Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha ka reaguar me anë të një postimi në Facebook, lidhur me avokatin Artan Simoni i cili u caktua nga Gjykata e Posaçme si avokati mbrojtës i ish-kryeministrit nën hetim.
Shkëlzen Berisha, ka shpërndarë një status të avokatit, i cili dy ditë më parë fliste për një bishë të plagosur, që diku paska gabuar.
Duket se djali i ish-kryeministrit statusin e avokatit Simoni e ka lidhur me vendosjen e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit dhe i sugjeron gjykatës, që do të ishte më mirë që si avokat mbrojtës të të atit të caktonte ministrin e brendshëm Taulant Ballën, pasi shprehet ai “ky i fundit e njeh çështjen”.
“Ky është “avokati” që gjykatësja që shkeli kushtetutën ka caktuar për të mbrojtur Sali Berishen! Do i kisha sugjeruar më mirë Taulant Ballën se njeh dhe dosjen!”-shkruan Shkëlzen Berisha, ndërkohë që shkrimit i ka bashkëngjitur statusin e avokatit:
“Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin.
Ku gaboi bisha?!”-ishte statusi i Artan Simonit.