Ish-ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Numan Baliq, i cili është dënuar me burg për veprën penale ngacmim seksual, është arratisur nga vendi. Mediat kosovare raportojnë se Baliq u largua për të shmangur kryerjen e dënimit që Gjykata e Apelit ia uli nga dy vite në një vit burg, nëntorin e kaluar.
Sipas burimeve për Gazetën Sinjali, ish-zyrtari i lartë është arratisur në Bosnjë-Hercegovinë, ku pritet të ushtrojë profesionin e mjekut.
Baliq u akuzua se më 12 gusht 2020, “në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e nxit të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj.”
Pas arrestimit, ai qëndroi në paraburgim në Pejë nga 13 gushti 2020 dhe është liruar në tetor të atij viti.
Ndërkohë Prokuroria e Pejës nuk ka reaguar në lidhje me mos ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, që dënoi me 1 vit burg kirurgun.
Akuzat për ngacmim seksual
Ndërkohe që ishte në vendin e tij të punës në Spitalin e Pejës, ai dyshohet se kishte ngacmuar një 23-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar në spital me vajzën e saj.
“Ka hyrë në repart, gruaja e ka pasur vajzën te shtruar prej 16 ditësh. Mjeku i ka thënë duhet të vish në zyrë për një aparat, pastaj ka filluar ta ngacmojë me fjalë dhe ka filluar ta prek në trup. Ajo ka thirrur sigurimin dhe policinë”, thanë burimet për Express në atë periudhë.
Në muajin shkurt të vitit 2019, Baliq ishte pushuar nga puna, për shkak se ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për ngacmimi seksual.