SPAK ka lëshuar sot urdhër arrest për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si ‘Rrumi’ i Sukthit, si dhe për ish-avokatin e shtetit Irgen Kërçuku, për të cilin është kërkuar arrest shtëpie. Sipas SPAK, zyrtari i shteti ka marrë ryshfet nga Aleksandër Laho.
“Caktim i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal”, njofton SPAK.
Njoftimi zyrtar i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.235 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. nr.76 datë 20.10.2022 ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.
Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.).
Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.
Vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.
INVESTIGIMI
Më 13 qershor 2017, dy persona u filmuan me një telefon celular teksa po negocionin një çmim për një proces gjyqësor pronësie. Në transkriptet e Prokurorisë së Posaçme, njëri prej personazheve të videos identifikohet si “zyrtari”, ndërsa tjetri si “i interesuari”. Dy burrat debatojnë mbi shumën e parave që nevojiten për të blerë tërheqjen nga apelimi për çështjen gjyqësore. “Zyrtari” është i pakënaqur nga oferta prej 5 milionë lekësh, ndërsa “i interesuari” i reziston kërkesës për të paguar më shumë.
“Unë u thashë… Geni do 5 milionë lekë dhe mbaroi historia këtu, tani do themi nga 5 u bëka 12, duket sikur bëhem unë dallaverexhiu.Të besosh edhe m’u se nuk jam unë i zoti i punës,” thotë ai.
Sipas dokumenteve hetimore të siguruara nga BIRN, biseda në video zhvillohet mes zyrtarit Irgen Kërçuku, asokohe përfaqësues i Avokaturës së Shtetit për degën e Durrësit dhe Pëllumb Muharremit – një personazh i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar, i njohur gjithashtu si Aleksandër Laho ose “Rrumi” – një nofkë që simbolizon kallirin e zhveshur të misrit.
Biseda mes tyre e regjistruar në video kishte si objekt procesin gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. Videoja ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Muharremit dhe prokurorit Arian Ndoja, i ndodhur pasditen e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.
Ky nuk është rasti i vetëm i përfshirjes së krimit të organizuar në zhvatjen e pronave.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve hetimore nga dy procedime penale tregojnë se sekuestrimi i telefonit të Muharremit i mundësoi Prokurorisë së Posaçme hapjen e “kutisë së Pandorës” për njërin prej episodeve më të mëdha të tjetërsimit të pronave publike në bregdetin e Adriatikut.
Përveç tokës me sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrorë, Muharremi dyshohet se qëndron edhe pas tjetërsimit të 14 parcelave të tjera në zonën e Gjirit të Lalzit, përmes një skeme masive falsifikimi dhe korruptimi të zyrtarëve publikë.
“Hetimi i deritanishëm ka krijuar dyshime se një grup i mirë strukturuar kriminal ka arritur që përmes një skeme kriminale të bëjë të mundur që të sigurojë një zinxhir dokumentesh të falsifikuara me qëllim që të regjistrojë pasuri të paluajtshme në një zonë shumë të preferuar të Shqipërisë, siç është fshati Lalëz, Durrës,” thuhet në njërin prej dokumenteve hetimore të siguruara nga BIRN.
Pas hetimeve 2-vjeçare, Prokuroria e Posaçme ka zyrtarizuar akuzën ndaj Muharremit për korrupsion aktiv dhe po heton një rreth zyrtarësh publikë për përfshirje në korrupsion dhe shpërndorim detyre me pronat në Gjirin e Lalzit.
Prokurori Altin Dumani që po heton të dyja procedimet e lidhura me Muharremin u rezervua të jepte detaje mbi fazën e hetimeve. “Çështja është në hetim prej dy vitesh dhe nuk mund të jap asnjë detaj,” tha ai. Muharremi dhe Kërçuku ishin të paarritshëm për koment edhe përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë.