Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me raportimet se qeveria ka vendosur mbi 100 milionë lekë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare. Kreu i qeverisë thotë se shumat në këtë dokument nuk lidhen vetëm me buxhetin ndërsa shton se 100 milionë lekët nuk kanë “asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin!”.
Reagimi i kryeministrit Rama:
Asaj shprehjes popullore, “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur s’e nxjerrin dot”, po i bashkangjis si adresë Fletoren Zyrtare, ku çdo shejtanbudalla nga ata që e kanë nxjerrë nga nuk e di ku, se qeveria paskej vendosur 100 e kusur milionë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare, mund të gjejnë se çfarë ka vendosur në fakt në atë dokument qeveria në mbledhjen e miratimit të tij, e pastaj mund t’ia tregojnë publikut, ndërkohë që për sa na takon nuk kemi vendosur asgjë të tillë!
Me këtë rast sqaroj se shumat e përcaktuara në këtë lloj dokumenti orientues janë shuma që nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative, ndërkohë që guri 100 e kusur milionësh s’ka asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin!
Në mbyllje, mediave “investigative” që marrin pjesë në hedhje gurësh në mexhelis, u lutem të mos harrojnë t’u drejtohen edhe burimeve zyrtare, qoftë edhe për të larë gojën, sepse mund t’i kursejnë vetes figurën e keqe të të keqinformuarit që keqinformon, ndërkohë që misioni i tyre është ta informojnë publikun duke e mbrojtur nga keqinformimi.