Trajneri Orges Shehi dhe Tirana nuk u ndanë në paqe, kjo pak ditë më parë kur bardheblutë vendosën të largonin trajnerin dhe në vend të tij të emëronin përkohësisht Julian Ahmataj.
Prej 27 janarit të 2021 Shehi ka qenë pjesë e Tiranës për 120 ndeshje, duke fituar edhe titullin kampion. Klubi vendosi të largonte trajnerin pas dy humbjeve, në një moment aspak të favorshëm.
Paçka largimit, befasi bëri zgjidhja e Tiranës që u shpreh se e kishin pezulluar trajnerin dhe do ishte nën kontratë. Pas këtij vendimi, durrsaku me përfaqësuesit e tij ligjorë është hedhur në kundërsulm, teksa ka paditur klubin në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së.
Me palët që nuk kanë gjetur zgjidhje për kontratën dhe janë ende të lidhur mes tyre edhe pse në distancë, Orges Shehi po kërkon “divorcin” nga bardheblutë.
Presidenti Halili është shprehur se trajneri ka marrë pagat deri në dhjetor, teksa ky i fundit ka reaguar në kanalet e komunikimit me një postim. “Ça thu mer burr se na habite”, ka postuar Shehi.
Tanimë palët do i drejtohen drejtësisë sportive për të zgjidhur çështjet e kontratës, me Shehin që kërkon të ulet në stolin e një tjetër ekipi, duke dashur të jetë pa detyrime.