Fituesi i edicionit të dytë të “Big Brother VIP”, Luiz Ejlli, ka uruar në një reagim në rrjetet e tij sociale, të gjithë konkurrentët që do të marrin pjesë në edicionin të tretë të BBV.
Në një video në Instastory, Luizi shprehet se e kanë “kapur emocionet meqenëse fillon Big-u”, ndërsa shton se i vjen keq që banorët që do të bëhen pjesë e shtëpisë, nuk e shohin këtë video që ai ka postuar.
Ndër të tjera, këngëtari ka edhe një këshillë për banorët e rinj, ndërsa u ka bërë thirrje që ta shijojnë këtë eksperiencë.
“Më kanë kapur pak këto emocionet, meqenëse sot fillon Big-u, edhe më duket si ditë Prime. Më vjen keq që ato banorë që do futen sonte nuk do e shohin këtë video, sepse normalisht sipas rregullores ua kanë heq telefonat.
Më vjen keq që nuk e shohin sepse do doja shumë që të uroja secilin prej tyre një nga një në këtë rrugëtim, që është shumë i vështirë. Uroj t’iu shkojë sa më mirë dhe shijojeni. Shijojeni sepse është diçka që ju vjen njëherë në jetë, pavarësisht se ka kush e provon edhe 2-3 herë po pak rëndësi ka ajo.
Po shijojeni dhe suksese të gjithëve, gjithë konkurrentëve, edhe Ledionit. Gjithëve suksese, iu shkoftë mbarë”- shprehet Luizi në videon e ndarë në Instastory.
Ndërkohë, në rrjet janë publikuar edhe emrat e konkurrentëve, që këtë vit do të bëhen pjesë e lojës.
Mbrëmjen e sotme (13 janar), publiku shqiptar, bëhet gati të mirëpres në shtëpinë e “Big Brother”, Romeo Veshaj, Julian Deda, Egla Ceno, Drini Zeqo, Meriton Mjekiqi, Vesa Smolica, Lediona Xheladina, Ervin Gonxhi, Sara Gjordeni, Roza Lati, Rike Roci, Gabriel Mezini, Gaz Ujkashi, Alfio Rrotani, Elvis Myrtaj, Heidi Baçi, Klodian Duro, Bardhi, Dea Vieri, Fatjon Kuqari, Albi Nako, Arta Kabashi, Meri Shehu.