Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në datat 14 dhe 15 dhjetor 2023, do të jetë një Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, në kuadër të muajit të fundit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB. Gjatë ditës së nesërme ministri Hasani kryeson takimin me temë “Fuqizimi i të rinjve për të trajtuar çështjet e pajtimit, paqes dhe stabilitetit: formësimi i një të nesërme më të ndritshme”.
Ndërkohë më datë 15 dhjetor ministri Hasani merr pjesë në takimin “Trajtimi i kërcënimit që paraqet diversioni, trafikimi i paligjshëm dhe keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre, për paqen dhe sigurinë.” Ministri Hasani merr pjesë në takimin me dyer të mbyllura “Iniciativa për angazhime të përbashkëta: Përshpejtimi i axhendës “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Këshillin e Sigurimit
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Hasani do të pritet në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. Shqipëria mbyll më 31 dhjetor mandatin e saj dyvjeçar si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit.
Gjatë kësaj periudhe dyvjeçare vendi ynë me përkushtimin dhe pjesëmarrjen aktive në punimet e Këshillit ka dëshmuar qartë se i përket një aleance vlerash politiko-strategjike të konsoliduara prej vitesh, si një vend që ka bërë dhe vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm për paqen dhe stabilitetin global, duke pasur si prioritet rajonin, kontinentin evropian e më gjerë.
Ky mandat në Këshill ofroi mundësinë për të forcuar marrëdhëniet tona me partnerët dhe aleatët tanë strategjikë, por në të njëjtën kohë edhe për të zhvilluar pozicione në lidhje me çështjet dhe situatat në mbarë botën.