Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka dhe 3 persona të tjerë kanë marrë nënshtetësinë shqiptare në një ceremoni të organizuar nga Bashkia e Tiranës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, u shpreh se për të qenë nënshtetas i mirë nuk kërkohet sakrificë, por “mjafton të jesh një qytetar i mirë dhe të flasësh mirë për vendin tënd”.
Ai nënvizoi se Shqipëria dhe Kosova po njohin sot ditët e tyre më të mira, ndërsa theksoi se pasaporta e Shqipërisë duhet të trajtohet si nënshkrimi i një misioni dhe i të qenit e një skuadër.
“Sot nuk janë gjërat perfekte as në Shqipëri, as në Kosovë, por di të them se po jetojmë ditët tona më të mira. Pasi të bëni betimin si shtetas shqiptarë do të dilni nga kjo zyrë dhe do të shikoni Sheshin “Skënderbej”, që mban emrin e heroit tonë, njerëz që flasin çdo gjuhë. Sot po jetojmë ditët më të mira, ku në Tiranë nuk ka vend për hotele. Po jetojmë ditët tona më të mira kur krejt mediat botërore, falë edhe çikave tona në sport dhe muzikë, po flasin kaq mirë për vendin tonë. Ndonjëherë, ne harrojmë të flasim aq mirë për vendin tonë, por sikur secili prej nesh të flasë nga goja e tij me të njëjtën gjuhë prej mjalti, që flet secili prej turistëve kur intervistohet në rrugë, me dashuri për Shqipërinë, do ishim edhe më mirë”, tha Veliaj.
“Unë besoj se ky është një moment për të reflektuar e për ta trajtuar pasaportën e Shqipërisë, jo vetëm si një leje kalimi për të thjeshtuar pak kufijtë, as si një kartolinë për ta vendosur në mur si medalje, por si nënshkrimi i një misioni dhe i të qenit e një skuadër, se ku rrëzohemi bashkë, edhe ngrihemi bashkë, jemi më të fortë”, përfundoi ai.