Në Shqipëri mbërritën 16 emigrantët e parë të shpëtuar në brigjet italiane, kjo sipas marrëveshjes mes dy shteteve.
Personat nga Bangladeshi dhe Egjipti zbritën në Shëngjin të shoqëruar nga roja bregdetare italiane. Më pas do të nisin procedurat e përshpejtuara për azil dhe në rast se refuzohen, ata do të deportohen në vendin e origjinës.
Ndërkohë ka reaguar edhe UNHCR. Filippo Ungaro, zëdhënësi i UNHCR-së për Italinë tha për CNN se ata do të kenë monitorues të përhershëm në qëndrat për tre muajt e parë, për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut.
“UNHCR-ja, e cila nuk ishte pjesë e negociatave apo protokollit Itali-Shqipëri, ka rënë dakord të kryejë këtë rol monitorues për të ndihmuar që protokolli të zbatohet në një mënyrë që mbron të drejtat dhe dinjitetin e azilit kërkuesit”, tha ai.
“Stafi i UNHCR-së do të ketë akses të drejtpërdrejtë dhe mundësinë për të vëzhguar fazat e ndryshme të procesit dhe do të shqyrtojë procedurat e identifikimit, shqyrtimit dhe vlerësimit të cenueshmërisë. Ata gjithashtu do të monitorojnë trajtimin e personave të zhvendosur dhe kushtet e azilkërkuesve në qendra.”
Në fund të periudhës fillestare tremujore, UNHCR-ja do të bëjë vlerësime dhe rekomandime që do të jenë në dispozicion të publikut, shtoi ai.
Ndërkohë Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) e quajti hapjen e qendrave një “ditë të errët për politikat e BE-së për azilin dhe migracionin” dhe tha se shpresonte që protokolli shqiptar të mos ishte një plan për të tjerët.
“Mbajtja e njerëzve të bllokuar pas telave me gjemba, qëllimisht larg syrit dhe mendjes, nuk është një zgjidhje e qëndrueshme për sfidat e migracionit të Evropës,” tha drejtoresha e avokimit të BE-së në IRC, Marta Ëelander, në një deklaratë për CNN.
“Ndërsa numri i njerëzve që mbërrijnë në Itali është zvogëluar në muajt e fundit, numri i atyre që tentonin kalimin e pabesë drejt Spanjës është rritur shumë. Këto qasje nuk i pengojnë njerëzit të rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Evropë, ato thjesht i çojnë ata në rrugë gjithnjë e më të rrezikshme,” shtoi Welander.