përballë këtij dimri është edhe vendi tone.
Ndërkohë që pandemia po shkon drejt dobësimit të saj dhe pasojat ekonomike dhe sociale filluan të rikuperoheshin, edhe pse në mënyrë të pabarabartë, një krizë e re goditi ekonomitë e vendeve të zhvilluara dhe rajonin tonë. Kjo rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila me shpejtësi të madhe u reflektua dhe u shoqërua me krizën energjetike, (naftës, gazit, energjisë elektrike) shkëputjen e zinxhirit të furnizimit me lëndë të para, krizën e sigurisë ushqimore, rritjen e çmimeve dhe të inflacionit. Muajt e luftës vazhdojnë dhe këto fenomene vazhdojnë të thellohen dhe tashmë në prag të dimrit, ato dhe ndikimi i tyre pritet të shtohet, duke rënduar situatat ekonomike e sociale në të gjitha vendet të lidhura me tregjet ku këto fenomene janë shfaqur dhe po avancojnë.
Të gjitha parashikimet tregojnë se ekonomia globale në përgjithësi, ajo e eurozonës në veçanti dhe rajoni ynë nuk pritet të realizojnë rritjen ekonomike të parashikuar për vitin 2022, për shkak të tkurrjes që ekonomitë e këtyre vendeve po pësojnë, inflacionit të lartë që po përjetojnë (rreth 8-9 për qind në Eurozonë), rritjes së çmimeve që po rendojnë mbi konsumatorët dhe thellimit të krizës energjetike që duhet të përballojnë konsumatorët dhe bizneset. Kjo situatë ka ngjallur pasiguritë në ekonominë europiane e rajonale dhe duket se dhimbja do të jetë e madhe. Më konkretisht:
EKONOMIA EUROPIANE KERCENOHET NGA RECENSIONI
Në këtë situatë, qeveritë kanë ndërmarrë nismat e tyre për inicimin e paketave mbështetëse për shtresat në nevojë dhe ekonomitë e tyre ndërsa Bankat Qendrore kanë rritur vigjilencën duke përdorur me efikasitet instrumentet e tyre, në veçanti politikën monetare.
Megjithatë, të gjithë mendojnë se: Europa po shkon drejt recesionit. Ajo që diskutohet është se sa i thellë dhe i ashpër do të jetë ky recesion, a do të rrezikohet nga stagflacioni dhe sa do të zgjasë kjo krizë. Janë disa faktorë dhe reagimi ndaj tyre që e përcaktojnë këtë situatë.
Së pari, ashpërsia e krizës lidhet me faktin se sa do te jetë tkurrja dhe rënia ekonomike dhe nga mënyra se si do të reagohet dhe cilat do të jenë masat që do të merren ndaj krizës energjetike dhe si do t’i përgjigjen politikëbërësit, qeveritë…
Këtë javë çmimet e energjisë shënuan një rritje dikur të paimagjinueshme: më shumë se 290 € për megavat orë (mwh) për gazin standard që do të shpërndahej në tremujorin e katërt të vitit (çmimi para pandemisë ishte rreth 30 €); dhe më shumë se 1200 € për mwh për energjinë elektrike gjatë ditës për të njëjtin tremujor në Gjermani (nga rreth 60 €).
Për shkak se gazi është karburanti margjinal në shumicën e tregjeve europiane të energjisë elektrike, ai përcakton çmimin për energjinë më gjerësisht. Ekonomia europiane hyri në krizë, pavarësisht se sa ishte e fuqishme. Ndërkaq, tregu i punës po reziston ende dhe është relativisht i shëndetshëm, me papunësinë që shkonte në 6.6%, sipas standardeve të Europës dhe 3-4 % në SHBA, pak jo e zakontë për periudha krize. Pagat me siguri do të shënojnë rritje në muajt e ardhshëm, pasi pritet të fillojë zbatimi i paketave mbështetëse në shumë vende.
Së dyti, besimi i konsumatorëve ra në fillim të luftës, por konsumi nuk u trondit shumë.. Por sinjalet duken jo pozitive në muajt në vijim sepse:
a-Mungesa e gazit për shkak të varësisë ruse (ndërprerja e furnizimit të gazit rus) bëri që industria europiane të vazhdojë të jetë nën presion duke mbështetur argumentin se kjo ndërprerje, po shndërrohej në një faktor negativ në zhvillimet ekonomike. Edhe pse, pavarësisht çmimeve të larta, ende prodhimi industrial, deri më tani ka mbetur i qëndrueshëm.
b- “Një pjesë e arsyes është se firmat ende po punojnë me porositë e mbetura nga e kaluara”, tha Michael Huther nga Instituti Ekonomik Gjerman. Por kjo situatë nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe disa tregues të rëndësishëm të zhvillimit në një këndvështrim largpamës duken jo optimiste.
c-Rënia reflekton një dobësim të ekonomisë globale dhe në veçanti kineze. Gjithashtu, informacionet e fundit të dhënat tregojnë se ekonomia e Gjermanisë dhe e Austrisë është drejt tkurrjes. Një rënie e tillë mund të shënojë një pikë kthese në ciklin ekonomik. Kjo edhe sepse mbështetja e Gjermanisë nga blerësit kinezë rrezikon të zvogëlojë kërkesën për mallra në të gjithë zinxhirin e furnizimit teutonik. Industria italiane duket se është në rënie të lirë. Polonia dhe Republika Çeke, të dyja jashtë zonës së euros, janë gjithashtu të rrezikuara. Britanisë së Madhe gjithashtu kjo krizë i ka trokitur fort. Kështu që përfundimet e arritura (edhe nga Banka Botërore) se ekonomia europiane kërcënohet nga recesioni e stagflacioni, nuk janë larg realitetit.
Së treti, shpenzimet e konsumatorëve për shërbime në përpjekjen për shpëtuar deri diku ekonominë europiane, u vunë në kontradikte mes rritjes se tyre në periudhën e turizmit veror (pushuesit europianë pas mbylljes nga pandemia “shpërthyen” duke përdorur me bollëk kursimet e tyre të kësaj periudhe), gjë që rriti optimizmin. Por po këta konsumatorë po futen në “regjim kursimi” në prag të një dimri të gjatë e të ftohtë të shoqëruar nga një krizë energjetike e ushqimore.
Më në fund, vendet europiane po e shohin dhe e kanë të qartë se “shoku energjetik” që po ndodh përkon me shtrëngimin e politikës monetare, rritjen e normave të interesit të Bankës Qendrore Europiane (BQE-ja tani është e vendosur të rikthejë inflacionin vjetor në objektivin e saj prej 2%, nga 9.1% e regjistruar në gusht) dhe njëhershi edhe te Bankave Qendrore të vendeve anëtare dhe të rajonit.
Në pritje, yield-et e obligacioneve europiane afatshkurtra dhe afatgjata janë rritur gjatë muajit të kaluar. Pavarësisht kësaj, euro ka vazhduar të shënojë rënie, e barabartë me dollarin për herë të parë në dy dekada. Kjo duket se pasqyron një perspektivë të përkeqësuar për ekonominë e Europës dhe vendimin e investitorëve globalë. Ky është një tjetër shqetësim për politikëbërësit në kontinent, pasi një monedhë më e dobët nxit inflacionin përmes importeve më të shtrenjta, duke goditur të ardhurat reale dhe rrjedhimisht konsumin. E gjithë kjo sugjeron se ekonomia europiane është në rrugën drejt një recesioni dhe kërcënohet nga stagflacioni, e udhëhequr nga Gjermania, Italia dhe Europa Qendrore dhe Lindore.
PAKETAT E REZISTENCES SOCIALE PERBALLË -KËRCËNIMIT TË KRIZËS “LUMË PARASH PËR BUXHETET FAMILJARE DHE NË MBËSHTETJE TË EKONOMIVE”
Përballë kësaj krize qeveritë dhe ligjvënësit e shteteve të ndryshme dhe institucionet ndërkombëtare kanë marrë një sërë masash (paketa) mbeshtetëse për të minimizuar efektet e pasojat e kësaj krize. Natyrshëm, lloji i masave, instrumentet e përdorura, shumat e mjete monetare që kanë këto paketa, kushtëzohen nga objektivat që duan të realizojnë, qëllimet dhe mundësite (fuqitë) ekonomike e financiare që secili vend ka. Gjithsesi, pavarësisht nga përmasat financiare (monetare) këto paketa kanë të përbashkëtat e tyre, më konkretisht:
1-Te gjithë synojnë masa afatshkurtra dhe afatmesme.
2-Masa që synojnë mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare t popullsisë, shtresave në nevojë, pensionistëve, për të zbutur efektet dhe pasojat e kësaj krize sa të jetë e mundur.
3-Si të përballemi me krizën energjetikë aktuale.
4-Si të mbështesim ekonominë e vendit që të ristrukturohet, orientohet e zhvillohet, për të ulur importet e mallrave, lëndëve të para, që sjellin rritje çmimesh dhe inflacion (të importuar).
5-Si të shfrytëzohen nga bizneset oportunitetet e reja që krijohen nga zhvillimi teknologjik, revolucioni 4.0, por edhe vetë kriza.
Në funksion të këtyre objektivave, të gjithë vendet kanë ndërmarrë masat e tyre. Franca për të përballuar krizën energjetike ka rivenë në pune centralet bërthamore, Gjermania minierat e qymyrit dhe një sërë masash për kursimin e përdorimit të energjisë, Italia gjithashtu, ndërtimi i infrastrukturave për furnizimin me gaz për t’u shkëputur nga varësia ruse, orientimi në alternativa të reja të prodhimit të energjisë dhe tregje të tjera etj. Të gjitha shtetet po korrektojnë pagat dhe pensionet me inflacionin, po rrisin ndihmën dhe financimin e papunësisë apo të shtresave në nevojë, masa subvencioniste për produktet bujqësore dhe prodhime të veçanta etj., etj. Greqia deklaroi “një lumë parash në mbështetje të buxheteve familjare dhe ekonomisë” për përballjen e qytetarëve me krizën aktuale dhe ekonomia të shtojë frymëmarrje, edhe pse doli nga kriza e borxheve trashëguar nga kriza 2008-2013.
Por nuk do ndalem në gjithë paketat dhe shumat e tyre, por në atë që qeveria shqiptare po ndërmerr.
PAKETA E REZISTENCES SOCIALE NE VENDIN TONE
Qeveria shqiptare mendoj se reagoi në kohë dhe me instrumentet e duhura, me objektiva e synime të qarta në paketën e saj të shpallur para disa ditësh. Natyrshëm debate ka pasur dhe do të ketë, për më shumë drejtime dhe në shuma më të medha monetare. Por siç e theksova, çdo paketë mbart dhe reflekton dëshirën dhe vullnetin e qeverisë në përputhje me mundësitë financiare. Kjo paketë ka në thelbin e saj rezistencën sociale, ndaj pasojave të krizës globale energjetike, si edhe të luftës në Ukrainë, mbi çmimet dhe inflacionin. Me një parashikim të një tkurrjeje të vogël të rritjes ekonomike për këtë vit, me një rritje të çmimeve dhe inflacion, deri tani më të ulëtin në rajon, duket se ekonomia shqiptare, deri tani është jashtë rrezikut të recesionit dhe inflacionit.
Me një sëre masash konkrete me veprim të menjëhershëm, paketa kompenson rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar; ofron mbështetje për fermerët dhe bizneset e vogla, si dhe financon mburojën e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla. Me konkretisht:
1-Paga minimale do të rritet nga 32 mijë lekë, deklaruar gati tre muaj më parë, në 34 mijë lek.
2. Qeveria indekson (për herë të dytë) pensionet 3+6.5 % gjithsej (9.5%), 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollarë do të vihen në dispozicion për të indeksuar pensionet duke efektuar që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.
3. Për 434 mijë përfitues, qytetare e qytetarë të këtij vendi, qeveria do të kompensojë me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7%, ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus.
4-Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për:
-pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale,
-pensionistët e invaliditetit,
-pensionistët që jetojnë vetëm (në kuptimin individualisht apo në çift)
-Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.
4- Mbështetja për subvencionimin e bujqësisë dhe ajo veçanërisht për fermerët me naftë pa taksa, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD, e cila do të derdhet menjëherë.
5– Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetëse, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.
5 – Do të sjellë 2 muaj përpara, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1,5 deri në 2 milionë lekë të vjetra, që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën.
6- Do tërheqë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
7- Qeveria ka marrë një sërë masash të tjera që lidhen me menaxhimin me efektivitet dhe kursimit të energjisë elektrike, për burime të reja alternative të energjise etj… Gjithashtu, ajo vendos menjëherë të shtojë 20 miliardë të tjera, 200 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.
Këto dhe një sërë masash të tjera në vazhdim, sipas ecurisë së krizës, janë një orientim i drejtë, sipas mundësive në mbështetje të buxheteve familjare dhe ekonomisë sonë.
Ndërkohë, projektbuxheti i vitit 2023 është një mundësi për të rikonsideruar drejtimet, mundësitë për vazhdimin e mbështetjes, ristrukturimin dhe zhvillimin e ri të mëtejshëm të ekonomisë, sipas situatës që diktojnë pasojat e krizës