Dy kompanitë që kanë në pronësi dhe menaxhojnë anijen e mallrave që shkaktoi shembjen e urës pranë portit në Baltimore kanë rënë dakord që të paguajnë më shumë se 100 milionë dollarë për të zgjidhur pa gjyq një padi të ngritur nga Departamenti i Drejtësisë, thanë të enjten zyrtarët.
Marrëveshja vjen një muaj pasi Departamenti i Drejtësisë ngriti padi ndaj firmës që ka në pronësi anijen “Dali”, “Grace Ocean Private Ltd.” dhe kompanisë që e menaxhon atë, “Synergy Marine Group”, që të dyja me seli në Singapor.
Aktpadia kërkonte një dëmshpërblim prej më shumë se 100 milionë dollarësh të shpenzuara nga qeveria amerikane për të pastruar mbetjet dhe rihapur potin e qytetit Baltimore.
“Kjo rezolutë siguron që kostot e përpjekjeve të qeverisë federale për pastrimin e kanalin “Fort McHenry” të përballohen nga firmat ‘Grace Ocean’ dhe ‘Synergy’ dhe jo nga taksapaguesit amerikanë”, tha në një deklaratë zoti Benjamin Mizer, zyrtari i tretë më i lartë në Departamentin e Drejtësisë.
Departamenti i Drejtësisë ngriti pretendimet se sistemet elektrike dhe mekanike në anijen, Dali, nuk ishin mirëmbajtur siç duhet, duke çuar në avarinë që shkaktoi daljen e anijes nga kursi përpara se të përplasej me një këmbë të urës “Francis Scott Key” në muajin mars.
Shembja e një seksioni të urës shkaktoi pengesa për muaj të tërë të transportit komercial detar përmes portit të Baltimores përpara se rruga ujore të hapej plotësisht në muajin qershor.
Në fund të muajit mars, anija e mallrave Dali pësoi një avari elektrike rreth 10 orë përpara se të largohej nga porti i Baltimores dhe përsëri pak para se të përplasej me urën “Francis Scott Key” duke shkaktuar vdekjen e gjashtë punonjësve të mirëmbajtjes së urës, thanë hetuesit federalë në muajin maj.
Pasojat mund të kishin qenë shumë më të mëdha nëse policia nuk do të kishte vepruar me shpejtësi për të ndaluar trafikun. Brenda rreth 90 sekondash, pas paralajmërimit në radio të një dispeçeri se një anije masive mallrash kishte humbur kontrollin dhe po shkonte drejt urës, oficerët e policisë arritën të ndalonin trafikun e automjeteve në të dyja anët e urës.
Anija Dali nga Singapori, 299 metra e gjatë, po nisej nga porti i Baltimores për në Sri Lanka kur u përplas me urën.
Në fillim të qershorit, zyrtarët njoftuan rihapjen e kanalit “Fort McHenry”, pas pastrimit të rrënojave nga kanali 213 metra i gjerë dhe 15 metra i thellë.
Zyrtarët kanë thënë se shpresojnë që puna për ndërtimin e urës të përfundojë deri në vitin 2028.
Unmute