Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zacaj e pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ka folur për vendimet e shtetit shqiptar, por edhe të gjykatave që janë rrëzuar nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Sipas Zacajt: “Dështimi për të zbatuar një vendim përfundimtar të detyrueshëm mund të çojë në situata të papajtueshme me vete parimin e shtetit të së drejtës, të cilin Shtetet palë kanë marrë përsipër të respektojnë me nënshkrimin e Konventës.
Po kështu, dështimi i një shteti në zbatimin e vendimeve vë në diskutim jo vetëm efektivitetin e së drejtës për t`ju drejtuar gjykatës por edhe respektimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa, të cilat shtetet anëtarë kanë marrë përsipër t’i mbrojnë.
Në jo pak raste Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje në procedurat tona të brendshme, duke përcaktuar detyrimin e shtetit shqiptar për marrjen e masave të nevojshme për korrigjimin e tyre.
Në mënyrë konkrete, përmes vendimeve të saj kjo Gjykatë e mund të vendosë ndaj shtetit marrjen e masave me karakter të përgjithshëm, ose me karakter individual, ose të të dyja masave së bashku.” U shpreh ajo gjatë aktivitetit të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë për Nënkomisionin për zbatimin e Vendimeve te Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kryetarja e GJK ka zbuluar se edhe disa vendime të vetë Gjykatës Kushtetuese kanë rezultuar me shkelje nga GJEDNJ-ja.
“Ndonëse GJEDNJ-ja ka gjetur shkelje në një numër të konsiderueshëm çështjesh ndaj shtetit shqiptar, numri i kërkesave drejtuar Gjykatës për rihapje të procesit është relativisht i ulët. Kështu, rezulton se pas vendimmarrjeve të GJEDNJ-së që kanë gjetur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në Gjykatë janë paraqitur gjithsej 8 kërkesa, për 5 prej të cilave Gjykata është shprehur me vendim përfundimtar ndërsa për 2 kërkesat e tjera vendimet janë marrë respektivisht nga Mbledhja e Gjyqtarëve dhe Kolegji, duke u vendosur moskalimi i tyre për shqyrtim në seancë plenare; 1 kërkesë e vitit 2024 ka kaluar për shqyrtim në seancë, dhe po pritet shqyrtimi i saj.
Po ashtu, ajo që dua të theksoj është se, fakti i pranimit të kërkesave nga GJEDNJ-ja nuk nënkupton automatikisht riphapjen e procesit dhe shqyrtimin në themel të çështjes. Kjo varet nga çështja konkrete dhe lloji i shkeljes së konstatuar nga GJEDNJ-ja.
Kështu, në rastet kur GJEDNJ-ja ka gjetur shkelje të Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e interpretimit të ndryshimeve të reja ligjore të vitit 2016 që parashikonin afatin 4-mujor për paraqitjen e ankimit kushtetues individual dhe kërkuesi i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për rihapjen e procesit, ndonëse legjitimimi ratione temporis i kërkuesit është superuar, bazuar në vendimmarrjen e GJEDNJ-së, çështja është konsideruar sërish e papranueshme nga Kolegji i Gjykatës, për shkak të pabazueshmërisë në Kushtetutë të pretendimeve të ngritura” është shprehur ajo.
Fjala e Holta Zacajt
E pranova me kënaqësi ftesën për të përshëndetur punimet e këtij aktiviteti, me përgjegjësinë e lartë që mbart roli si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në një çështje shumë të ndjeshme – atë të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të siguruar që të drejtat e individëve të mbrohen në mënyrë efektive dhe që drejtësia të zbatohet në praktikë.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë është krijuar në Prill të vitit 1992 dhe pothuajse 4 vite më vonë ligjvënësi shqiptar ka ratifikuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, si pjesë e legjislacionit të brendshëm shqiptar.
Krahas detyrimit për garantimin e lirive dhe të drejtave themelore, miratimi i Konventës, vendosi ndaj shtetit shqiptar edhe detyrimin e zbatimit të vendimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane e te Drejtave te Njeriut, në përputhje me parashikimet e nenit 46 të saj, i cili ka të bëjë me fuqinë detyruese dhe ekzekutimin e vendimeve të dhëna nga kjo Gjykate, vendime të cilat mund të vendosin ndaj shtetit marrjen e masave me karakter të përgjithshëm, me karakter individual, të të dy masave së bashku ose vetëm njërën prej tyre.
Kështu, në rastet e konstatimit të shkeljeve sistematike të të drejtave themelore, në vendimmarrjet e saj kundër Shqipërisë GJEDNJ-ja ka vendosur detyrimin e shtetit shqiptar për marrjen e masave me karakter të përgjithshëm për qëllime të ndryshimit të legjislacionit shqiptar në mënyrë të tillë që të jetë në përputhje me përcaktimet e KEDNJ-së. Ndërsa për disa nga këto çështje shteti shqiptar ka marrë masat e duhura, në përputhje me detyrimet që përcakton neni 46 i KEDNJ-së ndërkohë që të tjera vazhdojnë të mbeten në vëmendjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Po kështu, ka pasur raste ku GJEDNJ-ja ka vlerësuar se legjislacioni në vetvete, ose ndryshimet që ai ka pësuar, pas paraqitjes së kërkesës në GJEDNJ nga aplikanti, nuk ishin të tilla që kërkonin marrjen e masave me karakter të përgjithshëm nga shteti, por vetëm të masave me karakter individual.
Po në këtë drejtim, vlen të theksohet se edhe marrja e masave konkrete shpesh herë nuk është e qartë për shkak të mangësive në legjislacionin vendas.
Në raste të tjera, GJEDNJ-ja është kufizuar në përcaktimin e masave me karakter të përgjithshëm, duke u mjaftuar me përcaktimin e detyrimit të shtetit për marrjen e masave individuale, për sa kohë që ndryshimet në legjislacion, të bëra pas ndodhjes së ngjarjes, kishin rregulluar, deri diku, problematikat e konstatuara nga GJEDNJ-ja në legjislacionin e mëparshëm.
Ndërkohë, e drejta për rihapjen e procesit në Gjykatën Kushtetuese u parashikua për herë të parë në tetor të vitit 2016, me miratimin e ndryshimeve që iu bënë ligjit organik të Gjykatës. Sipas këtyre ndryshimeve edhe në rastet kur GJEDNJ-ja ka konstatuar cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, Gjykata mund të vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të subjektit.
Ndonëse GJEDNJ-ja ka gjetur shkelje në një numër të konsiderueshëm çështjesh ndaj shtetit shqiptar, numri i kërkesave drejtuar Gjykatës për rihapje të procesit është relativisht i ulët. Kështu, rezulton se pas vendimmarrjeve të GJEDNJ-së që kanë gjetur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në Gjykatë janë paraqitur gjithsej 8 kërkesa, për 5 prej të cilave Gjykata është shprehur me vendim përfundimtar ndërsa për 2 kërkesat e tjera vendimet janë marrë respektivisht nga Mbledhja e Gjyqtarëve dhe Kolegji, duke u vendosur moskalimi i tyre për shqyrtim në seancë plenare; 1 kërkesë e vitit 2024 ka kaluar për shqyrtim në seancë, dhe po pritet shqyrtimi i saj.
Po ashtu, ajo që dua të theksoj është se, fakti i pranimit të kërkesave nga GJEDNJ-ja nuk nënkupton automatikisht riphapjen e procesit dhe shqyrtimin në themel të çështjes. Kjo varet nga çështja konkrete dhe lloji i shkeljes së konstatuar nga GJEDNJ-ja.
Kështu, në rastet kur GJEDNJ-ja ka gjetur shkelje të Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e interpretimit të ndryshimeve të reja ligjore të vitit 2016 që parashikonin afatin 4-mujor për paraqitjen e ankimit kushtetues individual dhe kërkuesi i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për rihapjen e procesit, ndonëse legjitimimi ratione temporis i kërkuesit është superuar, bazuar në vendimmarrjen e GJEDNJ-së, çështja është konsideruar sërish e papranueshme nga Kolegji i Gjykatës, për shkak të pabazueshmërisë në Kushtetutë të pretendimeve të ngritura.
Efikasiteti i zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut duhet vlerësuar me vëmendje dhe thellësi për të rritur sigurisht rolin që ka në afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për ta bërë vendimmarrjen e saj gjithnjë e më të vlefshme për mbështetjen e juridiksioneve të brendshme të vendeve anëtare.
Në këtë vështrim, zbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga neni 46 i KEDNJ-së është në fokusin e vazhdueshëm të Gjykatës Kushtetuese, si për sa u përket vendimmarrjeve të GJEDNJ-së për çështje të shtetit shqiptar, ashtu edhe sa i përket vendimmarrjes së kësaj gjykate për çështje që ngrihen ndaj shteteve palë të KEDNJ-së. Gjykata Kushtetuese ka tashmë juridiksion për të vendosur për të gjitha të drejtat themelore, ndaj, në këtë drejtim, jurisprudenca e GJEDNJ-së përbën burimin kryesor mbi të cilin bazohet vendimmarrja e Gjykatës.
Në përfundim, me lejoni ta mbyll, duke kujtuar se barazia para ligjit dhe mos diskriminimi, janë transformuar në të drejta dhe detyrime ligjore konkrete dhe të patjetërsueshme. Të drejtat e njeriut janë themeli i paqes dhe shënojnë rrugën drejt një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për sot, nesër dhe kurdoherë.