TIRANË– Një ditë pas Monika Kryemadhit, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është thirrur në SPAK për dosjen e hetimit pasuror. Teksa futej në Prokurorinë e Posaçme, Meta sulmoi sërish kreun e SPAK, Altin Dumanin. Një qasje totalisht ndryshe nga bashkëshortja e tij, e cila tha se ndahet me Metën për sulmet që adreson ndaj drejtësisë.
“Dumdumani është ai që s’guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës, as për çështjen e Sali Berishës…Për çfarë jeni thirrur? Unë po shkoj te Dumdumani, kur të dal do ju tregoj”, tha Meta për gazetarët teksa futej në SPAK rreth orës 10:15.
Meta është thirrur nga prokurori i çështjes, Sotir Kllapi. Janë dy çështje që po hetohen nga ky i fundit, të bashkuar në një procedim të vetëm penal, si hetimi pasuror dhe çështja lobimit. Burime për gazetaren Keti Banushi bëjnë me dije se Meta është thirrur për të japë deklarime pikërisht për këto dy çështje si person në dijeni.
Për të njëjtën çështje, Kryemadhi u pyet për 5 orë ditën e djeshme, 12 qershor, ndërsa sa i takon akuzave për shpenzime marramendëse për operacionet plastike, Kryemadhi tha se s’ka asnjë ndërhyrje estetike, por ka bërë vetëm botoks.
Kjo është hera e tretë që Meta thirret në SPAK, dhe dy herët e para ka dhënë deklarime lidhur me hetimin për ÇEZ-DIA, hetime që po kryhen nga Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai.