Ekspertë të fushës së shëndetësisë dhe ekonomisë, politikëbërës dhe përfaqësues të medias nga vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën të mërkurën në Tiranë në një ëorkshop që synonte ndërtimin e urave të komunikimit mes ekspertëve të fushës, politikëbërësve dhe medias, me synim promovimin e politikave më të mira, që dekurajojnë konsumin e duhanit dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ky uorkshop u organizua nga DSA (Development Solutions Associates) (Shqipëri) dhe Johns Hopkins University (SHBA). I pranishëm gjatë takimit ishte edhe Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë dhe Deputet i Partisë Socialiste. Në hapje të punimeve, Shalsi theksoi angazhimin e mazhorancës socialiste në promovimin dhe hartimin e ligjeve që ofrojnë një mjedis dekurajues për konsumin e duhanit. Shalësi tha se mazhoranca socialiste është gjithnjë shumë e angazhuar për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me shoqërinë civile, median dhe ekspertë të fushës për të ndërmarrë politikat më të mira, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës në Shqipëri.
Ai kujtoi se qeveria socialiste, me të ardhur në pushtet në vitin 2013, ndërmori një politikë të ashpër kundër konsumit të duhanit në ambiente të mbyllura. “Asokohe, kur duhani konsumohej në të gjitha ambientet e brendshme, askush nuk besonte se do të vinte një ditë kur kjo nuk do të lejohej. Të gjithë menduan se do të ishte fushatë. Sot është një realitet dhe kjo politikë me dorë të hekurt e ndjekur nga ministri i Shëndetësisë së asaj kohe solli rezultate konkrete në betejën për uljen e konsumit të duhanit,” tha Shalsi. Sipas studiuesve, kjo politikë solli rënie të konsumit të duhanit me të paktën 30% ndër fëmijët dhe adoleshentët.
Shalsi më tej tha se duhani ka kosto në buxhetin e shëndetësisë dhe për këtë duhen ndërmarrë politika ndërgjegjësuese. “Studimet që vijnë nga ekspertët e fushës janë të nevojshme për politikëbërjen. Këto studime ndihmojnë në hartimin e politikave më të mira, të cilat na ndihmojnë në krijimin e një ekuilibri mes anës ekonomike dhe asaj shëndetësore,” tha Shalësi në vijim.
Në tryezën e diskutimeve ishte e pranishme edhe Entela Ramosaco, Zv. Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ajo pasqyroi politikat e ndërmarra nga qeveria në drejtim të ndërgjegjësimit, si dhe parandalimit të nisjes së duhanit në moshë të hershme. Po ashtu, ajo solli dhe shifra të personave që janë kuruar për problematika që vijnë nga konsumi i duhanit. Ajo nënvizoi nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve politikëbërëse, ekspertëve, por edhe mediave si amplifikatorë të mesazheve ndërgjegjësuese për të nxitur uljen e konsumit të duhanit.
Jeffrey Drope, nga Johns Hopkins University, në fjalën e tij vuri theksin te ngjashmëritë e sjelljes së konsumatorëve të duhanit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se përmes studimeve të ndërmarra në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë evidentuar të dhëna që janë të rëndësishme qoftë për politikëbërjen. “Një instrument i mirë për të ndërmarrë politika të mira në dekurajimin e konsumit të duhanit, që sjell një kosto të konsiderueshme si buxhetin familjar, por edhe në atë shtetëror, është rritja e niveleve të taksimit” nënvizoi Drope. Gjithashtu, edhe për mediat. “Mediat kanë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut për politikat që ndërmerren, por mbi të gjitha për të informuar qytetarët mbi rreziqet dhe pasojat e konsumit të duhanit. Prandaj, krijimi i urave të komunikimit mes medias dhe studiuesve të fushës do të ndihmonte në informimin e publikut mbi problematikat që ka konsumi i duhanit në këtë rast, por edhe fenomene të tjera, duke ndikuar dhe shpresuar në përmirësimin e jetës së popullsisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor,” tha Drope.
Duke folur për gjetjet e studimeve, Drope tha se sjellja e konsumatorëve në Ballkanin Perëndimor është e ngjashme. “Pasojat e konsumit të duhanit në aspektin individual sjellin varfëri, shëndet të brishtë dhe familje të varfra. Në aspektin publik, një konsum i lartë i duhanit pasohet me kosto në buxhet për sektorin e shëndetësisë, por edhe atë për ndërmarrjen e politikave sociale. Prandaj, duke u bërë të gjithë bashkë, studiues, media dhe politikëbërës mund të hedhim një hap të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së jetës në Ballkanin Perëndimor,” përfundoi Drope.
Kështu, sipas studimeve, rezulton se totali i shpenzimeve globale për trajtimin e problematikave shëndetësore si pasojë e konsumit të duhanit është 467 miliardë dollarë në vit, ose 5.7% e kostove shëndetësore totale/vit. Kostot totale nga konsumi i duhanit në nivel global, duke përfshirë qoftë shpenzimet shëndetësore, por edhe uljen e produktivitetit, llogariten rreth 1.852 miliardë dollarë, ose 18% e GDP-së vjetore botërore.
Në Ballkanin Perëndimor, prevalenca e duhanpirjes është më e larta në nivel global. Në Shqipëri, të paktën gjysma e meshkujve (42%) dhe 7% e femrave janë konsumatorë të duhanit. Në Serbi, afërsisht 38% e meshkujve, ose 1.13 milionë persona, janë konsumatorë të duhanit. 22% e vdekjeve në Shqipëri i atribuohen duhanit. Në Bosnje dhe Hercegovinë është konkluduar se konsumi i duhanit është shkak për 24.4-42.8% të vdekjeve. Në Serbi, sipas studimeve, 15 000 vdekje të parakohshme lidhen me konsumin e duhanit. Studimet gjithashtu dokumentojnë qartë që rritja e taksimit për duhanin, e shoqëruar me rritjen e cmimeve, rezulton në ulje të konsumit të duhanit dhe shpëtimin e jetëve.
Ekspertët: 223.3 milionë lekë në muaj për të kuruar sëmundjet që shkaktohen nga konsumi i duhanit.
Familjet shqiptare shpenzojnë rreth 223.3 milionë lekë në muaj për të kuruar sëmundjet që shkaktohen nga konsumi i duhanit.
Sipas një studimi të realizuar dhe publikuar sot nga pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe studioja e konsultimeve ekonomike (DSA), nënvizohet rëndësia e një politike fiskale dhe jofiskale më të ashpër për të dekurajuar konsumin e duhanit.
Sipas studimit të publikuar nga pedagogu Drini Imami, i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Aurora Hoxha, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Elvina Merkaj, pedagoge në Universitetin Politeknik të Markes (Marche Polytechnic University), Ankona, Itali, për shkenca ekonomike, duhanpirja jo vetëm që dëmton shëndetin, por sjell edhe varfëri.
“Shpenzimet vjetore të kujdesit shëndetësor në lidhje me konsumin e duhanit arrijnë në rreth 223.3 milionë lekë – pjesa më e madhe shkon për shpenzimet e lidhura me barnat (rreth 20 milionë). Një përqindje më e vogël përfshin kostot e vizitave spitalore dhe apo në qendrat shëndetësore. Më konkretisht janë: Shpenzimet shëndetësore totale arrijnë në 223,294,461 lekë. Nga këto, shpenzime për spitalet dhe vizitat 53,269,307 lekë. Shpenzimeve për barna: 169,342,387 lekë. Të ndara sipas rajoneve, familjet në zonën e veriut të Shqipërisë shpenzojnë në total 51,778,426 lekë, ne rajonin qendror të vendit 101,399,417 lekë dhe në jug 70,116,618 lekë.
Referuar studimit, zonat rurale kanë një shpenzim më të ulët: 92,814,779 lekë, në krahasim me Urbanet, 130 588 235 lekë.
Po ashtu në studim janë llogaritet dhe kostot e sistemit shëndetësor të vendit për të mbuluar me shërbime të prekurit nga sëmundjet që janë të lidhura drejt për drejt me duhanin.
“Përveç kostove që përballohen nga buxheti i familjes, sëmundjet e shkaktuara nga konsumi i duhanit shoqërohen me kosto të konsiderueshme të mbuluara nga sistemi/spitalet shëndetësore publike (që nuk paguhen nga pacientët). Në përgjithësi, kostot që i atribuohen konsumit të duhanit për shtrimin në spital përbëjnë rreth 30% të totalit, çka konfirmon pasojat ekonomike të konsumit të duhanit në shpenzimet spitalore. Sëmundjet e frymëmarrjes, të cilat janë ndër sëmundjet kryesore të shkaktuara nga duhani, përbëjnë një barrë të madhe ekonomike: kostot që i atribuohen duhanpirjes përbëjnë 15% të kostos totale për këtë sëmundje ose 203.4 milionë lekë. Kostot e sëmundjeve të zemrës, që lidhen me duhanpirjen, përbëjnë 125.88 milionë lekë” bënë të ditur studiuesit.
“Siç u theksua më herët, duhanpirja rezulton në barra të konsiderueshme financiare për sistemin shëndetësor publik, i cili përveç shpenzimeve publike spitalore mbulon edhe shpenzime të tjera (p.sh. mjekime ose shërbime që mund të merren jashtë spitaleve publike, por që financohen nga qeveria). Institucioni publik përgjegjës për administrimin e skemës së sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Gjatë vitit 2022, kostot totale të kujdesit shëndetësor të mbuluara nga FSDKSH arritën në 51,564 milionë lekë. Kostot që i atribuohen duhanpirjes të mbuluara nga FSDKSH-ja janë rreth 11.2 miliardë. Kjo nënkupton që një pjesë e konsiderueshme, afërsisht 22% e shpenzimeve totale, lidhet drejtpërdrejt me çështjet shëndetësore që i atribuohen duhanpirjes. Zërat e shpenzimeve milionë lekë Hospitalizimi 6,429 Kujdesi shëndetësor parësor 2,277″, bëhet me dije në studim.
Gjetjet po ashtu tregojnë se sëmundjet e shkaktuara nga konsumi i duhanit ndikojnë ndjeshëm në rritjen e numrit të ditëve të munguara në punë, duke rezultuar në produktivitet më të ulët për ekonominë.
Studiuesit në konkluzionet e tyre rekomanduan një politikë më të ashpër fiskale dhe jo vetëm. “Studimi konfirmon rëndësinë e zbatimit të shpejtë të politikave që synojnë uljen e konsumit të duhanit. Rritja e vazhdueshme e taksave të akcizës së duhanit rezulton më efektive në frenimin e konsumit të duhanit. Ky ndikim është veçanërisht më i madh tek familjet me të ardhura më të ulëta, të cilat kanë ndjeshmëri më të madhe ndaj ndryshimeve të çmimeve prandaj kanë më shumë gjasa të lënë duhanin si rrjedhojë e rritjes së çmimeve. Rrjedhimisht, familjet me të ardhura më të ulëta do të përfitojnë më shumë nga ulja e konsumit të duhanit, çka është e rëndësishme duke pasur parasysh që Shqipërisë është një nga vendet më të varfra në Evropë. Gjithashtu studimet e fundit tregojnë se si politikat e kontrollit të duhanit, si ato fiskale (akciza më e lartë), ashtu edhe ato jofiskale (ndalimi i konsumit të duhanit në ambiente publike të mbyllura si bare/restorante) rezultojnë të ulin ndjeshëm gjasat për fillimin e konsumit të duhanit nga të miturit”, thanë studiuesit.