Portalet e opozitës sot janë ekzaltuar pse Instagrami i Erion Veliajt ishte mbyllur. Me siguri, faqja e tij duhet të ketë rënë pre e ndonjë sulmi, siç ndodh rëndom me faqet e njerëzve të njohur, por opozita me sa duket ka gjetur të merret me budallallëkun e radhës, duke vënë në punë të gjitha portalet e saj për të gjetur arsyen e duke e lidhur atë me lloj-lloj fantazish.
Sqarimin çfarë ka ndodhur e ka dhënë vetë Veliaj, me një video të postuar në Facebook, TikTok dhe platformën X, pa humbur rastin që të tallet pak edhe me opozitën, edhe me portalet e saj që përhapin fake news.
“Jam shkrirë sot, duke qeshur me lot. Gjithë këta njerëzit që deri dje thoshin: ‘Na çmendi, pse nxjerr çdo gjë në Instagram’, ‘çfarë janë këto punë publike’, ‘çfarë janë këto pemë’, ‘çfarë është ky asfalt’, krejt papritur u shqetësua gjithë opozita sot: ‘Ku është Instagrami i Lalit?’ Instagrami do kthehet, sapo e kemi rikuperuar nga hakerimi, por edhe kjo puna ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’ si e vetmja mënyrë për të bërë opozitë, sikur nuk shkon”, përgjigjet Veliaj.