TURQI- Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, Turqia është tronditur nga një sulm terrorist, thanë autoritetet.
Një sulmues hodhi veten në erë me një mjet shpërthyes në zemër të kryeqytetit turk, Ankara, të dielën, disa orë përpara se parlamenti të rihapte punimet pas pushimit veror. Po ashtu një sulmues i dytë u vra në një shkëmbim zjarri me policinë.
Dy oficerë policie u plagosën lehtë gjatë sulmit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha ministri Ali Yerlikaya në platformën X.
“Rreth orës 09.30, 2 terroristë të ardhur me një mjet të lehtë komercial para portës hyrëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë kryer një sulm me bombë. Njëri nga terroristët hodhi veten në erë dhe terroristi tjetër u neutralizua. Gjatë zjarrit kanë mbetur të plagosur lehtë 2 policë tanë. I uroj shërim të shpejtë heronjve tanë.”, shkroi ministri.
Shpërthimi u dëgjua mëngjesin e sotëm në Ankara, ndërsa pritej që parlamenti të niste punën.