Gazetari Artan Hoxha, pas paraqitjes së SPAK disa ditë më parë, ka folur dhe njëherë lidhur me materialet që disponon për protestë n e 21 janarit ku 4 persona mbetën të vrarë.
I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” ai ka zbuluar një audio të regjistruar mes gardistëve në godinën e Kryeministrisë, ku thotë se janë komunikimet e kryera para se të jepej urdhri për hapjen e zjarrit.
Këto materiale Hoxha ia ka kaluar dhe SPAK për të ndihmuar në hetimin e kësaj ngjarjeje.
“Deri tani ka dalë vetëm një audio 40-50 sekonda. Është pjesa e urdhrave për vrasjet. Materiali i ri që del sot është para vrasjeve. Është pjesë e materialit të dorëzuar në SPAK. Pjesëtarët e gardës komunikojnë përmes një kanali të veçantë. Tregohet pikërisht momenti kur nisin të gjuajnë në ajër me fishekë manovër. Kjo dëshmon se cdo gjë është bërë me urdhër. Në audio është Ndrea Prendi dhe Dashamir Shehu. Nuk kanë marrë vendime gardistët atë ditë. Nuk mund të thuhet sot se situata i ka dalë nga kontrolli. Ai i kërkon Dashamir Shehit që nëse kalohet gardhi protestuesit do asgjësohen. Janë të përgatitur për të bërë vrasjet. Vrasjet ishin në gjakftohtësi”, u shpreh Hoxha.