Prej vogëlisë, kur jetonte në fshatin e saj të lindjes, në Homesh të Bulqizës, Gresa Hoxha kishte ëndrra të mëdha për jetën. Pavarësisht skepticizmit të shumë prej njerëzve që e rrethonin, ajo ishte e vendosur për t’i bërë ëndrrat realitet. Në krah kishte gjyshin, tashmë të ndjerë. Ai i mësoi shahun që në moshë të hershme, e ‘shtyu’ drejt profesionit të saj kimisë dhe ‘i injektoi’ pasionin për t’u marrë dhe për të kontribuar në politikë.
Me fillimin e studimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Shkenca dhe Teknologji Ushqimore në Tiranë, Gresa filloi angazhimin politik. Në fillim ishte një nga aktivistet e Forumin Rinor Euro-Socialist, ku spikati me energjinë dhe pasionin që ua përcillte dhe të rinjve të tjerë. Ishte kjo arsyeja që në zgjedhjet vendore të vitit 2019 emri i saj do të përfshihej në listën e kandidatëve për këshilltarë të Partisë Socialiste në Bashkinë Tiranë.
Në maj të vitit 2023, Gresa Hoxha rikandidohet si anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës në mandatin e saj të dytë. Përmbushja profesionale është synimi i saj për të ardhmen. Gresa beson se vajzat dhe gratë kanë aftësitë të ecin përpara. Nëpërmjet kësaj interviste ajo na sjell historinë e saj, hapat që ka ndjekur për të mbërritur deri këtu dhe planet për të ardhmen.
Gresa, si u bëtë pjesë e politikës? Ishte shtysa nga familja, apo ishte një dëshirë personale për t’u përfshirë dhe për të kontribuar në politikë?
Mendoj që politika ka lindur bashkë me mua. Që në vegjëli e ndikuar nga gjyshi, njeriu i cili ka brumosur gjithçka që unë jam sot, e dija që një ditë do ndiqja rrugën e tij. Sot e vijoj atë rrugë për të dy ne, me përgjegjësi dhe me bindjen që detyrën fisnike që më është besuar nga strukturat politike, por veçanërisht nga zgjedhësit ta kryej më së miri. Unë dhe gjyshi kemi patur një lidhje të jashtëzakonshme bashkë, ai vazhdon të më udhëheq edhe tani që nuk është më. Unë isha mbesa e tij e vetme, mbesa që ai i mësoi shahun, lojën e jetës; mbesa që e shtyu drejt profesionit të kimistes që ishte edhe profesioni i tij dhe, mbi të gjitha, që herët më ushqeu me pasionin më të madh që ai kishte – përfshirja në politikë.
Si e pritën familjarët, miqtë dhe të afërmit e tu, përfshirjen tënde në listat e kandidatëve për këshilltare?
Dritarja ime e parë ka qenë forumi rinor i Partisë Socialiste – FRESSH, ku u mirëprita dhe u mbështeta nga strukturat e saj për të ecur më tej. Ata besuan tek vajza e vogël që kishte ëndrra të mëdha. I jam mirënjohëse e falënderuese gjithmonë strukturave të FRESH-it, Eljos, pasi më dha besimin dhe mundësinë të përfshihem aktivisht në politikë, por të shoh edhe përtej politikës. Strukturat e organizatës rinore të Partisë Socialiste dhe të vetë Partisë Socialiste janë mbështetësit edhe promovuesit e mi. Ata dhe vota e qytetarëve më dhanë mundësinë të jem një zë në Parlamentin e Kryeqytetit. Kandidimin tim nga strukturat e Partisë Socialiste e konsideroj si një vlerësim jo vetëm të kontributit tim modest, por në mënyrë të veçantë vlerësim për kontributin e familjes sime. Familja është gjithmonë forca ime më e madhe në çdo vendim që kam marrë në jetë. Dhe për të qenë e sinqertë, miqtë e mi nuk i përkasin vetëm bindjes politike që unë përfaqësoj. Ajo ç’ka mua më ka dhënë më shumë besim ishte se dhe ata që kanë bindje të ndryshme politike, gjetën kohën për të më shkruar, telefonuar e mbështetur në çdo lloj forme gjatë fushatës elektorale. Ishte një aprovim i gjithanshëm që po bëja gjënë e duhur në momentin e duhur.
Si është e përfshirë Gresa në vendimmarrjen e bashkisë më të madhe në vend?
Unë isha një vajzë e re dhe në Këshillin e Bashkisë jam përfshirë në mënyrë të veçantë atëherë kur studioja akoma në fakultet. Përballë realitetit dhe auditorit u angazhova drejtpërdrejtë në vendimmarrje mbi të rinjtë, për të rinjtë, me studentët dhe me politikat në mbështetje të tyre. Në Këshillin Bashkiak nuk përfaqësoj thjesht Gresën, si vajzën me ëndrra e dëshira siç të rinjtë e këtij vendi, por përfaqësoj njeriun që qytetarët i besuan nëpërmjet votës, për zellin, vërtetësinë, pasionin për nisma të mira. Kam zgjedhur që në mbledhjet e këshillit Gresa të flasë me zërin e forcës që votuesit i dhanë si dhe japë votën në emër të tyre, për interesin dhe nevojat e tyre. Të qenit anëtare e Këshillit Bashkiak nuk e kam përdorur asnjëherë si thjesht instrument për të ngritur kartonin në mbledhjen e radhës, por si mënyrë dhe mjet për të përplasur ide, për të shprehur botëkuptime e për të trumbetuar me forcë nevojat e qytetarëve për ta bërë qytetin edhe më të mire.
Cili ka qenë angazhimi kryesor dhe kauzat me te cilat jeni angazhuar gjate mandatit te pare dhe me cilët keni bashkëpunuar më ngushtësisht për realizimin e tyre?
Më lejoni të kthehem pak në kohe, pikërisht atëherë kur isha studente dhe fryma e ndryshimit ndihej tek unë, miliona ide turbullonin mendjen time, e unë që doja t’ju jepja jetë. Për 5 vite isha anëtare e Këshillit Studentor dhe pikërisht aty ku diskutimet mes të rinjve me ëndrra për jetën pas studimeve, kur jeta të na thërriste, nisi edhe rruga ime drejt politikave rinore e studentore, e vijuar me pas ne Këshillin Bashkiak, ku në fokus kisha pikërisht të rinjtë, lehtësimin e jetës së tyre, krijimin e faciliteteve dhe rritjen e mbështetjes për të patur rini më të forte dhe aktive. Ndër nismat të cilat unë i përmend me krenari dhe që vërtet mendoj se kanë dhënë një ndihmesë për studentët dhe të rinjtë janë Karta e Studentit e cila ka qene një nga Projekt vendimet me te rëndësishme qe kemi miratuar ne Këshill. Sot studentet përfitojnë jo vetem abone me kosto 0 leke, po një numër të lartë shërbimesh si ne librari, spitale, argëtim e shërbime te tjera. Gjithashtu s’mund të lë pa përmendur ndërtimin e konvikteve te reja, shkollave e bibliotekave, hapësirave të gjelbëria e komunitare.
Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur deri tani si këshilltare?
Sfida më e madhe jo vetëm për mua, por për të gjithë anëtaret e këshillit bashkiak, ka qenë vijimi i punës me përfaqësi vetëm nga një forcë politike. Mund të duket avantazh sepse mund të vendosësh për çdo gjë, por të sfidosh veten dhe punën tënde nuk është aspak e lehtë. Të jesh opozitë e vetes, vizionit, platformës së një grupi e partie qeverisëse ishte sfida ime dhe e secilit prej nesh. Kishim dyfish detyrim për të marrë vendimet e duhura për Tiranën dhe qytetarët e saj. Në saj të asaj vendimmarrjeje Tirana u shpall kryeqyteti i Rinisë, një sërë aktivitetesh që nuk ishin imagjinuar më parë u sollën dhe u organizuan në Tiranën tonë. Ishin sfida, por mund të themi se ia kemi dalë dhe Tirana sot është një qytet më i mirë, me më shumë mundësi, më i pastër dhe një Tiranë multifunksionale plot gjallëri. Sot jam e lumtur që Këshillin e shoh me disa forca politike, për të patur forcën e argumentit dhe të kundër-argumentit, ide e kundër-ide, të cilat na shërbejnë për të dhënë ide e vendime sa më të drejta.
A keni bashkëpunuar me këshilltarë të tjerë të rinj në Bashkinë e Tiranës, qoftë edhe të forcave të ndryshme politike për të çuar përpara ndonjë nismë që ka në qendër mbështetjen e të rinjve? Nëse jo deri tani, a do të ishit e gatshme të bashkëpunonit në të ardhmen?
Jo vetëm në Këshillin Bashkiak, por askund punët e mira nuk bëhen vetëm. Ndoshta jo shpesh herë, por ndodh që të kundërtat vërtet të tërhiqen e të votojnë së bashku për qëllimin e përbashkët dhe në të mirë të komunitetit. Përtej partisë dhe ngjyrave që na ndajnë, qytetarët e Tiranës dhe Tirana na bashkon, punët e mira që duhen bërë për ta bërë qytetin edhe më të mirë duhet të na bashkojnë, ndaj unë do të jem gjithmonë e gatshme për të punuar dhe kontribuar në ndihmë të komunitetit me këdo e kurdo, përtej çdo ndasie politike. Ndonëse mund te kemi programe politike te ndryshme, e di që qëllimi i secilit prej grupimeve apo përfaqësuesve politik është i njëjtë, Tirana.
Cili është mesazhi juaj për vajzat që dëshirojnë të angazhohen në politikë apo në strukturat publike?
Vajzat dhe gratë janë forca që do bëjnë gjithmonë ndryshimin. Vajzat duhet të besojnë tek vetja dhe ëndrrat e tyre, duhet të besojnë se me forcën e tyre mund të sjellin ndryshimin. Për herë të parë në vitet e fundit kemi parë një përfaqësim në të tillë numra dhe niveli, gratë dhe vajzat kanë qenë dhe janë një zë i forte në Parlament. Sot shumë gra drejtojnë bashki. Në kabinetin qeveritar si asnjëherë më parë shumica e ministrive drejtohen nga gra dhe vajza. Në shoqërinë partiarkale shqiptare ka qenë dhe ende është e vështirë që gratë dhe vajzat ta gjejnë plotësisht vendin e tyre, megjithatë vitet e fundit situata ka ndryshuar dhe ne Këshillin Bashkiak e çdo strukture organizative rreth 50% anëtarëve janë vajza dhe gra, dhe 30% e anëtarëve janë të rinj. Tashmë mundësitë janë për këdo, kudo.
Si po ndihmoni në zbatimin e politikave dhe projekteve që ndikojnë në qytetarët e bashkisë?
Të qenit një zë i fortë, një qytetare më shumë se anëtare, e përkushtuar maksimalisht që vizionin dhe qëllimet e saj i lidh ngushtësisht me nevojat dhe interesat e qytetarëve, do të jem gjithmonë një karton jeshil për projektet e nismat e mira, për zhvillimin e lagjeve dhe çdo njësie, për ndërtimin e rrugëve, shkollave, kopshteve e çerdheve ku fëmijët të rriten në kushte sa më të mira dhe me për të krijuar kushte optimale për të ecur përpara në rrugën e dijes.
Cilat janë planet dhe ambiciet tuaja për të ardhmen, përveç pozitës së këshilltares?
Të qenit në politikë shpesh të bën të mendosh për të ardhmen. Janë projekte dhe ëndrra që duhet t’i zbatoj e realizoj. Të ndërtoj një karriere jo vetëm politike, por si profesioniste në fushën ku jam diplomuar, të ndërtoj diçka e cila buron nga unë, prej meje është qëllimi im për të ardhmen. Forca dhe dëshira nuk më mungojnë dhe do të luftoj që t’ia dal dhe do jem mbështetëse e fortë për çdo grua e vajzë që synon të eci përpara.
Intervistoi: Ledina Jakimi
“S’ka çfarë më duhet më jeta”- Gjyshi i Martin Canit flet nga protesta: Duam vetëm drejtësi
Gjyshi Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra nga bashkëmoshatari i tij më 18 nëntor pranë shkollës Fan Noli, ka folur...