Në datat 28-29 Tetor, në Tiranë, u mbajt “Simpoziumi i Parë Ndërkombëtar Rajonal Multidisiplinar mbi spondilitin ankilozant, artritin psoriatik dhe psoriasis”.
Gjatë dy ditëve të konferencës, me mbi 100 pjesëmarrës profesionistë të fushës, u vu theksi mbi përparimet në diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe menaxhimin ndërdisiplinor të këtyre tre patologjive, nga provat klinike në përvojën praktike, duke ofruar një perspektivë githëpërfshirëse.
Eminencat ndërkombëtare të dy fushave prezent në këtë event si, Prof. Diamant Thaci (Universiteti Lubeck, Gjermani), Prof. Philip Helliwell (Universiteti I Leeds, Angli) dhe Prof. Kurt de Vlam (Universiteti I Lueven, Belgjikë) paraqitën gjetjet më të fundit mbi alternativat më të reja terapeutike biologjike, të cilat tashmë janë disponibël edhe në vendin tonë, si dhe sidomos orientimin e këtyre profesionistëve në përdorimin më të hershëm të tyre te pacientët, me qëllim arritjen e një rezultati sa më të shpejtë dhe më efektiv.
Kërkimi dhe ekspertiza e profesorëve, si përfaqësues të institucioneve më të larta botërore në përcaktimin e udhëzuesve mbi diagnostikimin, trajtimin dhe menaxhimin e pacientëve të të dy fushave, do të shërbejnë si një fillesë për orientimet e ardhshme mbi bashkëpunimin, kërkimin dhe praktikën klinike edhe në vendin tonë.
Ditën e dytë u zhvilluan sesione interaktive me pjesëmarjen e ekspertëve ndërkombëtare dhe nën drejtimin e profesionistëve lokal. Sesionet përfshinë diskutime të bazuara në raste, ku pjesëmarrësit analizuan dhe diskutuan raste reale të pacientëve, shqyrtimin, si dhe eksplorimin e strategjive të ndryshme të trajtimit dhe proceseve të vendimmarrjes.
Ky shënon takimin e parë rajonal në fushat e reumatologjisë dhe dermatologjisë me pjesëmarrje të lektorëve ndërkombëtar dhe hap siparin e bashkëpunimeve dhe shkëmbimeve të eksperiencave klinike dhe praktike, si dhe vuri theksin mbi rëndësinë e trajtimit sa më të hershëm të pacientëve me alternativat terapeutike biologjike inovatore.