Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar ditën e sotme një përplasje në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe të shumëkërkuarit Ervis Martinaj i cili rezulton i zhdukur prej datës 10 gusht.
Artan Hoxha u shpreh se Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij kanë sabotuar një takim elektoral të kryeministrit në qarkun e Lezhës. Ai theksoi se kur është kthyer në Tiranë, Rama i ka dërguar mesazh Martinajt duke iu drejtuar si ‘drejtor i basteve të kohës’.
“Një takim elektoral i kryeministrit në qarkun e Lezhës është sabotuar nga Ervis Martinaj dhe njerëzit e këtij të fundit. Kur u kthye, Rama foli për këtë incident duke theksuar se në ato makina që u kishin prishur takimin elektoral ishte drejtori i lojërave të fatit. Madje Rama shtoi: Ne dimë edhe targat, me të cilat lëvizni. Këto nuk i di regjimi, por i di patronazhimi”, tha Hoxha.
Bëhet fjalë për një takim të Ramës, vitin e shkuar ku shprehet:
“Ne e dimë që ju jeni në ato makina. I them edhe atij drejtorit të basteve të kohës, bashkë me vullnetarët që kanë humbur licencat e basteve. Ne iua dimë targat e makinave. Dhe kur them ne, jo regjimi por patronazhimi”, ka thënë Rama.