14 ndeshje ka zgjatur aventura e Zoran Zekic në stolin e Partizanit. Klubi i kuq dhe trajneri 49-vjeçar kanë arritur marrëveshjen për prishjen përpara kohe të kontratës. Tekniku i lindur në Osijek ka bërë mirë në kryeqytet, në fillimin e sezonit. Të kuqtë shkuan deri në Play Off të Conference League, për t’u eliminuar më pas nga Astana.
Në kampionat, Partizani renditet në vendin e pestë me 11 pikë. Sa i takon divorcit me klubin e Superiores, kroati Zekic u shpreh pas ndeshjes së fundit me Kukësin se kishte probleme personale, ndërkohë që emri i tij është lakuar shumë për një kalim te Osijek. Ashtu siç pritej, ai do firmosë me Osijek, me lajmin që zyrtarizohet edhe nga Partizani.
Njoftimi:
𝐙𝐘𝐑𝐓𝐀𝐑𝐄
Klubi i Partizanit njofton arritjen e marëveshjes me NK Osijek për transferimin e trajnerit Zoran Zekić. Tekniku kroat për shkak të arsyeve familjare ka kërkuar të vazhdojë profesionin afër familjes së tij dhe Klubi i Partizanit pas dakordësisë me klubin kroat lejoi transferimin e Zekić te NK Osijek. Falenderojmë trajnerin Zoran Zekić për kontributin e tij në drejtimin e stolit të kuq dhe i urojmë suksese në karrierë.
Në drejtimin e skuadrës do të vazhdojë stafi teknik i kryesuar nga Drejtori Sportiv Arbër Abilaliaj mbështetur nga Mario Kuić, Renaldo Kalari, Kushtrim Voka dhe Marko Matijević.