Zbardhet dëshmia e Lorenc Kostës, i cili u plagos pak ditë më parë nga efektivi Erjon Goxhara, nën dyshimin e tradhtisë mes tij dhe bashkëshortes së policit.
Mësohet se në momentin e parë pas plagosjes, personi i parë që Kosta ka kontaktuar ka qenë një koleg i tij, i identifikuar si shtetasi Elton Rodheshi, person të cilit i plagosuri i ka rrëfyer edhe rrethanat e ngjarjes.
“Në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Elton Rodheshi ka deklaruar se është koleg pune me shtetasin Lorenc Kosta dhe rreth orës 13:55 shtetasi Lorenc Kosta e kishte telefonuar duke i thënë që më qëlluan poshtë shtëpisë. Pasi ka shkuar në vend shtetasi Elton Rodheshi e ka pyetur si është ndërsa Lorenci i ka thënë se e ka ndaluar shtetasi Erjon Goxhara, i ka thënë që do sqaronte diçka e më pas e ka plagosur me armë”, thuhet në dosjen hetimore.
Kujtojmë se Lorenc Kosta u plagos me gjashtë plumba nga efektivi Goxharja, më 19 gusht, ndërkohë që ndodhet ende në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Gjendja e tij paraqitet e qëndrueshme.