Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien po takohet të hënën në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, një ditë pasi takoi në Beograd Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në një përpjekje të re për të nxitur zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
Para takimi ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, shkroi në rrjetet sociale se me zyrtarët e Kosovës do të diskutohen çështjet thelbësore dypalëshe dhe do të ritheksohet përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës.
Gjatë vizitës në Beograd, diplomati amerikan tha në një intervistë me televizionin shtetëror serb se Shtetet e Bashkuara duan që Serbia dhe Kosova të përparojnë drejt integrimit evropian.
Sipas një përkthimi të televizionit shtetëror serb, zoti O’Brien bëri thirrje që të respektohen marrëveshjet e arritura, që autoritetet e Prishtinës të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të diskutohet integrimi në institucione i serbëve që jetojnë në veriun e Kosovës.
Zoti O’Brien citohet të ketë thënë se themelimi i Asociacionit është një hap i rëndësishëm dhe një detyrim që nga viti 2015. Por, sipas tij, më e rëndësishme është që serbët të jetojnë si qytetarë normalë evropianë.
Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.
Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel, vazhdimi i të cilave pritet këtë javë në nivel kryenegociatorësh.
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak shkroi në rrjetet sociale se është duke u përgatitur për takimin e radhës që pritet të mbahet këtë të enjte dhe sipas tij tani është koha për të filluar zbatimin me zell të marrëveshjeve të arritura në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.