Ditë e shtunë në fillim të dhjetorit: Qindra autobusë rreshtohen përgjatë rrugëve të gjera të Beogradit të Ri. Turma dynden në Arenën e Beogradit, një nga sallat më të mëdha sportive në Evropë. Aty do të zhvillohet tubimi qendror i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet. Ylli i vetëm: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Udhëheqësi i fshatit tonë organizoi udhëtimin për në Beograd,” thotë një burrë duke pirë nga një kanaçe birre në një stol. Ai vjen nga një fshat në veri të Serbisë. “Sigurisht që unë e mbështes Vuçiqin. Ai na dha të gjitha paratë, së fundmi 10.000 dinarë, plus për përfituesit e ndihmës sociale.”
Dhurata të tilla zgjedhore janë të zakonshme në Serbi. Edhe kësaj radhe Vuçiq vendosi para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit të shpërndajë pagesa të njëhershme nga buxheti i shtetit për pensionistët, të rinjtë apo të papunët. Ndonjëherë është 10.000 dinarë (ekuivalenti me 85 euro), herë pak më shumë e herë më pak. Për shumë në Serbi është pothuajse thelbësore për mbijetesë. Paga mesatare në vend është vetëm 725 euro neto në muaj. Ndërsa pensionistët marrin mesatarisht vetëm 330 euro.
Vuçiq premton rritje të reja pensionesh në janar – sigurisht vetëm nëse fiton partia e tij. Vetë presidenti nuk kandidon për zgjedhje – ai fitoi mandatin e tij të dytë vitin e kaluar. Por gjithçka rrotullohet rreth tij. Çdo listë zgjedhore e SNS-së, edhe në fshatin më të vogël, mban emrin e tij.
Kritikat e shumta
Revista e përjavshme Vreme e përshkruan Vuçiqin si një “mbret lypës” – ai e paraqet veten si një njeri që shpërndan paratë, ndërton rrugë dhe linja hekurudhore dhe krijon vende pune. Akuza e opozitës është se Vuçiq e drejton vendin me dorë të hekurt dhe manovron mes BE-së, Rusisë dhe Kinës. Sipas kritikëve, regjimi i presidentit ka lidhje të ngushta me mafian dhe është tërësisht i korruptuar. Në paraqitjet e tij pothuajse të përditshme televizive, Vuçiq akuzon kritikët e tij se janë tradhtarë dhe hajdutë që duan vetëm të fitojnë pushtetin.
Në Arenën e Beogradit, Vuçiç bërtiste: “Sot, Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që ndjek politikën e saj”. Duartrokitjet ishin të mëdha, por jo të gjithë erdhën në tubim me vullnetin e tyre dhe brohoritën nga bindja. Një i ri na tregon se si shkojnë gjërat. Ai punon në një spital në një qytet të vogël. Për të mbajtur vendet e punës, ai dhe kolegët duhet të shkojnë në mitingun në Beograd dhe të votojnë për SNS-në. “Kjo është katastrofike, por çfarë duhet të bëj?” thotë ai.
Për anëtarësimin në BE nuk flet askush
Sondazhet e nxjerrin SNS-në në vend të parë. Edhe nëse ndoshta nuk do të jetë një fitore absolute, mendohet se do të mjaftojë për vazhdimin e koalicionit me socialistët dhe partnerët më të vegjël. Koalicioni i gjerë pro-evropian “Serbia kundër dhunës” dëshiron të arrijë vendin e dytë. Ky koalicion lindi gjatë protestave të mëdha pas dy vrasjeve masive në maj 2023, që tronditën thellësisht vendin. Ata akuzojnë Vuçiqin dhe mediat e tij për mbjelljen e një atmosfere dhune përmes reality show-ve, përfshirë këtu edhe fyerjet ndaj opozitës.
Dhuna e përhapur dhe shpërdorimi i pushtetit janë çështja më e rëndësishme, thotë politologu Srdan Cvijiq. Opozita nuk premton më hyrjen në BE, sepe ky proces po zgjat shumë. “Vetëm një kamikaz politik do të insistonte në çështjen e BE-së gjatë fushatës”, tha Cvijiq për DW. “Sepse të gjitha mediat besnike ndaj regjimit përhapin agjitacion antiperëndimor. Ç’kuptim ka që opozita të shtyhet për këtë çështje?”
Kosova prapë çështja kryesore
Rënia e dukshme e popullaritetit të BE-së vjen ndër tjerash edhe për shkak të Kosovës. Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, megjithëse Berlini dhe Brukseli kërkojnë haptazi njohje “faktike”. Kjo do të zbatohet përmes të ashtuquajturës Marrëveshja e Brukselit. Prandaj Serbia duhet të njohë dokumentet e Kosovës dhe të mos pengojë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në OKB. Prishtina, në anën tjetër, duhet të lejojë një asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Forca e tretë e rëndësishme në Serbi janë partitë e ndara konservatore dhe nacionaliste të krahut të djathtë, ato po bëjnë fushatë ekskluzivisht për këtë çështje. Ata akuzojnë Vuçiqin se është dorëzuar përmes marrëveshjeve të ndryshme dhe praktikisht ka hequr dorë nga Kosova.
Megjithatë, problemet më të mëdha të Vuçiqit për momentin lidhen më shumë me luftën në Ukrainë, thotë historiani dhe vëzhguesi politik nga Beogradi Stefan Radojkoviq. Nën presionin e çmimeve të energjisë, Serbia ka një nga normat më të larta të inflacionit në Evropë, gjë që kërcënon edhe narrativën e Vuçiqit për suksesin ekonomik të vendit. Nga ana tjetër, BE-ja dhe SHBA-të, duan të arrijnë kompromis përfundimtar me Kosovën, sipas historianit.
Mashtrimet e mundshme në zgjedhje
Këto janë ditë relativisht të qeta në Beograd dhe ka pak për të parë nga fushata zgjedhore. Disa parulla aty-këtu, ndëra në TV shihet pothuajse vetëm SNS, sepse vetëm ajo ka para për reklama me pagesë. Por një peticion i quajtur “ProGlas” bëri bujë. Dhjetra intelektualë, aktorë dhe sportistë po bëjnë thirrje që njerëzit të votojnë në 17 dhjetor. Rreth 170.000 njerëz e kanë mbështetur deritani këtë peticion në internet. “Ne nuk kemi një shtet të arsyeshëm në Serbi,” thotë profesori i njohur Vladica Cvetkoviq, një nga nënshkruesit e parë të peticionit. “Na mungon demokracia, drejtësia dhe barazia. Ne mund ta ndryshojmë këtë nëse ngremë zërin.”
Gara ka të ngjarë të jetë e ngushtë, veçanërisht në Beograd. Sondazhet tregojnë se opozita mund të fitojë në Beograd, që shihet si një nga simbolet më të rëndësishme të vendit. Edhe ish-autokrati dhe udhëheqësi i luftërave Slobodan Millosheviq kishte humbur së pari zgjedhjet në Beograd dhe në qytetet e tjera të mëdha në vitin 1996, ndërsa nga pushteti u largua në vitin 2000. Por si në vitin 1996, ashtu edhe në vitin 2000, Millosheviqi ka pranuar humbjet vetëm pas protestave të mëdha. Asokohet ministër i Millosheviqit për informacione ishte Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, që ndryshimi të ndodhë, shumë gjëra duhet të shkojnë siç duhet – për shembull, që forcat pro-evropiane dhe pro-ruse të formojnë një koalicion kundër Vuçiqit. Përvoja nga vitet 1990 tregojnë se këtu duhet patur kujdes, thotë avokatja Sofija Mandiq, e cila është pjesë e komisionit zgjedhor për opozitën. Ajo thotë se tashmë ka prova të mjaftueshme që qeveria po përgatit mashtrime zgjedhore. “Votuesit duhet të jenë në gjendje të shprehen lirisht,” thotë ajo. “Ata duhet të jenë të përgatitur edhe për të mbrojtur vullnetin e tyre politik përtej kutisë së votimit nëse është e domosdoshme.” Disa politikanë të opozitës tashmë po spekulojnë për mundësinë e thirrjes së protestave nëse qeveria manipulon zgjedhjet. Ditët e ftohta të dhjetorit në Beograd, pak para natës së Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve Ortodokse, mund të nxehen sërish.