Në kuadër të 16 Ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore ka nisur fushata me sloganin “Investo për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave!”.
Në hapje të fushatës ndërgjegjësuese organizuar nga MSHMS në bashkëpunim me organizatën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se qëllimi i kësaj fushate është ndërgjegjësimi i gjithë aktorëve të shoqërisë, pasi mbrojtja e të drejtave të grave, parandalimi dhe lufta kundër dhunës ndaj grave apo dhunës me bazë gjinore është një luftë që na përket absolutisht të gjithëve.
Ministrja Koçiu gjatë fjalës së saj u shpreh se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përmes Fondit Social ka vazhduar të mbështesë shërbimet për gratë e dhunuara.
“Kemi ngritur 34 shërbime mbështetëse të specializuara në linja këshillimi, shërbime të specializuara për dhunën seksuale, etj” – nënvizoi Koçiu.
Ajo vurı në dukje se në Shqipëri, rritja e ndërgjegjësimit, forcimi i strukturave, si dhe përgjigjja e koordinuar për rastet e dhunës në familje kanë rritur edhe numrin e procedimeve penale, paditë dhe urdhërat e mbrojtjes një përpjekje për të bërë ballë këtë fenomen.
Ministrja shtoi se ka vazhduar rritja e kapaciteteve të profesionistëve si dhe kapacitetet e anëtarëve të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit në 61 Bashkitë e vendit, në mënyrë që përgjigja ndaj viktimave të dhunës të jetë sa më e shpejtë, sa më efikase.
Znj. Koçiu shtoi se vit pas viti janë bërë ndryshime ligjore, janë zhvilluar fushata ndërgjegjësimi, janë marrë masa dhe janë zbatuar shumë programe të suksesshme të cilat kanë bërë sado pak të lehtë të qenit grua në këtë vend.
Në përmbyllje të fjalës së saj, ministrja Koçiu ftoi të gjithë të që mobilizohen duke nënvizuar se lufta kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është prioritet i punës MSHMS-së që vijon edhe pas 16 ditëve të kësaj fushate.
“Jam e bindur se i kemi të gjithë mundësitë që t’ia dalim mbanë. Pa dyshim, do të jetë një luftë e gjatë, por një shoqëri ku gratë, nënat, bashkëshortet dhe vajzat do të ndihen të sigurta dhe të çliruara nga presioni i dhunës”, – u shpreh Koçiu.
Gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë edhe çmime mirënjohjeje për aktivistë të ndryshëm nga disa kategori.
16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një lëvizje shoqërore botërore për të ndërgjegjësuar dhe nxitur veprime konkrete për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Gjatë kësaj fushate të gjithë institucionet, në nivel qendror dhe vendor, institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut, organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare, etj, do të organizojnë aktivitete, takime, forume e biseda, ekspozita e marshime, etj, me temë rritjen e aktivizmit të të gjithë anëtarëve të shoqërisë sonë, për mbrojtjen e të drejtave të grave e vajzave, parandalimin dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe mbështetjen për t’i integruar sa më parë dhe me dinjitet në jetë.
“Do vazhdojmë tubimin”- Baçi flet për tensionet në protestë, thirrje policisë: Mos godisni mbi deputetët dhe protestuesit
Deputeti demokrat Luan Baçi i bën thirrje policisë të mos godasë qytetarët dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Baçi thotë...