Një ditë pas vizitës së presidentit Biden në Izrael, një tjetër lider i rëndësishëm ka vizituar sot Tel Avivin.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak mbërriti në Izrael sot, ku do të takohet me homologun e tij Benjamin Netanyahu dhe Presidentin izraelit Isaac Herzog.
Pas mbërritjes në Izrael, Rishi Sunak u tha gazetarëve në aeroportin e Tel Avivit se sulmet e Hamasit më 7 tetor ishin një “akt i tmerrshëm terrorizmi” dhe ai përsëriti se Mbretëria e Bashkuar qëndron me Izraelin.
“Pres me shumë padurim takimet me kryeministrin dhe presidentin dhe shpresoj shumë që ato të jenë takime produktive”, tha Sunak.
Kujtojmë se mes viktimave nga sulmet dhe pengjet e Hamasit ka pasur edhe qytetarë me shtetësi britanike.