Departamenti amerikan i Thesarit i ka vënë sanksione Prokurores së Shtetit në Bosnje-Hercegovinë, Diana Kajmakoviç.
“Diana Kajmakoviç është duke cenuar vazhdimisht demokracinë dhe sundimin e ligjit në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë Brian Nelson, nënsekretar për Kundërterrorizëm dhe Inteligjencë Financiare në Departamentin amerikan të Thesarit.
Sipas tij, këto masa konfirmojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitet në Bosnje-Hercegovinë, sepse ato janë vendosur ndaj një personi që ka rëndësi kyçe në lejimin e korrupsionit në këtë shtet.
“Masat e sotme janë vazhdimësi e zbatimit të strategjisë së SHBA-së për të mbajtur përgjegjës individët që kryejnë aktivitete destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Këto masa janë marrë në kohën kur Bosnja po përballet me krizën më serioze politike prej vitit 1995, pasi politikanët, ento-nacionalistët dhe rrjete e tyre, vazhdojnë të dëmtojnë shtetin”, është thënë në deklaratën e Zyrës për Kontrollin e Asteve të Huaja.
Më 6 qershor të këtij viti, autoritetet amerikane kanë sanksionuar dy zyrtarë tjerë të Bosnjës për shkak të aktiviteteve destabilizuese: ndaj presidentit të Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Marinko Çavara dhe ministrit të Shëndetësisë në Republikën Sërpska, Alen Sheraniç.
Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin e Thesarit pati thënë se Çavara dhe Sheraniç kanë “rrezikuar stabilitetin e rajonit dhe kanë minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe proceset demokratike ose institucionet”.
Sanksionet kundër tyre janë zgjerim i sanksioneve që janë vendosur më herët gjatë këtij viti ndaj liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili ka udhëhequr një fushatë për shkëputje nga institucionet shtetërore, pavarësisht se Perëndimi ka paralajmëruar kundër veprimeve të tilla.
Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës.
Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.