Një takim me përfaqësues të Komunitetit Shqiptar në Greqi ka realizuar të djelën në mbrëmje kryebashkiaku i Athinës, Charis Doukas (Haris Dhukas). Në një klimë tepër miqësore, Doukas ka paraqitur edhe për komunitetin shqiptar e shqipfolës të Greqisë kandidaturën e tij për kryesinë e partisë së majtë PASOK, duke i ftuar të gjithë të jenë pjesë e zgjedhjeve partiake, më 6 tetor 2024.
Fjala e Kryebashkiakut të Athinës, politikanit të PASOK që fitoi rivalin e tij të fuqishëm, Kostas Bakojanis, nipin e kryeministrit Mitsotakis, me një rezultat surprizë e historik, ka hedhur tashmë hapin më të guximshëm deri më sot nga politikanët grekë. Fjala e Doukas ka prekur çështjet problematike të komunitetit shqiptar në Greqi, si vonesën e lejeve të qëndrimit, mohimit të pajisjes me nënshtetësi greke të brezit të dytë dhe të drejtën e pensionit për emigrantët që plotësojnë vitet e punës pa dallim nga vendasit, jo me justifikime apo sqarime, por realisht dhe me zgjidhje të prekshme. Doukas nuk ka hezituar aspak para të pranishmëve të bëhet jo zëri përballë, por zëri i tyre. Të befasuar të pranishmit kanë dëgjuar një politikan e kryebashkiak të adresojë problemet e tyre, me të njëjtin këndvështrim real e të qëndrueshëm të vetë banorëve emigrantë të Greqisë, mbi 3 dekada tashmë.
Për historikun, partia e majtë historike greke PASOK rizgjedh kryesinë me votime të hapura në dy të djelat e para të tetorit, 6 dhe 13 tetor, ku siç ka theksuar dhe Charis Doukas, të gjithë banorët e vendit duhet të bëhen pjesë e procesit zgjedhor. Ky është një shans për komunitetin emigrant të bëhen pjesë aktive e zhvillimit, një momentum që nuk duhet anashkaluar e humbur!
Drejtuar të pranishmëve, Doukas është referuar në kontributin e rëndësishëm të komunitetit tonë në Greqi, por edhe në historikun e vështirë si dhe problematikën e madhe e serioze me të cilën vazhdojnë të përballen, duke premtuar se do të jetë gjithmonë pjesë e zgjidhjes dhe e ndryshimit real.
Madje, ka dëgjuar me vëmendje ndërhyrjet e aktivistëve pjesëmarrës, duke reflektuar dhe pranuar të vërtetat e mëdha e shprehur entuziazmin për komunikimin e civilizuar akoma dhe në referimin e padrejtësive madhore ekzistente në Greqi si dhe kualifikimin e arritur, pavarësisht vështirësive, nga ky komunitet masiv.